A i shton Darka e Zotit ndonjë gjë veprës shlyese të Krishtit?

Pyetja 47

A i shton Darka e Zotit ndonjë gjë veprës shlyese të Krishtit?

Jo, Krishti vdiq një herë e për gjithmonë. Darka e Zotit është një vakt beslidhjeje që kremton veprën shlyese të Krishtit ashtu siç është gjithashtu një mjet për forcimin e besimit tonë ndërsa shohim drejt tij, si dhe një parashijim i banketit të ardhshëm. Por ata që marrin pjesë në të me zemra të papenduara hanë dhe pinë gjykim për veten e tyre.

Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia.

1 Pjetri 3:18

Komentim

Le ta bëjmë të palëkundshëm në mendjen tonë faktin që Darka e Zotit nuk u dha për të qenë mjet shfajësimi apo kthimi në besim. Nuk u dha kurrë si një mënyrë për të dhënë hir atje ku tashmë nuk ka të tillë, apo për të siguruar falje atje ku falja tashmë nuk është duke u shijuar. Ajo s’ka mundësi të sigurojë atë që mungon atje ku nuk ka pendim ndaj Perëndisë dhe besim ndaj Zotit Jezu Krisht. Kjo është një ceremoni për të penduarin dhe jo për të papenduarin – është për besimtarin dhe jo për jobesimtarin, për të kthyerin dhe jo për të pakthyerin në besim. Ai që nuk është kthyer në besim dhe hamendëson që kështu mund të gjejë një monopat drejt qiellit duke marrë këtë Sakrament, pa shkelur në shtegun e pendimit dhe besimit një ditë do të zbulojë që është krejtësisht i mashtruar. Darka e Zotit u dha me qëllim që të shtojë dhe përforcojë hirin që dikush ka marrë por jo për të dhënë atë hir të cilin tashmë nuk e ka. Sigurisht që nuk ishte dhënë kurrë me qëllim që të siguronte paqen tonë me Perëndinë, të na shfajësonte apo të na kthente në besim. Deklarata më e thjeshtë përfitimit që mund të presë të marrë prej Darkës së Zotit një pjesëmarrës me zemër të vërtetë është rifreskimi dhe forcimi i shpirtit tonë. Pamje më të qartë për Krishtin dhe shpengimin e Tij, vështrime me të qarta për të gjitha ofiqet që Krishti përmbush si Ndërmjetësuesi dhe Avokati ynë, pamje më të qarta të shpengimit të plotë të cilin Krishti e ka siguruar për ne përmes vdekjes së tij zëvendësuese në kryq, pamje më të qarta të pranimit tonë të plotë dhe të përsosur në Krishtin para Perëndisë, arsye të reja për pendim të thellë për mëkatin, arsye të reja për një besim të gjallë, arsye të reja për një jetë të shenjtë, të dorëzuar, dhe në ngjashmëri me Krishtin – këto janë disa prej dobive kryesore të cilat një besimtar mund t’i presë me siguri që t’i marrë përmes pjesëmarrjes në Tryezën e Zotit. Ai që ha bukën dhe pi verën me frymën e duhur do të shohë sesi do të tërhiqet në një përbashkësi edhe më të ngushtë me Krishtin, do të dëshirojë ta njohë Atë me tepër, ta kuptojë Atë më thëllë. Duke ngrënë bukën dhe duke pirë nga kupa, një person i tillë ka për ta thelluar pendimin e tij, besimi i tij do të shtohet, njohuria e tij do të zmadhohet, zakoni i një jete të shenjtë do të forcohet tek ai. Ai ka për të përjetuar edhe më tepër nga “prania reale” e Krishtit në zemrën e tij. Duke e ngrënë atë bukë me besim ai person do të ndjejë një përbashkësi edhe më të afër me trupin e Krishtit. Duke e pirë atë verë me besim, ka për të ndjerë një përbashkësi edhe me të afërt me gjakun e Krishtit. Ai ka për të parë edhe më qartë se çfarë është Krishti për të dhe çfarë është ai për Krishtin. Ai do ta kuptojë në mënyrë edhe më të plotë se çfarë do të thotë të jetë “një me Krishtin, dhe Krishti një me të.” Ky person do ta ndjejë sesi rrënjët e jetës frymërore të shpirtit të tij kanë për t’u ujitur, do të shohë sesi vepra e hirit në zemrën e tij do të themelohet, do të ndërtohet, dhe do të ecë përpara. Të gjitha këto gjëra mund të duken dhe tingëllojnë si marrëzi para njeriut natyror, por për një të Krishterë të vërtetë këto gjëra janë dritë, shëndet, jetë dhe paqe.

Gjon Çarls Rajl (John Charles Ryle, 1816–1900). Peshkopi i parë Anglikan i Liverpulit. Caktimi i Rajlit në këtë detyrë u bë me rekomandimin e Kryeministrit Benjamin Disraeli. Përveçse ishte pastor dhe shkrimtar Rajl ishte edhe sportist për lundrim me rema si dhe luajti kriket për Universitetin e Oksfordit. Ai ishte përgjegjës për ndërtimin e më shumë se dyzetë kishave.

Lutje

O Perëndi i hirshëm dhe i bekuar, “Ti që na formove për Veten Tënde,” që na ke shpenguar përmes gjakut të Birit Tënd të vetëm, ne jemi tërësisht të Tutë. Jemi të vetëdijshëm që “nuk i përkasim vetes, pasi jemi blerë me një çmim, dhe duhet të të përlëvdojmë Ty me trupin dhe shpirtin tonë të cilat gjithashtu të përkasin Ty.” Tani dëshirojmë të ta kushtojmë veten tonë Ty; na merr në praninë tënde intime “që të mos jetojmë më për veten, por për Atë që vdiq dhe u ringjall për ne.” Mos e harrofshim kurrë këtë betim dhe mos u sjellshim qoftë edhe për një moment në një mënyrë që nuk përputhet me të! Sot pohojmë që Ti je Perëndia ynë; ta dorëzojmë veten tonë Ty si populli Yt; dëshirojmë që Ti “të na shenjtërosh plotësisht, që gjithë fryma, shpirti dhe trupi ynë të mund të ruhen të paqortueshëm për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishti.”

Çarls Simeon (Charles Simeon, 1759–1836). Rektor për 49 vjet i Kishës së Trinitetit në Kemrixh. Çarls Simeonit iu ofrua udhëheqja e kishës ndërsa ishte duke u bërë gati për t’u diplomuar nga Universiteti. Në fillim anëtarët e bashkësisë nuk e pëlqyen predikimin e tij duke e ndërprerë shpesh dhe duke i mbyllyer derickat e vogla të radhëve të karrigeve në mënyrë që askush të mos ulej. Simeon njihet më së shumti për 21 volumet e tij Horae Homilecticae (Ora e Predikimit) – një përmbledhje e pasqyrave të zgjeruara të predikimeve nga të 66 librat e Biblës (prej nga është nxjerrë edhe kjo lutje).

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*