13 Dhjetor – Octavius Winslow

13 Dhjetor

“…Perëndisë, që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve.” 2 Timoteu 1:9

Ka një thirrje të jashtme dhe një thirrje të brendëshme të Frymës. Për thirrjen e jashtme flitet kështu: “Të kam thirrur dhe ti refuzove;” “Shumë janë të thirurr por pak janë të zgjedhur.” Kjo thirrje e jashtme e Frymës bëhet në mënyra të ndryshme. Në fjalë, në shpalljen e lavdishme të ungjillit, përmes provanive të Perëndisë – provanive të mëshirës dhe të gjykimit – përmes paralajmërimeve të predikuesve, përmes këshillave të miqve dhe në mënyrë jo më pak të fuqishme përmes zgjimit të ndërgjegjes së natyrshme. Përmes këtyre mjeteve Fryma e Shenjtë “i thërret mëkatarët në pendim.” Në këtë kuptim, çdo njeri që e dëgjon ungjillin, i cili është i rrethuar nga mjetet e hirit dhe që ka pranë vetes një këshilltar të fshehtë dhe përherë besnik, ai person thirret prej Frymës.

Ekzistenca e kësaj thirrjeje e vendos mëkatarin në një pozitë përgjegjësie të frikshme; dhe mohimi i kësaj thirrjeje e ekspozon atë para një dënimi edhe më të frikshëm. Perëndia nuk e ka derdhur kurrë zemërimin e Tij mbi njeriun pa i zgjatur më parë një degë ulliri për të bërë paqe. Në mënyrë të pashmangshme mëshira e ka pararendur gjykimin, “Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur.” “I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel.” “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas.” Ai arsyeton, Ai argumenton, Ai diskuton me mëkatarin. “Ejani dhe të diskutojmë bashkë,” është ftesa e Tij. Ai udhëzon, paralajmëron dhe fton; Ai vendos para mendjes arsyet më solemne, i shtyrë nga detyra dhe interesi; Ai i përforcon pretendimet e Tij dhe i bën thirrje interesave individuale të shpirtit; por gjithçka duket e paefektshme.

Oh çfarë pamjeje që na jep kjo gjë për durimin e Perëndisë ndaj rebelëve! Fakti që Ai vetë ia zgjat dorën mëkatarit – që në vend të zemërimit, Ai tregon mëshirë – në vend të mallkimit, ka bekim – që, në vend të ndëshkimit të menjëherëshëm, të ketë durim dhe vetëpërmbajtje që e ftojnë, që ka tërheqje dhe arsye! Cili Perëndi është si Ti? “Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje.”

Por ka edhe një thirrje të veçantë, të drejtpërdrejtë dhe të efektshme të Frymës në të zgjedhurit e Perëndisë pa të cilën të gjitha thirrjet e tjera janë të kota. Perëndia thotë, “Unë do të vendos Frymën time brenda jush.” Krishti thotë, “Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.” Në pjesët vijuese gjejmë referenca për veprimtarinë e efektshme të Perëndisë Frymë. “Shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhuntisë së hirit të Perëndisë që m’u dha në sajë të fuqisë së tij.” “Fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni.”

Kështu përmes mjetit të së vërtetës, Fryma paraqitet si ai që vepron në mënyrë të efektshme në shpirt. Kur Ai thërriste më parë ato thirrje nuk u shoqëruan nga një thirrje e brendshme, e mbinatyrshme dhe e fshehtë drejtuar ndërgjegjes. Tani ka një energji e cila ushtrohet bashkë me thirrjen, e cila e zgjon ndërgjegjen, e thyen zemrën, e bind gjykimin, i hap sytë e shpirtit, dhe kumbon me një tingull të ri dhe alarmues në veshin që deri tani ishte i shurdhër. Vini re efektet e bekuara. Luspat ranë nga sytë, veli që mbulonte mendjen u shqye, burimet e thella të ligësisë në zemër janë prishur, mëkatari e sheh veten si të humbur dhe të dënuar – pa falje, pa drejtësi, pa pranim, pa Perëndi, pa një Shpëtimtar dhe pa një shpresë!

Kjo është një gjendje vërtet e tmerrshme! “Çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” është klithma e tij. “Jam një njeri i mjerë dhe i humbur! Shoh brenda vetes dhe gjithçka është errësirë dhe ndyrësi; shoh përreth vetes dhe gjithçka duket thjesht një reflektim i mjerimit tim; shoh sipër meje dhe shoh vetëm një Perëndi të zemëruar; ngado që të shoh, pamja është një ferr i vërtetë! Nëse Perëndia do të më dërgonte tani në ferr do të tregohej plotësisht i drejtë.” Por bekuar qoftë Perëndia, sepse asnjë shpirt i mjerë që ka shqiptuar ndonjëherë fjalë të tilla, që ka shfaqur ndjenja të tilla nuk vdiq kurrë në dëshpërim. Ai Frymë besnik i cili e fillon punën e mirë e vazhdon në mënyrë të efektshme dhe e plotëson atë.

Menjëherë Ai e udhëheq mëkatarin te kryqi i Jezusit – i zbulon syrit të tij të besimit një Shpëtimtar, të përvuajtur, të plagosur dhe të përgjakur – e megjithatë i tregon një Shpëtimtar krahëhapur! Shpëtimtari flet – a ka pasur ndonjëherë fjalë më melodioze se këto? “Gjithë këtë e bëra për ty – ky kryq ishte për ty – këto vuajtje ishin për ty – ky gjak ishte për ty – këta krahë të hapur janë për ty. Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje – atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë – shikoni drejt meje dhe shpëtohuni – thjesht besoni.

A je i humbur? Unë mund të të shpëtoj. A je fajtor? Unë mund të të pastroj. A je i varfër? Unë mund të të pasuroj. A je i rrëzuar? Unë mund të të ngre lart. A je lakuriq? Unë mund të të vesh. A nuk ke asgjë për të sjellë – asnjë çmim, asnjë qindrakë, asnjë mirësi, asnjë meritë? Unë mundem dhe do të të pranoj pranë vetes, ashtu siç je, i varfër, i zhveshur, pa asnjë qindrakë, i padenjë; sepse të tillë erdha të kërkoja, të tillë erdha të thërras, për të tillë vdiqa.”

“Zot, unë besoj,” thërret shpirti i mjerë dhe i bindur për mëkatin, “Ndihmo mosbesimin tim.” Ti je saktësisht Shpëtimtari që dëshiroj. Dëshiroj një Shpëtimtar që mundet dhe do të më shpëtojë me gjithë neverinë time, me gjithë leckat e mia, me gjithë varfërinë time – dëshiroj një Shpëtimtar që do të më shpëtojë plotësisht, që do të më shpëtojë falas, që do të më shpëtojë me një veprim hiri të pamerituar – e kam gjetur Atë të cilin shpirti im e do – do të jem i Tij për gjithë kohën dhe gjithë përjetësinë.” Kështu në mënyrë të efektshme Fryma e bekuar e thërret një mëkatar nga errësira në dritë të mrekullueshme përmes fuqisë së Tij të mbinatyrshme, të veçantë dhe të drejtpërdrejtë, “Kur unë veproj,” thotë Perëndia, “kush mund të më pengojë?”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*