25 Janar – Octavius Winslow

25 Janar

Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve.” ‭‭Hebrenjve‬ ‭2:17‬

Duke marrë pjesë në natyrën tonë asnjë gjë njerëzore nuk ishte e huaj për Të, përveç mëkatit që e njollosi dhe e shpërfytyroi natyrën tonë. Hiqni prej kësaj natyre gjithçka të rënë, dëboni çdo frymë të ligë nga shpirti, nxirrni jashtë mendjes çdo ndjenjë të ulët, shkulni çdo ndjenjë egoiste nga zemra, dhe lini gjithë sa mbetet nga njerëzia jonë, ndjenjat e saj të pastra, ndjesitë e saj të holla, emocionet e saj të rafinuara, qëllimet e saj fisnike, ndjenjat e saj të larta, bujare dhe delikate të simpatisë dhe dashurisë, dhe kështu do të keni një portret të përsosur të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Zoti ynë, si njeri, ishte vërtet dhe shqeto njeri. Ai hyri vetë në çdo tipar të natyrës tonë, Ai u njoh në mënyrë intime me çdo mendim dhe ndjenjë, me çdo sentiment dhe emocion, me çdo trishtim dhe sëmbim, me çdo lot, rënkim dhe psherëtimë të njerëzimit – të gjitha, të gjitha u përjetuan prej Tij, përveç mëkatit të natyrës tonë. Nuk ishte thelbësore për butësinë dhe simpatinë e Tij të përsosur dhe të pashoqe që Ai të ishte mëkatar si ne. Jo, kjo do t’i kishte mjegulluar, topitur dhe sakatuar gjithë ndjesitë e buta dhe perceptimet intelektuale të shpirtit të Tij njerëzor, sikurse ka bërë në mënyrë të tmerrshme edhe në ne. Ndjeshmëritë njerëzore që zotëronte Jezusi ishin edhe më të thella, edhe më të pastra, edhe më të fuqishme për shkak të vetë faktit të pastërtisë së tyre të përsosur dhe duke qenë krejtësisht pa mëkat. Atëherë, sa e përsosur duhet të jetë dashuria e Tij, sa e butë duhet të jetë dhembshuria e Tij, sa e veçantë simpatia e Tij, përderisa rrjedhin nga një natyrë njerëzore plotësisht e panjollë sikurse është dhe hyjnia e Tij.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*