31 Gusht – Octavius Winslow

“Por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.” Hebrenjve‬ ‭12:11‬

Urtësia e cila dallohet në këtë metodë udhëzimi – disiplina e shenjtëruar e besëlidhjes vërteton origjinën e saj hyjnore. Nëse besimtari do ishte lënë për të formuar shkollën e tij, të krijonte planin e tij të udhëzimit, të zgjidhte lëndët e tij, dhe madje të zgjidhte edhe mësuesin e tij, sa i ndryshëm që do të kishte qenë ai nga plani i Perëndisë! Ne nuk do ta kishim menduar kurrë idenë e një mënyre të tillë udhëzimi, kaq të ndryshme nga urtësia jonë e varfër, për të siguruar synimin e caktuar. Do kishim menduar që shtegu i lehtë, shtegu me dritë, shtegu i gëzueshëm, do të na çonte më shpejt në lavditë e mbretërisë së hirit; do ta zhvillonte në mënyrë më të plotë urtësinë, dashurinë, butësinë dhe dhembshurinë e Zotit tonë të bekuar, dhe do të na ndihmonte më mirë në zvjerrdhjen tonë prej botës, në kryqëzimin e mëkatit, dhe në përkushtimin tonë frymëror dhe pa rezerva në shërbimin e Tij. Por “mendimet e mia nuk janë si mendimet tuaja, as udhët e mia nuk janë udhët tuaja, thotë Zoti. Sepse ashtu sikurse qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe udhët e mia janë më të larta se udhët tuaja, dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.”

Besimtari gjithashtu nuk është plotësisht i bindur për urtësinë e metodës dhe procedurës së Perëndisë deri sa të jetë sjellë në një farë mase përmes disiplinës; deri sa thupra të jetë hequr, valët e zemëruara të jenë fashitur, dhe retë e stuhisë të kenë kaluar tej. Pastaj, kur e rishikon ndreqjen, kur ishqyrton me imtësi natyrën dhe shkaqet e saj; hapat që e çuan tek kjo ndreqje; zinxhirin e provanisë në të cilin ndreqja formoi hallkën e vet më të rëndësishme; dhe mbi të gjitha, kur numëron bekimet e çmuara të besëlidhjes që kjo ndreqje solli me vete – zvjerdhjen nga bota, butësinë, zemërbutësinë, durimin, perëndishmërinë, frymën e lutjes, dashurinë, gëzimin; ai nxitet të shpallë, “Tani e shoh urtësinë e pafundme dhe mëshirën e butë të Atit tim në këtë lëndim. Ndërsa isha në mes të furrës nuk e dalloja; gufimi i prishjes përbrenda, mosbesimi, dhe mendimet e ashpra për Perëndinë ma errësonin pamjen, e mbuluan për sytë e besimit tim arsyen e disiplinës; por tani e shoh pse dhe për çfarë qëllimi Perëndia dhe Ati im i besëlidhjes më ka trajtuar kështu; e dalloj urtësinë dhe e admiroj dashurinë e procedurës së Tij të mëshirshme.”

Disiplina të tjera mund ta vrasin, por nuk mund ta përulin krenarinë e zemrës; ajo mund ta lëndojë, por nuk do ta kryqëzojë. Lëndimi i shenjtëruar prej Perëndisë Frymë, e ul shpirtin në pluhur; i jep mendime të ulëta për veten. Dhuratat, arritjet, punët e suksesshme, lëvdatat e njerëzve, të gjitha komplotojnë bashkë për ta shkatërruar një fëmijë të Perëndisë; dhe nëse nuk do ishte disiplina në kohën e duhur dhe shpesh e ashpër e një Perëndia përherë besnik dhe i kujdesshëm, këta armiq do ta arrinin qëllimin e tyre. Por lëndimi vjen; kryqi i nevojshëm; ilaçi i duhur; dhe në këtë mënyrë prodhohet “fryti i drejtësisë”; dhe pjesa më e bukur dhe e çmuar e të cilit është një pikëpamje e përulur dhe kokëulur për veten.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*