16 Dhjetor – Octavius Winslow

16 Dhjetor

“Duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.” Galatasve 2:16

Termi shfajësim është një term ligjor – i cili përdoret në çështjet gjyqësore në sallën e gjyqit. Një shembull të kësaj e gjejmë në fjalën e Perëndisë, “Në rast se fillon një grindje midis burrave dhe ata paraqiten në gjyq, gjykatësit do t’i gjykojnë duke i dhënë pafajësinë të pafajshmit dhe duke dënuar fajtorin.” Nga kjo pjesë është e qartë që kjo fjalë është e kundërta e dënimit, dhe në këtë kuptim përdoret edhe në tekstin që po konsiderojmë. Të shfajësosh apo drejtësosh në kuptimin e plot të fjalës do të thotë të çlirosh nga çdo dënim.

Është e rëndësishme që të mos e ngatërrojmë këtë doktrinë me doktrinat e tjera të ngjashme me të ashtu si ka bërë Kisha e Romës. Ne duhet ta dallojmë në mënyrë të qartë nga shenjtërimi. Edhe pse këto dy doktrina janë të lidhura ngushtë, megjithatë janë krejt të ndryshme. E para është ndryshim i pozitës, e dyta është ndryshim i gjendjes. Nga e para kalojmë nga faji në drejtësi, nga e dyta kalojmë nga mëkati në shenjtëri. Në drejtësim ne sillemi afër Perëndisë; në shenjtërim bëhemi të ngjashëm me Perëndinë. E para na vendos para Tij në një gjendje pa dënim; e dyta na transformon në shembëlltyrën e Tij.

E megjithatë Kisha e Romës i përzjen këto dy gjendje me njëra-tjetrën, dhe në formulimet e doktrinës së saj mëson një shenjtërim të llogaritur ashtu sikurse Bibla na mëson një drejtësim të llogaritur. Drejtësimi duhet të dallohet gjithashtu edhe nga falja. Drejtësimi është një veprim më i lartë. Përmes veprimit të faljes ne shpëtohemi nga ferri; por përmes dekretit të drejtësimit ne sillemi në qiell. Falja e liron shpirtin nga dënimi; drejtësimi i jep në dorë tapinë e lavdisë.

Zoti Jezu Krisht është prerazi drejtësimi për të gjithë njerëzit e paracaktuar dhe të thirrur të Perëndisë. “Me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat.” Hapi pararendës ishte që ta vendoste Veten në pozitën e saktë të Kishës së Tij. Në mënyrë që ta bënte këtë ishte e nevojshme që Ai të vinte nën ligj; sepse si Bir i Perëndisë Ai ishte mbi ligjin dhe si rrjedhim nuk mund t’u nënshtrohej porosive të tij. Por kur Ai u bë Biri i njeriut ishte sikur sovrani i një perandorie të madhe të kishte hequr dorë nga karakteri e tij mbretëror dhe të përqafonte gjendjen e nënshtetasve të tij. Ai i cili ishte superior ndaj gjithë ligjit, përmes mishërimit të Tij misterioz e vendosi Veten nën ligj. Ai i cili ishte Mbreti i Lavdisë përmes ardhjes së Tij u bë nënshtetasi më i ulët.

Çfarë përuljeje që ishte kjo! Çfarë zbritje e Birit të Perëndisë nga lartësitë e lavdisë së Tij! Mbreti i mbretërve, Zoti i zotërve, ra dakord që t’i nënshtrohej ligjit të Tij, t’i nënshtrohej Vetes, Ligjdhënësi u bë ligjpërmbushës. Pasi e përuli Veten e Tij në këtë mënyrë Ai ishte gati që si Qengji i flijimit të merrte mbi vete dhe të hiqte tej mëkatet e popullit të Tij. Profecia që parashikoi se Ai duhej “të mbante paudhësitë e tyre,” dhe se Ai duhej të “drejtësonte shumë,” gjeti tek Ai plotësimin e saj më të plotë dhe më të drejtpërdrejtë. Kështu mbi Jezusin u vendosën të gjitha paudhësitë, dhe bashkë me to i gjithë mallkimi, mallkimit ju shtua dënimi i plotë që i përkiste kishës së Perëndisë.

Ky kontakt i ngushtë dhe personal me mëkatin nuk e ndikoi natyrën e Tij morale; për shkak se në thelb ajo ishte e pamëkatë dhe nuk ishte e mundur që të njollosej nga fakti që Ai mbarti paudhësinë tonë. Ai u konsiderua “i mallkuar,” ashtu siç ndodhte edhe me cjapin e Izraelit kur Aaroni vendoste mbi kryet e tij mëkatet e popullit; ashtu si ajo llogaritje e mëkatit nuk mund ta bënte moralisht fajtore kafshën mbi të cilën u transferuan mëkatet, edhe pse sipas ligjit u trajtua si e tillë, po kështu mbartja e mëkatit nga ana e Krishtit nuk mund ta kompromentonte as edhe për çast shenjtërinë e Tij.

Shihni në çmënyrë të veçantë që e ka zbuluar Fryma dhe me çfarë kujdesi të përpiktë e ka ruajtur pamëkatshmërinë e përsosur të Shpëtimarit shlyes! “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”

Oh çfarë deklarate e bekuar për atë që jo vetëm e shohin mëkatin e tyre i cili banon në ta, por që e dallojnë ndotjen e mëkatit edhe në gjërat e tyre më të shenjta, të cilët mbështeten për falje vetëm mbi flijimin e Qengjit të panjollë të Perëndisë! Sa inkurajuese dhe inkurajuese që është për ta siguria që ekziston Dikush i pamëkat i cili ndërhyn mes një Perëndie të shenjtë dhe shpirtit të tyre, që pranohet në vend të tyre dhe në të cilin ata shihen si të drejtë! Kjo është metoda e Perëndisë për drejtësim.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*