4 Korrik – Octavius Winslow

“Një kokë qosheje të çmuar.” Isaia 28:16



Për kë e thotë profeti këtë gjë veçse për Jezusin, në krahasim me të cilin asgjë nuk është e çmuar? Vetëm Ai është i denjë për këtë fjalë, ai që është i vetmi i cili mund ta sheshojë shtegun e ashpër të jetës, t’i ëmbëlsojë sprovat e hidhura të jetës, t’i lehtësojë barrët e rënda të jetës, dhe këtë gjë e bën përmes bujarisë së përditshme, moment pas momenti të jetës, hirit dhe vlerës së tij të çmuar. Oh sa i çmuar, cila gjuhë mund ta shprehë vallë? Sa i çmuar është ky gur për atë i cili është i vetëdijshëm për neverinë, varfërinë dhe padenjësinë e vet apo me një shpirt të shtypur nga sprovat e mëdha, apo të përgjakur nga humbjet e dhimbshme i afrohet atij përmes valëve duke shpallur, “Ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë”. I çmuar në gjakun e tij gjithëshlyes – i çmuar në drejtësinë e tij gjithë drejtësuese – i çmuar në plotësinë e tij të pafundme – i çmuar në çdo ofiq që përmbush Ai, në çdo vepër që Ai kryen, i çmuar në çdo premtim që bën, i çmuar është Krishti për atë që pasi ka parë që gjithë themelete tij ishin rërë thithëse, e mbështet shpresën e tij të lavdisë mbi Perëndinë e mishëruar. “Për ju që besoni ai është i çmuar.”

Shpengimtari ynë i lavdishëm është edhe një “gur qosheje. Kjo pozitë e rëndësishme në ndërtesën frymërore – është thelbësore në lidhje me kompaktësinë, forcën dhe qëndrueshmërinë e të gjithës – por kemi frikë se nuk konsiderohet si duhet nga shumë prej atyre që rrëfejnë se janë “gurë të gjallë” në “shtëpinë frymërore.” E megjithatë, sa i rëndësishëm dhe sa i shenjtë është udhëzimi që na përcjell! Guri i qoshes është ai që i bashkon pjesët e ndërtesës; qoshja është për ndërtesën ashtu si është guri i qemerit për harkun; jep unitet, simetri dhe forcë. Zoti Jezus ka qenë guri unifikues i Kishës për të gjitha epokat. Shenjtorët e epokave Patriarkale, Livitike dhe të Krishtera takohen dhe formohen të gjithë në Të, për të qenë një tempull i lavdishëm për Perëndinë e gjallë. “Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë,” ata janë “të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes, mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,” dhe kështu bëhen” një banesë e Perëndisë në Frymë.”

Fakti që ka ndasi në Kishën e Perëndisë, është gjë e dukshme dhe e dhimbshme – fakti që i vetmi trup është copëtuar, manteli i plotë është grisur dhe shpërfytyruar, është një e vërtetë tepër e dukshme për ta fshehur, dhe pothuaj tepër e dhimbshme dhe e sikletshme për ta pranuar. Sa keq që është kështu! Sa shumë harrohet uniteti i kishës në mes të mosmarrëveshjeve fetare dhe në mes të flakëve të zellit të grupit! Si mund ta shohë me ftohtësi vëllai vëllanë, shërbestari ta shohë me dyshim shërbestarin, kisha të mbahet me të madh ndaj kishës! A duhet të jetë kështu? Çfarë gjëje mund t’i atribuohet kjo në një masë të madhe? Besojmë që është për shkak të faktit që e harrojmë të vërtetën që të gjithë besimtarët e vërtetë janë “një në Krishtin Jezus;” që gjaku i Qengjit është lidhja e unitetit të shenjtorëve; që Ai është “guri i qoshes,” i cili i bashkon të gjitha pjesët e ndërtesës së vetme; dhe që nëse jemi ndërtuar mbi Të, ne jemi një me atë Kishë, dhe ajo Kishë është një me Krishtin.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*