13 Nentor – Octavius Winslow

13 Nëntor

“Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” Mateu 11:29-30

Si t’i radhisim para jush në mënyrën më të qartë motivet që na nxitin të kultivojmë këtë skamje të frymës? A nuk mjafton që kjo është gjendja frymërore të cilën Jahveu e shikon me një ëndje të shenjtë dhe të patregueshme? “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim?” Dhuntitë e shkëlqyera, arritjet e larta, flijimet e kushtueshme nuk janë asnjë gjë për mua. “Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.” Kësaj ne i shtojmë, nëse e vlerëson ecjen tënde të sigurt, të lumtur dhe të shenjtë – nëse e çmon manifestimin e pranisë së Perëndisë – “të puthurat e gojës së Tij, dashuria e të cilit është më e mirë se vera” – mësimin, udhëzimin dhe ndikimin ngushëllues të Frymës së Shenjtë, kërkojeni atë. Nëse dëshiron të jesh “aroma e Krishtit në çdo vend” – nëse do të lutesh me më tepër zell, vajosje dhe fuqi – nëse do të punosh me më tepër zell, devotshmëri dhe suksese, kërkoje.

Për hir të gjithçkaje që është e çmuar dhe e shenjtë, për hir të lumturisë tënde, për hir të nderit të Krishtit, për hir të lavdisë së Perëndisë, për hir të shpresës së qiellit, kërko të gjendesh mes atyrë që janë “të varfër dhe skamës në frymë,” të cilët me një dashuri të shenjtë prej fëmije dridhen para fjalës së Perëndisë, të cilin Jezusi e ka shpallur të bekuar në këtë pjesë, dhe të përshtatur për lavdinë e ardhshme. Edhe pse kur i afrohesh Krye Priftit të Madh nuk ke asnjë ofertë të shkëlqyer dhe të kushtueshme intelektuale, megjithatë bashkë me të penduarin mbretëror mund të thuash, “Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti. Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.” “Zot kjo është gjithçka që kam për të të sjellë.”

Evito një përulësi të shtirur. Përulësia e vërtetë nuk konsiston në mohimin e punës së Frymës së Shenjtë në zemrat tona, në nënvlerësimin e hirit të Perëndisë në shpirtin tonë, në të qëndruarit larg nga Ati ynë qiellor, dhe duke ecur në distancë nga Krishti, gjithmonë duke dyshuar efektshmërinë e gjakut të tij, lirshmërinë e shpëtimit të tij, gatishmërinë e zemrës së tij, madhështinë e fuqisë së tij për të shpëtuar. Oh, jo! Kjo nuk është përulësia që Perëndia kënaqet ta shohë, por është një përulësi e rreme, fallco dhe e pakëndshme në sytë e Tij.

Por, të “afrohesh me një zemër të vërtetë dhe me siguri të plotë besimi,” në një varësi të përulur te gjaku dhe drejtësia e tij; për ta pranuar shpëtimin si dhuratë të hirit të Tij, të besosh premtimin për shkak se Ai e ka thënë; me hir dhe përulje ta pranojmë thirrjen tonë, birësimin tonë, pranimin tonë dhe të jetojmë në ndikimin e shenjtë dhe transformues të kësaj gjendjeje të lartësuar, duke i dhënë Perëndisë Triun gjithë lavdërimin dhe lavdinë; kjo është përulësia që i pëlqen më tepër Perëndisë dhe është fryt i vërtetë i Frymës së Shenjtë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*