9 Gusht – Octavius Winslow

“Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish.” ‭Romakëve‬ ‭8:3‬

Çfarë fjalësh janë këto – “Perëndia, duke dëguar birin e vet!” Një person më pak i lartësuar, më ka hyjnor se ai nuk do të kishte mundur ta përmbushte atë të cilën ligji Hyjnor dështoi ta përmbushte. Përderisa një ligj i cili ishte vetë shkrimi i Perëndisë doli i dobët për këtë qëllim, vetë Hyjnia e mori për sipër këtë punë. Vetë Biri i përjetshëm i Perëndisë iu fut këtij misioni dhe e përmbushi. Shenjtor i Perëndisë, shiko çfarë Shkëmbi shpëtimi që është ky! Ai ngrihet nga thellësitë e poshtërimit tënd, shiko sesi lartësohet mbi mallkimin tënd – mbi mëkatin tënd – mbi dënimin tënd! Ai është një Shkëmb më i lartë se ti. Pafundësisht larg dënimit është ai shpirt i cili është vendosur mbi këtë Shkëmb.

“Në shëmbëllim mishi mëkatar.” Këto fjalë e thonë me fjalët të më qarta të mundshme njerëinë e Birit të Perëndisë. Nuk ishte natyrë njerëzore në dukje ajo që mori Ai, sikurse kanë mësuar disa, por natyrë njerëzore në realitet. Ishte një trup përsosmërisht i organizuar duke pasur të gjitha aftësitë, ndjeshmëritë dhe funksionet që i ka edhe trupi ynë; kockë nga kockat tona dhe mish nga mishi ynë, në të gjitha u bë i ngjashëm me vëllezërit e Tij. Tani, me një ndjenjë të spikatur dhembshurie Ai mund të identifikohet me dobësinë time; sepse kjo natyrë të cilën e mbart kudo me vete, e dobët dhe e plagosur, e shtrembër dhe e shtypur, ishte vetë natyra të cilën Ai e mori në një bashkim të mistershëm me Hyjninë e Tij, e mbajti këtu poshtë, dhe e mban edhe tani në qiell!

Me çfarë kujdesi dhe zotësie që e ruan Fryma e Shenjtë pamëkatshmërinë e përsosur të natyrës njerëzore të Zotit tonë! Vini re që nuk ishte realiteti i mishit mëkatar ai që Biri i Perëndisë mori mbi vete, por vetëm “shëmbëllimin” e tij. Ai mori mbi vete një trup real, por që kishte ngjashmërinë e mëkatit. Ai u bë “i ngjashëm me vëllezërit.” “U tundua ashtu si edhe ne por pa mëkatuar.” Prandaj, në pasazhin që gjendet para nesh thuhet “në shëmbëllim mishi mëkatar.” Fjalët supozojnë një ngjashmëri me natyrën tonë mëkatare. Oh sa e afërt që ishte kjo ngjashmëri! U bë aq i ngjashëm me një mëkatar sa ishte e mundur, por në vepra dhe në të vërtetë nuk ishte mëkatar, “nuk njohu mëkat,’ por ishte “i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët.”

Njeriu është mëkatar; Zoti ynë i bekuar ishte njeri – vërtet njeri, saqë armiqtë e Tij thanë, “E dimë që ky njeri është makatar.” Ata nuk mund ta kuptonin se si dikush mund të jetë kaq vërtet njeri e megjithatë të jetë i panjollosur nga mëkati. E megjithatë, a nuk iu ngjitën Jezusit dobësitë e natyrës tonë të rënë, e cila edhe se ishte e pa mëkat tek ai, nuk ishin më pak efekte të mëkatit. Ai pati uri – ai pati etje – ai qau – ai u lodh – ai fjeti – ai u lëndua – ai u brengos – ai u frikësua – ai vuajti – ai vdiq. Ndërsa i gjurmojmë këto dobësi të natyrës tonë njerëzore në sipërfaqen transparente të jetës së tij të pastër, sa fort i ndiejmë fjalët – “në shëmbëllim mishi mëkatar”!

Kur e shohim atë të trajtuar si mëkatar nga njeriu, dhe poshtë shkeljeve të popullit të tij – që u trajtua si mëkatar nga Perëndia; nga njerëzit u akuzua si “grykës,” “pijanec,” “shok i tagrambledhësve dhe mëkatarëve,” “mashtrues”, “shtirës,” “blasfemues,” – pastaj u kap, u dënua dhe u ekzekutua si kriminel që nuk meritonte të jetonte; si i mallkuar prej Perëndisë, i ngarkuar me të gjitha mëkatet e kishës së zgjedhur, i plagosur dhe i brengosur, dhe më në fund i braktisur prej Atit në kryq, i numëruar me shkelësit, dhe u shtri në varr bashkë me të ligjtë në vdekjen e tij – oh sa e ngjashme me mishin mëkatar që ishte manteli i përulësisë dhe vuajtjes që veshi Ai! E megjithatë, “Ai ishte pa mëkat.”

Ishte shëmbëllimi dhe jo realiteti i mishit mëkatar. Natyra njerëzore e Birit të Perëndisë ishte aq e lirë nga mëkati sa dhe Hyjnia që banoi në të. Ai ishte “Qengji i panjollë i Perëndisë.” Edhe njolla më e vogël e fajit moral – edhe një hije prishjeje e qenësishme – do kishte qenë fatale për misionin e Tij. Edhe një pikë e vogël në Arkën e lavdishme brenda së cilës ruhej Kisha e Perëndisë do ta kishte fundosur në thellësitë e oqeanit. Oh, kjo është lavdia e veprës së Tij dhe ngushëllimi i zemrave tona, që Krishti Shpëtimari ynë “e ofroi veten të panjollë te Perëndia.” Dhe tani ne mund të mbështetemi tek shlyerja e tij e pamëkat si baza e faljes tonë, dhe si pranimi i popullit tonë. “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” Zoti i bekoftë këto të vërteta për ngushëllimin dhe ndërtimin e shpirtrave tanë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*