Autoriteti dhe natyra e dhuntisë së profecisë

25 Mars 1990, prej John Piper

Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: ”Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës. Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë. Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit. Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet”.

Veprat 2:14-21

Javën e kaluar u përpoqa t’iu tregoja që 1 Korintasve 13:8-12 na mëson se dhuntia e profecisë do të kalojë tutje kur Jezusi të kthehet sërish – ashtu si një imazh i turbullt në pasqyrë do t’ia lërë vendin fytyrës reale. Argumentova që dhuntia e profecisë është ende e vlefshme për kishën sot. Ju premtova që sot do të trajtoj pyetjen: Çfarë është dhuntia e profecisë dhe si ushtrohet ajo?

Mjaftueshmëria dhe Përmbyllja e Shkrimit

Më lejoni të filloj duke afirmuar përmbylljen dhe mjaftueshmërinë e Shkrimit, 66 librave të Biblës. Asnjë gjë nga këto që do të them sot për profecitë nuk do të thotë që ato kanë autoritet mbi jetën tonë ashtu siç ka Shkrimi. Çfarëdo profecish të jepen sot ato nuk i shtojnë asgjë Shkrimit. Ato testohen prej Shkrimit. Shkrimi është i përmbyllur dhe përfundimtar; Shkrimi është themel dhe jo një ndërtesë në ndërtim e sipër.

Mënyra më e mirë për ta parë këtë gjë është të shohim sesi mësimi i apostujve ishte autoriteti përfundimtar në kishën e hershme dhe si profecitë e tjera nuk e kanë këtë autoritet final. Për shembull, Pali thotë tek 1 Korintasve 14:37-38, “Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. Dhe nëse dikush është i paditur, le të jetë i paditur.” Rrjedhoja është e qartë: mësimi i apostujve ka autoritet final. Pretendimet profetike në kishë, atëherë dhe tani nuk e kanë këtë autoritet.

Të njëjtën gjë mund ta shihni tek 2 Thesalonikasve 2:1-3. Pali thotë që edhe nëse dikush pretendon t’iu japë informacion rreth ardhjes së dytë përmes një “fryme” mos u besoni nëse kjo gjë ndryshon nga mësimi im: “Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të, të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit. Askush të mos ju gënjejë kurrsesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia…” Me fjalë të tjera, profecitë duhet të testohen prej fjalës së apostujve.

Ideja është kjo: Sot Dhjata e Re mban pozitën që kishin apostujt. Autoriteti i tyre ushtrohet sot përmes shkrimeve të tyre dhe shkrimeve të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë si Luka, Marku, dhe Jakobi (vëllai i Zotit). Prandaj, në të njëjtën mënyrë Pali e bëri mësimin apostolik autoritetin përfundimtar në atë kohë, prandaj edhe sot ne e trajtojmë mësimin apostolik si autoritetin final. Kjo do të thotë që Dhjata e Re është autoriteti ynë. Përderisa Dhjata e re mbështet Dhjatën e Vjetër si fjalën e frymëzuar të Perëndisë ne e pranojmë gjithë Biblën si rregullin dhe standardin për të vlerësuar gjithë mësimet dhe profecitë për atë se çfarë duhet të besojmë dhe si duhet të jetojmë.

Çfarë ndodhi ditën e Pentekostit?

Tani le t’i kthehemi Veprave 2:16 e në vazhdim. Le të shohim çfarë mund të mësojmë prej Dhjatës së Re në lidhje me dhuntinë e profecisë. Situata ishte e tillë: ishte dita Pentekostit, 50 ditë pas ringjalljes së Jezusit. Ishin 120 burra dhe gra që po prisnin në Jerusalem “të visheshin me pushtet prej së larti” (Luka 24:49). Sipas Veprave 2:2, Fryma e Shenjtë erdhi me tingullin e një ere të furishme. Në vargun 4 Luka thotë, “Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera.” Vargu 11 është më specifik për atë që po thoshin. Disa nga të huajt i dëgjuan dhe thanë, “i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!” Vini re përmbajtjen e fjalëve të tyre me shumë kujdes. Kjo ka për të qenë e rëndësishme për të kuptuar natyrën e dhuntisë së profecisë.

Përmbushja e profecisë së Joelit

Në vargun 16 Pjetri shpjegon çfarë po ndodh. Ai thotë që kjo ishte thënë nga profeti Joel. Ky është fillimi i përmbushjes së Joelit 2:28. Pastaj Pjetri citon nga Joeli 2 në vargjet 17-18, “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.”

Joeli tha që në ditët e fundit do të ndodhte një derdhje e madhe dhe mbarëbotërore (“mbi çdo mish”) e Frymës së Shenjtë, dhe shenja e kësaj derdhjeje do të ishte profetizimi i përhapur kudo: burrat, gratë, pleqtë dhe të rinjtë, shtresat e ulëta dhe shtresat e larta. Joeli thotë që kjo gjë do të ndodhë në “ditët e fundit.” Kur janë këto ditë? Pjetri thotë që kjo gjë po ndodhte në atë kohë. “Kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel.” Por, nëse ditët e fundit filluan në atë kohë, atëherë ku gjendemi ne?

Ditët e fundit

Kjo gjë na vendos edhe ne në ditët e fundit. Qysh kur Jezusi erdhi jemi duke jetuar në ditët e fundit. Hebrenjve 1:2 thotë, “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit…” Qysh kur erdhi Biri, jemi duke jetuar në “ditët e fundit.”

Kjo pra konfirmon atë që pamë javën e kaluar rreth profecisë si diçka që duhet të presim ta përjetojmë në këtë kohë. Burrat dhe gratë, të rinjtë dhe pleqtë, shtresat e larta dhe ato të ulëta do të profetizojnë në ditët e fundit (në ditët tona), dhe ky ka për të qenë një fenomen mbarë botëror për shkak se vargu 17 thotë, Perëndia do të derdhë nga Fryma e Tij mbi ÇDO MISH – jo vetëm mbi Judenjtë. Predikimi i Pjetrit mbyllet tek Veprat 2:39, “Sepse premtimi (i Frymës në vargun 38) është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.” Këtu përfshihemi edhe ne Jo-hebrenjtë që jemi thirrur prej Perëndisë. Jo të gjithë ata që pendohen dhe besojnë do të profetizojnë (1 Korintasve 12:29). Por të gjithë ata që pendohen dhe besojnë do të marrin Frymën e Shenjtë (v.38). Dhe një prej manifestimeve të Frymës në ditët e fundit do të jetë një përhapje mrekullisht e gjerë e dhuntisë së profecisë (v.17-18): “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.”

Me shtysën e Frymës e megjithatë pa ndonjë autoritet hyjnor në vetvete

Bëjini vetes këtë pyetje: A mendonin Joeli, Pjetri dhe Luka që të gjithë burrat dhe gratë – të rinjtë dhe pleqtë, shërbëtorët dhe shërbëtoret – do të bëheshin profetë në të njëjtin kuptim si Moisiu, Isaia, Jeremia dhe profetët e tjerë, domethënë, njerëz që folën me frymëzim verbal dhe me vetë autoritetin e Perëndisë dhe që mundën të shkruanin Shkrimin e pagabueshëm? A është profetizimi i Veprave 2:17 i këtij lloji? Apo mos vallë ka një ndryshim?

Besoj që ka një ndryshim. Nuk mendoj se dhuntia e sotme e profecisë ka autoritetin e profetëve të Dhjatës së Vjetër apo autoritetin e Jezusit dhe apostujve. Apo për ta thënë në mënyrë më pozitive, kjo lloj profecie është e nxitur dhe e mbështetur prej Frymës e megjithatë nuk përmban në vetvete autoritet hyjnor.

Një prej arsyeve pse kjo lloj profecie është e vështirë që të kuptohet sot është për shkak se shumica prej nesh nuk kemi kategori në të menduarit tonë për një deklaratë të nxitur prej Frymës që nuk ka në vetvete autoritet hyjnor. Kjo tingëllon si kontradiktë. E kemi të vështirë të imagjinojmë një lloj të foluri të nxitur dhe të mbështetur prej Frymës së Shenjtë e megjithatë të jetë e gabueshme. Por do të përpiqem t’iu tregoj këtë mëngjes dhe në mbrëmje që kjo është dhuntia e profecisë në Dhjatën e Re dhe në kohën tonë. Është një shpallje e nxitur dhe e mbështetur prej Frymës që në vetvete nuk ka autoritet hyjnor dhe mund të jetë e përzierë me gabim.

Nëse kjo e bën dhuntinë e profecisë të duket e parëndësishme dhe e padobishme, konsideroni analogjinë e dhuntisë së mësimdhënies.

Analogjia e dhuntisë së mësimdhënies

A do të thoshit që kur ushtrohet dhuntia e mësimdhënies, ky mësim është nxitur dhe mbështetur prej Frymës dhe është i rrënjosur në zbulesën hyjnore të pagabueshme, domethënë në Bibël? Dhuntia e mësimdhënies është shpjegimi i së vërtetës biblike i nxitur dhe mbështetur prej Frymës për ndërtimin e kishës. Të gjithë ne do të thoshim që kjo është jashtëzakonisht e vlefshme në jetën e kishës. Por a do të thoshte ndonjë nga ne që fjalimi i mësuesit, kur është duke ushtruar dhuntinë e mësimit është i pagabueshëm? Jo. A do të thoshim që kjo gjë ka autoritet hyjnor? Do ta thoshim këtë vetëm në një kuptim dytësor. Jo në vetvete, jo në mënyrë të qenësishme, por në burimin e vet, dhe ky është Bibla.

Si është e mundur që një dhunti e nxitur dhe mbështetur prej Frymës, e rrënjosur në zbulesën e pagabueshme (Bibla) të jetë e gabueshme, e përzierë me pa-përsosmëri, dhe të ketë vetëm një autoritet dytësor dhe të prejardhur? Përgjigja është kjo: Perceptimi një mësuesi për të vërtetën biblike është i gabueshëm: analiza e të vërtetës biblike prej tij është e gabueshme; shpjegimi i të vërtetës biblike prej tij është i gabueshëm. Nuk ka garanci që lidhja mes Biblës së pagabueshme dhe kishës ka për të qenë e pagabueshme. Dhuntia e mësimit nuk garanton që do të japim një mësim të pagabueshëm.

Megjithatë, edhe pse dhuntia e mësimit është e gabueshme, edhe pse i mungon autoriteti i qenësishëm hyjnor, ne e dimë që kjo dhunti ka një vlerë të jashtëzakonshme për kishën. Ne të gjithë ndërtohemi dhe rritemi në besim prej mësuesve me dhunti mësimdhënieje. Perëndia është duke punuar përmes tyre. Ai e përdor këtë dhunti. Kjo është një dhunti frymërore.

Tani krahasojeni këtë gjë me dhuntinë e profecisë. Profecia nxitet dhe mbështetet prej Frymës si dhe bazohet tek një zbulesë prej Perëndisë. Perëndia i zbulon diçka mendjes së profetit (në një farë mënyre përtej perceptimit të zakonshëm njerëzor), dhe përderisa Perëndia nuk bën kurrë gabime, e dimë që kjo zbulesë është e vërtetë. Ajo nuk përmban gabime. Por dhuntia e profecisë nuk garanton përcjelljen e pagabueshme të asaj zbulese. Profeti mund ta perceptojë zbulesën në një mënyrë të papërsosur, ai mund të mos e kuptojë në mënyrë të përsosur, dhe mund ta përcjellë në mënyrë të papërsosur. Kjo është arsyeja pse Pali thotë që ne shohim turbull si në pasqyrë (1 Korintasve 13:12). Dhuntia e profecisë rezulton në profeci të gabueshme ashtu si ashtu dhuntia e mësimdhënies rezulton në mësim të gabueshëm. Prandaj dua t’iu pyes, “Nëse mësimdhënia mund të jetë e mirë për ndërtimin e kishës, a nuk mund të jetë edhe profecia, ashtu siç thotë dhe Pali se është (1 Korintasve 14:3, 12, 26) – edhe pse të dyja janë të gabueshme, të përziera me pa-përsosmëri njerëzore dhe është e nevojshme që të testohen?

Krijimi i një kategorie të re në mendjen tonë

Ideja e asaj që kam qenë duke thënë është kjo: ne kemi nevojë të krijojmë një kategori në mendimin tonë për një lloj të foluri që është nxitur dhe mbështetur prej Frymës, është rrënjosur tek zbulesa, e megjithatë duhet që të testohet dhe shoshitet. Kemi nevojë për një kategori tjetër për profetë përveç profetit të vërtetë nga njëra anë, i cili foli në mënyrë të pagabueshme, me frymëzim verbal (si autorët profetikë biblikë, Jezusi dhe apostujt), dhe profetit të rremë nga ana tjetër, i cili dënohet tek Ligji i Përtërirë 13:3, 18:20 (krahaso me Jeremia 23:16). Mësimi që gjejmë në Bibël rreth profecisë thjesht nuk mbulohet vetëm prej këtyre dy kategorive. Kemi nevojë për një kategori të tretë për “dhuntinë frymërore të profecisë” – të nxitur dhe të mbështetur prej Frymës, të rrënjosur tek zbulesa, por të përzierë me pa-përsosmëritë njerëzore dhe të gabueshme, prandaj duhet që të shoshiten.

Them që duhet të shoshitet apo shqyrtohen pasi tek 1 Thesalonikasve 5:19-20 kjo është ajo që ndodh. Në këtë rast nuk po testohet profeti nëse është i vërtetë apo i rremë. Këtu po shoshiten profecitë për atë që është e mirë dhe atë që është e keqe. “Mos e shuani Frymën. Mos i përbuzni profecitë. Provoni të gjitha, mbani të mirën. Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.” Kjo nuk është një situatë ose kështu/ose ashtu ku keni një profet të vërtetë dhe të pagabueshëm apo një profet të rremë dhe mendjemadh. Kjo është një situatë në të cilën një pjesë e profecisë është e mirë dhe një pjesë jo.

Pali thotë që nëse e përbuzim profecinë për shkak të pa-përsosmërisë së saj e shuajmë Frymën. Shpresoj që këtë gjë të dëshironi ta evitoni me gjithë zemrën tuaj. Si ta bëjmë këtë gjë? Ka shumë më tepër për të thënë. Këtu do të vazhdojmë në mbrëmje, do të japim arsye shtesë dhe rrjedhoja praktike. Na mësoftë vetë Zoti edhe këtë pasdite.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*