13 Shtator – Octavius Winslow

13 Shtator

“Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.” 1 Gjoni 3:1

Nuk është gjë e habitshme që një birësim i tillë të përballet me shumë dyshime në mendjen e të krishterit, duke qenë se kjo është një e vërtetë aq frymërore e cila rrjedh prej një burimi aq të fshehtë, dhe zë vend në pjesët më të thella të shpirtit. Vetë mrekullia e kësaj marrëdhënieje na e shtang besimin. Për të qenë plotësisht të sigurt për birësimin tonë kërkon diçka tjetër nga dëshmia e ndjenjave tona apo nga opinioni i njerëzve. Ndjenjat tona, ndonjëherë ngazëlluese dhe me vizion, mund të nga çojnë në udhë të gabuar; opinioni i njerëzve të tjerë, i cili shpesh është naiv dhe i pjesshëm, mund të na mashtrojë. Dëshmia e vetme e madhe dhe e sigurt është që “vetë Fryma i dëshmon frymës tonë.”

Ekziston një kombinim i fortë ligësie i cili përpiqet ta lëkundë sigurinë e të krishterit në besimin e birësimit të tij. Satani është gjithmonë zgjuar për të ngjallur dyshim. Ai e provoi këtë eksperiment me Zotin tonë: “Nëse Ti je Biri i Perëndisë.” Nuk duket në asnjë rast nuk duket që ai ta ketë mohuar të vërtetën e Birësisë Hyjnore të Krishtit; gjëja më e madhe që i lejoi guximi i tij ishte t’i sugjeronte mendjes një dyshim; dhe ta linte atje të bënte punën e vet. Duke qenë se vetë Zoti ynë i bekuar u sulmua në këtë mënyrë nuk është habi që edhe dishepujt e Tij të ekspozohen ndaj një sulmi të tillë. Edhe bota vetë ushtron trysni që ta vërë këtë gjë në dyshim. “Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë.”

Duke qenë e paditur rreth Origjinalit Hyjnor, si mund të dallojë konturet e Hyjnores në kopjen e dobët dhe të papërsosur? Bota nuk ka fjalor përmes të cilit ta deshifrojë “emrin e ri të shkruar mbi gurin e bardhë.” Bijtë e Perëndisë gjenden në mes të një bote të mbrapshtë dhe të shthurur, duke e ndriçuar atë me dritën e tyre, duke e ruajtur atë me hirin e tyre, e megjithatë janë të fshehur nga njohuria e saj, dhe të mbuluar për shikimin e saj. Por dyshimet më të forta që e prekin vlefshmërinë e këtij birësimi janë ata që lindin në mendjen e besimtarit. Oh, atje ka shumë gjëra që ngjallin dhe mikpresin dyshime të dhimbshme. Kemi thënë se vetë madhështia e favorit, mrekullia e marrëdhënies, e shastis mendjen dhe e shtang besimin tonë.

“Çfarë? Jam fëmijë i Perëndisë! Perëndia është Ati im! A mund të jem unë subjekt i një ndryshimi kaq të madh, dhe të kem një marrëdhënie kaq të lartësuar? Kush jam unë o Zot Perëndi, dhe çfarë është shtëpia ime, që Ti të më lartësosh e të më bësh fëmijën e Mbretit? A veprojnë kështu njerëzit, o Zot Perëndi?” Dhe në atë moment në mendjen e besimtarit mblidhen mendime për mëkatshmërinë dhe padenjësinë e tij për një bekim kaq të jashtëzakonshëm. “A është vërtet e mundur që me shthurje të tillë zemre, me një mendje të tillë mishore, me një vullnet të tillë kaq rebel, me një prirje kaq të fortë drejt ligësisë në çdo çast, dhe në çdo gjë një tërheqje dhe mangësi kaq e madhe, a ekziston vallë ende brenda meje një natyrë e cila më lidh me Hyjnoren? Kjo gjë duket e pamundur!”

Dhe kur të gjitha këtyre u shtohen veprimet e larmishme të Atit të tij qiellor, që shpesh janë të mbuluara me një petk të ashpër, që kanë një aspekt serioz, kërcënues dhe shtypës, oh, nuk është habi që i shtangur nga një disiplinë kaq e ashpër, fakti i dashurisë së Perëndisë për të, dhe marrëdhënia e tij e ngushtë dhe e butë me Perëndinë, ndonjëherë të bëhet një çështje aq e dhimbshme dyshimi; që ai të nisë e të arsyetojë kështu – “Nëse është fëmija i Tij, që prehet në zemrën e Tij, që është vendosur si një vulë mbi krahun e Tij, pse është në këtë gjendje? A nuk do të më kursente Ai nga nga një goditje kaq e rëndë? A nuk do të kishte kaluar tej buzëve të mia kjo kupë? A do më kishte kërkuar vallë të vrisja Isakun tim, të ndahesha nga Beniamini im? Të gjitha këto gjëra janë kundër meje.” Kështu fëmijët e Perëndisë tundohen vazhdimisht të vënë në dyshim realitetin e birësimit të tyre.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*