14 Qershor – Octavius Winslow

“Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë.” ‭‭Psalmi ‭138:7

Meditoni mbi rrethanat e psalmistit “Eci në mes të fatkeqësisë.” Ky nuk ishte një shteg i ri dhe i pashkelur përgjatë të cilit po e ndiqte Perëndinë. Gjurmët ndonjëherë të njollosura me gjak, gjithmonë të njomura me lot – të shumë prej shtegtarë të përvuajtur mund të përshkruhen në këtë mënyrë, që nga koha e Abelit, martiri i parë, e cili e mbështeti i pari ballin e përgjakur në gji të Jezusit. Megjithatë, sa shpesh kaplohet besimtari nga sprova, sikur “t’i kishte rënë ndonjë gjë e pazakontë”! Fakti që i krishteri duhet të habitet dhe alarmohet nga natyra e caktuar e një sprove nuk është gjë e habitshme; por që të shtanget prej vetë sprovës, sikur ai i vetmi anëtar i familjes të përjashtohej nga disiplina e besëlidhjes, dhe të mos i interesonte shpallja e Shpëtimtarit, “Në botë do të keni mundime,” kjo duhet të na habitë.

Por, përjetimi i Davidit është ai shumë prej pasardhësve frymërorë të Davidit. Fjalët e tij duket se nënkuptojnë sprovë të vazhdueshme: “Eci në mes të fatkeqësisë.” Për sa udhëtarë për në qytetin qiellor është e vërtetë kjo gjë! Ata duket që nuk janë kurrë të përjashtuar nga sprovat. Sprovat nuk pushojnë, ata nuk arrijnë pushim dhe as përjetojnë prehje. Zor se shkuma e një dallge është shuar mbi breg kur një dallgë tjetër është duke ardhur – “Një hon i thërret një honi tjetër.” Mos është sprova e sëmundjes? Dhoma e errësuar dhe zor e ndriçuar me një rreze ngazëlluese drite, shtrati i sëmundjes, që rrallë herë ofron një moment çlodhjeje, këndi i rropatjes, nga i cili rrallë largohet, këto janë tablo të gjalla të sprovës, të nxjerra nga jeta reale, që nuk kanë nevojë për ngjyrat e imagjinatës për t’i theksuar apo ekzagjeruar. Mos është sprova në familje? Çfarë skenash ankthesh dhe shqetësimesh të vazhdueshme, trazirash dhe burimesh hidhërimi, paraqesin disa familje: duket sikur telashet nuk mungojnë kurrë nga këto qarqe të vogla. Po, përmes një seri sprovash janë thirrur të udhëtojnë shumë nga ndjekësit e Krishtit.

Humbja e pasurive tokësore mund të pasohet nga dobësimi i shëndetit, dhe kjo ndoshta të pasohet nga shkretia e vdekjes – ajo që më shumë se çdo pikëllim tjetër e plagos dhe e tejshpon më thellë zemrën dhe për një kohë e mbulon çdo skenë me një petk të errët pikëllimi. Kështu udhëton përherë besimtari përgjatë një shtegu të shtruar me pikëllim dhe të ngushtuar nga sprova. Epo, ashtu qoftë! Nuk flasim për këtë gjë duke u ankuar; Zoti na ruajt! Nuk e akuzojmë urtësinë, nuk e vëmë në dyshim mëshirën dhe as e sulmojmë të vërtetën e Atij që ka planifikuar çdo kthesë të atij shtegu, që ka shtruar çdo hap të udhës dhe që e di historinë e tij nga fillimi në fund.

Pse të grindet zemra jonë kundër Zotit? Pse të lodhemi ankohemi gjatë udhës? Kjo është udha e zakonshme – është udha e duhur – është udha e Zotit; dhe është udha drejt një qyteti vendbanimi kur shpirti dhe trupi – shokët e një shtegtimi të lodhshëm – së bashku do të përjetojnë prehjen e ëmbël dhe të përjetshme. Atëherë do të marrin fund të gjitha telashet; atëherë do t’u vijë fundi gjithë konflikteve. Duke dalë nga zymtësia dhe labirinti i shkretëtirës, fryma e liruar e gjen veten në shtëpi, banor i një bote për të cilën është thënë, “Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*