14 Dhjetor – Octavius Winslow

14 Dhjetor

“Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falënderim me tepri për lavdi të Zotit. Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.” 2 Korintasve 4:15-16

I krishterë që po vuan, mos po e vret mendjen pse Zoti po të mban kaq gjatë në divanin e vetmisë dhe mbi shtratin e lëngimit – pse “kjo çadër tokësore” të rrëzohet prej sëmundjes së vazhdueshme dhe dobësuese, përmes tretjes që sjell sëmundja dhe dobësimit gradual të forcës. Bëj që të heshtë çdo mendim arsyetimi, ankthi dhe dyshimi. Kështu e ka vendosur Ati yt qiellor. Ai që e ndërtoi shtëpinë, të cilit në fakt i përket shtëpia, ka të drejtë ta heqë atë përmes çdo procesi që t’i duket Atij i përshtatshëm. Misteri i veprimtarisë së Tij të tanishme do të shpjegohet shumë shpejt. Po, besimi dhe dashuria mund ta shpjegojnë tani – “Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty.”

Pozita jote është një pozitë e nderuar dhe me përgjegjësi. Perëndia ende ka një punë që ti ta bësh. Ke qenë duke pritur vit pas viti në qetësinë e nënshtrimit tënd të shenjtë thirrjen e nisjes tënde. Por Perëndia e ka zgjatur periudhën tënde të lodhjes dhe vuajtjes, sepse puna në ty dhe prej teje nuk ka përfunduar, për të përmbushur qëllimin për të cilin u dërgua kjo sëmundje. Oh çfarë dëshmie që mund të jesh tani për Perëndinë! Çfarë dëshmie që mund të japësh tani për Krishtin! Çfarë predikimesh mund të përcjellë sjellja dhe shembulli yt nga ai shtrat sëmundjeje, predikime për të konvertuar të shkujdesurit, për të stabilizuar të lëkundurit, për të ripërtërirë endacakët, për të ngushëlluar të frikësuarit!

Për çfarë shkallësh më të larta lavdie është duke të përgatitur Perëndia përmes kësaj sëmundjeje të zgjatur! Fakti që në qiell ka shkallë lavdie, sikurse ka edhe shkallë vuajtjeje në ferr dhe shkallë hiri mbi tokë, nuk ka pikë dyshimi që, “Ashtu si ylli ndryshon nga ylli në lavdi,” po kështu dallon një shenjtor i përlëvduar nga tjetri. A do të mungojë vallë në qiell ajo larmi e mrekullueshme shtati gjë e cila u jep kaq shumë hijeshi dhe bukuri qenieve njerëzore dhe skenës së tokës? Nuk ka dyshim. Hiri superior këtu poshtë na përgatit për një lavdi superiore atje lart. Sa më e lartë të jetë arritja jonë e shenjtërisë këtu, aq më të larta do të jenë majat e bekimit në jetën pas kësaj. Përmes hirit të Perëndisë, kjo sëmundje e stërgjatë mund të jetë duke të përgatitur për shkallë të tilla më të larta lumturie qiellore.

I shenjtëruar prej Frymës së shenjtërisë, zjarri i ngadaltë rafinon në mënyrë edhe më të përsosur; sa më i plotë të jetë rafinimi mbi tokë, në mënyrë edhe më të përsosur shpirti i shenjtëruar do të pasqyrojë Diellin Hyjnor në qiell. Qoftë durimi i bukur i shpirtit tënd o i përvuajtur zemërbutë gjithnjë e më i ngjashëm me atë të psalmistit, “E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënës së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*