24 Shtator – Octavius Winslow

24 Shtator

“Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie.” 2 Korintasve 4:17

Në çfarë mënyre do të jetë kjo një lavdi e zbuluar në ne? Kjo do të jetë lavdia e njohurisë së përsosur. “Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.” Oh çfarë rruzulli drite intelektuale që do të jetë çdo mendje e përlëvduar! Çfarë kapacitet kuptimi që do të zotërojë, çfarë larmi mendimesh që do të përfshirë, çfarë përsosmëri njohurie që do të arrijë! Si do të zbulohen të gjitha misteret, si do të zgjidhen të gjitha problemet, si do të pajtohen të gjitha mospërputhjet; dhe çdo e vërtetë e zbulesës së Perëndisë, çdo ndodhi e provanisë së Perëndisë, çdo vendim i qeverisjes së Perëndisë, do të shfaqet edhe më transparente dhe e shkëlqyer se dhjetë mijë diej.

Në kërkimin tënd të tanishëm për njohuri frymërore a vajton vallë për errësirën e mendjes tënde, për dobësinë e kujtesës tënde, duke qenë se aftësitë e tua mendore janë të cunguara, të errësuara dhe të shterura? Ngazëllo në shpresën e lavdisë që do të zbulohet në ty kur të gjitha fuqitë e tua intelektuale do të ripërtërihen si forca e shqiponjës; do të zhvillohen, do të shenjtërohen dhe do të përsosen në një shkallë të tillë sa do t’ia kalojnë edhe engjëllit më të pushtetshëm në qiell. Atëherë do ta njohim Perëndinë dhe Krishtin, të vërtetën, provaninë dhe veten tonë ashtu sikurse njihemi tani.

Ka për të qenë gjithashtu një lavdi e shenjtërisë së përsosur në ne. Mbretëria brenda nesh atëherë do të përmbushet; vepra e mirë e hirit do të jetë përsosur. Kjo ka për të qenë përmbushja e shenjtërisë, përsosmëria e pastërtisë. Nuk do të ketë më mëkat! Ndërgjegja nuk do të përlyhet më, mendimet nuk do të njollosen më, ndjenjat nuk do të kapen më në lak, por do të jetë një lavdi shenjtërie, e shkëlqyer dhe e ndritshme, një lavdi më e madhe se e një engjëlli, e cila do të zbulohet në ne. “Ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.”

Lavdia e lumturisë së përsosur do të jetë efekti i sigurt i shenjtërisë së përsosur. Plotësia e Krishtit është plotësia e pastërtisë morale. Le ta themi me drojë, Vetë Perëndia nuk mund të ishte përsosmërisht i lumtur nëse nuk do të ishte një Qenie përsosmërisht e shenjtë. Shkëlqimi i pamjes së përlëvduar të shenjtorëve do të jetë reflektimi i mendimeve dhe ndjenjave të shenjta që rrezatojnë përbrenda. Gëzimi, paqja dhe kënaqësia e plotë do të rrezatojnë në çdo tipar, sepse çdo shqisë, ndjenjë dhe emocion i shpirtit do të jetë në harmoni të plotë me vullnetin dhe në përshtatje të plotë me imazhin e Perëndisë.

Kush mund ta portretizojë lumturinë e asaj bote nga e cila është dëbuar gjithçka që mund ta ndotë pastërtinë e saj, që mund ta trazojë harmoninë e saj apo mund ta lëkunë prehjen e saj? Atë botë e cila përfshin gjithçka që është në përputhje me shenjtërinë e saj, që harmonizohet me madhështinë e saj dhe e lartëson shkëlqimin e saj.

Oh, po! Kjo do të jetë një lavdi që do të zbulohet në ne. Lavdia e birësimit të Atit, lavdia e shlyerjes së Krishtit, lavdia e rilindjes së Frymës, e cila do të rrezatojë nga një bir i rënë i Adamit, nga një mëkatar i shpenguar, i ripërtërirë dhe i shpëtuar. Çfarë është çdo rreze e tanishme e dritës qiellore, çdo rrëqethje e dashurisë hyjnore, çdo fitore e hirit që banon brenda, dhe çdo pamje e vogël e botës së sipërme, veçse një hije e lavdisë që do të zbulohet në ne?

Kështu pra, në çfarë përfundimi del apostulli kur i vendos vuajtjen dhe lavdinë krah për krah, kur i krahasohen dhe i peshohen ato? “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.” Jo, as që nuk vlejnë të krahasohen. A e matim ne kohëzgjatjen e tyre relative? “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment,” kurse lavdia jonë ka “një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie.” Shumë shpejt gjithë vuajtja dhe trishtimi do të kalojë përjetë, do të jetë një gjë e historisë dhe e kujtimeve, kurse lavdia do të thellohet dhe do të zgjerohet ndërsa epokat e pafundme të përjetësisë do të pasojnë njëra-tjetrën. Ai i peshojmë ato epoka?

Si mund të krahasohet pesha e kryqit me peshën e kurorës? Në një anë të peshores vendosni “trishtimin e lehtë” të së tashmes dhe në anën tjetër vendosni “peshën e pamasë e të pashoqe të amshueshme të lavdisë,” cila nga këto është më e lehtë? A ia vlen që të krahasohen? Oh, jo! Një sekondë lavdie ia tejkalon një jete të tërë vuajtjeje. Çfarë janë vitet e gjata të mundimit, sëmundjes, betejës me varfërinë, përndjekjen dhe trishtimin në çdo formë, madje edhe kur e mbyll jetën me vdekjen e një martiri, nëse krahasohen me një gllënjkë nga lumi i kënaqësisë në të djathtë të Krishtit, me një frymëmarrje në Parajsë, me një valë të lavdisë së qiellit, me një përqafim të Jezusit, me një pamje të Perëndisë?

Oh, çfarë janë sëmbimet e ndarjes së tanishme, në krahasim me gëzimin e ribashkimit të ardhshëm? Çfarë janë kafshimet e varfërisë tani në krahasim me pasuritë e patregueshme atëherë? Çfarë është vuajtja, zymtësia dhe përbuzja e kohës së tanishme në krahasim me lavdinë që do të zbulohet në ne? Nuk mund të shkojmë më tej. Na tregoni ju shpirtrat e të drejtëve që jeni bërë të përsosur, nëse është e lejueshme, nëse është e mundur, se cila është lavdia që na pret ne! Na tregoni se çfarë do të thotë të jesh një shpirt i zhveshur, të banosh në gji të Jezusit, të shohësh Perëndinë, të jesh përsosmërisht i shenjtë, të jesh plotësisht i lumtur! Prit o shpirt! Shumë shpejt gjithçka do të zbulohet!


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*