9 Nentor – Octavius Winslow

9 Nëntor

“Që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij.” Romakëve 8:29

Asnjë standard më i ulët se ky nuk do të pranohet. Sa qartë që shfaqet urtësia dhe sa e lavdishme që duket mirësia e Perëndisë në këtë gjë – që duke na bërë ne të shenjtë, modeli apo standardi i asaj shenjtërie të jetë Hyjnia vetë! Perëndia do të na bëjë të shenjtë, dhe duke e bërë këtë gjë Ai do të na bëjë si Veten. Por me çfarë penelash të ngjyera në bojërat më të ndezura të qiellit mund ta portretizojmë imazhin e Jezusit? Përsosmëria e Zotit tonë ishte përsosmëria e shenjtërisë. Hyjnia e Tij, shenjtëria e Tij thelbësore; njerëzia e Tij pa mëkat, mishërimi i shenjtërisë; gjithë sa Ai ishte, tha dhe bëri, ishin si rrezet e shenjtërisë që dilnin prej Burimit të pastërtisë thelbësore të cilat shkëlqyen me vezullimin e tyre të pavdekshëm në çdo hap që hodhi Ai. Sa i dashur që ishte karakteri i Tij gjithashtu! Sa të shenjta që ishin mendimet e Tij, sa të pastra ishin fjalët që Ai shqiptoi, sa e përulur që ishte fryma që modeloi, sa të buta dhe të dashura që ishin dhembshuritë e Tij ndaj njerëzve! “Ai dallon ndër dhjetë mijë veta.”

Ky është modeli i besimtarit! Me këtë model ai është paracaktuar që të përshtatet. A nuk është ky paracaktim në formën e tij më të lartë? A do të dukej e mundur që Perëndia të na kishte paracaktuar për një bekim më të madh, të na kishte zgjedhur për një dallim më të larta? Duke na zgjedhur në Krishtin që para themelimit të botës, që ne të jemi të shenjtë, Ai na ka lartësuar në shkallën më të lartë të nderit dhe lumturisë në të cilën mund të lartësohet një krijesë – përputhje me vetë imazhin e Tij moral. Kjo përbën ambicien më të lartë të besimtarit. Të arrijë ato forma të bukura të cilat në një harmoni dhe shprehje tepër të bukur u ndërthurën dhe shkëlqyen në jetën e Jezusit, kjo është përpjekja më e madhe e dishepujve të Tij të vërtetë.

Por në çfarë gjëje konsiston kjo përshtatje? Tipari i parë është një përshtatje në natyrë. Dhe kjo gjë është reciproke. Biri i Perëndisë, përmes një veprimi të pushtetit hyjnor u bë njeri; shenjtorët e Perëndisë përmes një veprimi të hirit sovran bëhen hyjnorë. “Pjesëtarë të natyrës Hyjnore.” Kjo harmoni natyrash formon bazën e gjithë përngjasimit. Kështu, duke qenë se jemi shartuar në Krishtin ne rritemi në Të në të çdo ngjashmëri shenjtërie. Zemërbutësia, shenjtëria, durimi, vetëmohimi, zelli, dashuria, të dallueshme – edhe pse të dobëta dhe të papërsosura – në ne janë modelime të shtatit të patëmetë të Krishtit në shpirtin tonë të ripërtërirë.

Kështu mendja që ishte në Të në një farë mase është në ne. Në konfliktin tonë moral, ndërsa luftojmë me mëkatin, Satanin dhe botë, përjetojmë diçka nga bashkësia në vuajtjet e Tij dhe bëhemi të ngjashëm me vdekjen e Tij. Këtu na jepet një test i karakterit të krishterë. Shumë nga ata që rrëfejnë se janë të krishterë kanë një pyetje që i shqetëson, “Si mund të arrij në një përfundim të saktë se unë jam mes të paracaktuarve të Perëndisë? Që jam i përfshirë në qëllimin e Tij të dashurisë dhe hirit? Që kam pjesë në shpëtimin e Zotit?” Pjesa që po konsiderojmë na e jep përgjigjen – përshtatja me imazhin e Birit të Perëndisë. Asnjë gjë më e vogël se kjo nuk mund ta justifikojë besimin se jemi të shpëtuar. Asnjë provë më pak e fortë se kjo nuk mund ta vërtetojë faktin e paracaktimit tonë. Vendosmëria e Perëndisë për të shpëtuar njerëz nuk është aq e prerë sa t’i shpëtojë ata pavarësisht se cili është karakteri i tyre. Vepra e Krishtit është shpëtim nga mëkati, jo shpëtim në mëkat.

“Sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri.” Me fjalë të tjera, që të përshtatemi me imazhin Hyjnor. Që të jemi si Krishti – si Krishti në natyrën e Tij Hyjnore – si Krishti në pastërtinë e natyrës së Tij njerëzore – si Krishti në përulësinë që Ai tregoi, në vetëmohimin që Ai praktikoi, në jetën hyjnore që Ai jetoi; me një fjalë, në gjithë sa përmbledh kjo fjali plot kuptim – “që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij.” Dhe ndërsa ditë pas dite bëhemi edhe më të shenjtë, me një mendje edhe më frymërore, duke i ngjarë edhe më tepër Jezusit, po e shohim të vërtetën e paracaktimit tonë për jetën e përjetshme nën një dritë edhe më të qartë dhe të më të fortë, dhe si rrjedhim nuk do të kemi asnjë dyshim rreth faktit të shpëtimit tonë.

Nën dritën e kësaj të vërtete, cila është ajo zemër frymërore që nuk do të ofronte lutjen, “O Zot! Nuk mund të jem i kënaqur thjesht duke rrëfyer dhe duke e quajtur veten si i Yti. Dëshiroj më tepër nga fuqia e fesë së gjallë në shpirtin tim. Dëshiroj fort mër imazhin Tënd. Brenga ime më e thellë buron nga zbulimi se sa pak ngjashmëri që kam tani me atë model aq të pashoq dhe aq hyjnor – që tregoj fare pak nga durimi Yt në vuajtje; kaq pak nga zemërbutësia Jote mes kundërshtimeve; kaq pak nga fryma Jote falëse kur më lëndojnë; kaq pak nga butësia jote në qortim; kaq pak palëkundshmëria Jote në tundim; kaq pak nga fokusi Yt në gjithë sa bëj. Oh, Zot, transferoje plotësisht veten Tënde tek unë!”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*