24 Nentor – Octavius Winslow

24 Nëntor

“Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj.” Gjoni 16:7

Nuk ka asnjë pikëllim të zemrës që beson të cilin Fryma i Shenjtë të mos e njohë, ndaj të cilit Ai të jetë indiferent, apo të cilin nuk e përqafon me dhembshurinë e Tij, dhe fuqia e të cilit të mos e lehtësojë dot. Kisha në të cilën Ai banon, shtegëtimin e të cilës Ai e drejton është një Kishë e sprovuar. E zgjedhur në furrën e pikëllimit, aleate e një Krey të përvuajtur, shtegu i saj këtu mbi tokë karakterizohet prej lotëve, dhe shpesh prej gjakut.

Ajo ka nevojë të madhe për një Ngushëllues. Kush mund t’i llogaritë pikëllimet individuale që mund të rrethojnë shtegun e një udhëtari të vetë për në shtëpinë e tij ku nuk ka më pikëllim? Çfarë bote sprove të larmishme mund të gjendet në historinë e një shenjtori të vetëm!

Por nëse pikëllimi është i shumtë, ngushëllimi është edhe më i shumtë, përderisa Ngushëlluesi i Kishës është Fryma i Shenjtë. Çfarë sigurimi të pushtetshëm, sa i pafundme dhe bujar, që është sigurimi që Perëndia i çdo ngushëllimi ka vënë në dispozicion në besëlidhjen e hirit për pikëllimet e popullit të Tij, në faktin që në këtë ofiq ka caktuar Personin e Tretë të Trinisë së bekuar! Çfarë rëndësie që i jep kjo, me çfarë dinjiteti që e vesh, me çfarë shenjtërie që e mbështjell çdo pikëllim tonin! Nëse Ati ynë qiellor e sheh si të përshtatshme në urtësinë dhe mirësinë e Tij të pagabueshme që të dërgojë mundim, kush nuk do ta mirëpriste mesazhin si një gjë të shenjtë dhe të çmuar dhe kështu të lehtësohej dhe të shenjtërohej?

Po, Fryma i udhëheq të pikëlluarit në çdo ngushëllim. Ai ngushëllon duke zbatuar premtimet – duke udhëhequr te Krishti – duke e përkulur vullnetin në nënshtrim të thellë para Perëndisë – dhe duke u zbuluar syve të besimit lavditë e asaj bote pa pikëllim, pa lotë dhe pa mëkat. Kush mund ta portretizojë përsosmërinë e Tij si Ngushëllues? Me sa gatishmëri dhe butësi që vepron Ai për ta zbutur çdo brengë – me sa durim që i udhëzon të paditurit – me sa butësi që i udhëheq të ngarkuarit – me sa zotësi që i shëron të lënduarit – sa shpejt që i plotëson nevojat – në ç’mënyrë të efektshme që i flet Ai atij që vajton! Kur zemra jonë është tejngarkuar brenda nesh, nga thellësitë e ujërave të tërbuara, Ai na udhëheq te Shkëmbi që është më i lartë se ne.

Ai na udhëheq në lavdi. Atje Ai e maturon mbretërinë, e përsos ndërtesën, e plotëson tempullin të cilin e nisi dhe e mbushi mbi tokë. Asnjë fuqi nuk mund ta kundërshtojë, asnjë vështirësi nuk mund ta pengojë, asnjë gjë e paparashikuar nuk mund ta ndalojë përmbushjen e planit dhe qëllimit të Tij të lavdishëm. Çdo shpirt që u bekua me praninë e Tij, çdo zemër që u prek nga dashuria e Tij, çdo trup që u shenjtërua si tempulli i Tij, Ai do ta çojë në qiell. Ai vetë është kapari dhe garancia për atë qiell. Ndërsa Jezusi është në qiell duke përgatitur një vend për popullin e Tij, Fryma mbi tokë është duke e përgatitur popullin e Tij për atë vend. Njëri po përgatit lavdinë për Kishën, tjetri po përgatit Kishën për lavdi.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*