Çfarë është pagabueshmëria e Biblës?

nga John Piper

Pastor John, çfarë është pagabueshmëria biblike në formën e saj më thjeshtë?

Përpara se të jap përkufizimin e pagabueshmërisë, më lejoni t’ju jap sfondin apo rrënjët e faktit se përse mund ta bëni një pyetje të tillë. 66 librat e kanonit të krishterë janë ato për të cilat jam duke folur kur them Shkrimi apo Bibla. Ne besojmë që ato janë të frymëzuara prej Perëndisë, 2 Timoteu 3:16, “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi” apo për ta thënë në një mënyrë tjetër 2 Pjetri 1:21, “Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.”

Arsyeja pse diskutohet pagabueshmëria është për shkak se ne pretendojmë që ky libër është vetë Fjala e Perëndisë. Qendra e zbulesës së Perëndisë është Jezusi. Ai quhet Fjala e mishëruar e Perëndisë. Ai tha që Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë. Ai tha, “qielli dhe toka do të kalojnë por asnjë pikë apo presje e ligjit nuk ka për të kaluar derisa të potësohet gjithçka. Pranda, Fjala e mishëruar e Perëndisë e vërteton Fjalën e shkruar të Perëndisë. Fjala e mishëruar e Perëndisë e vërteton Fjalën e shkruar të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe pastaj Ai i dërgoi apostujt ta flisnin Fjalën e tij si themelin e Kishë dhe u premtoi që kur Fryma e së vërtetës të vijë Ai do t’i udhëheqë në gjithë të vërtetën. Prandaj Jezusi qëndron në qendër si Fjala e mishëruar dhe kur sheh pas Ai e vërteton Fjalën e shkruar të Perëndisë, Ai sheh përpara dhe e vërteton Fjalën e shkruar të Perëndisë dhe apostujt e pranuan si të tillë sepse thanë gjëra të mahnitshme për autoritetin e tyre.

Për shembull, Pali tha tek 1 Korintasve 14:37, “Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. Nëse dikush nuk e njeh këtë as ai nuk është i njohur.” Kjo është e pabesueshme. E vetmja arsye pse ai ka të drejtë ta thotë këtë gjë është për shkak se ai thotë: Ne po ju mësojmë me fjalë jo të thëna nga njerëzit por nga Fryma e Shenjtë për shkak se Jezusi premtoi që unë do t’i udhëzoj apostujt e mi në gjithë të vërtetën.

Kjo pra është arsyeja pse diskutohet çështja e pagabueshmërisë. Përpara nesh kemi një libër që pretendon të jetë Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Dhe përderisa Perëndia nuk gënjen dhe nuk bën gabime ne themi që Bibla nuk gënjen dhe nuk bën gabime. Prandaj, çfarë do të thotë gabim? Ne do përdorim fjalën e pagabueshme. Meqë ra fjala, nuk jam një prej tipave të fiksuar në përdorimin e fjalës pagabueshmëri përkundrejt pagabimësi apo vërtetësi. Sipas mendimit tim, nëse i thua një personi normal që Bibla është plotësisht dhe tërësisht e vërtetë, që Bibla është plotësisht dhe tërësisht e pagabueshme, që Bibla është plotësisht dhe tërësisht e pagabimtë, ai person nuk do të dallojë asnjë ndryshim. As unë nuk dalloj ndonjë ndryshim. Prandaj, nuk më pëlqen kur njerëzit grinden për këto terma. Mendoj që është mirë t’i përdorim të gjitha.

Për të kuptuar fjalën e pagabueshme, apo pa gabim, duhet të përkufizojmë gabimin. Çfarë është ajo që nuk gjendet në këtë libër? Çfarë është gabimi. Gabimin duhet ta përkufizojmë sipas qëllimit të autorit. Në Bibël, përderisa kemi Perëndinë që e frymëzon këtë libër, kemi të bëjmë me qëllimin e Perëndisë që përcillet përmes qëllimit të autorëve njerëzorë dhe që shkon përtej tyre, do thosha që gjithmonë shkon përtej tyre, për shkak se Ai i sheh të gjitha rrjedhojat e panumërta dhe të domosdoshme të asaj që ata nuk mund ta shohin. Në kuptim apo qëllim unë përfshij edhe rrjedhojat e domosdoshme… ajo që thotë autori, një pjesë të së cilës e sheh dhe një pjesë jo por Perëndia mund të shohë gjithçka. Prandaj, kur mendoj për qëllimin e autorit po mendoj për gjithë sa autori njerëzor kishte për qëllim të mësonte dhe gjithë sa Perëndia kishte për qëllim të mësonte gjë e cila në rrjedhojat e veta është gjithmonë më e madhe se ajo që mund të shohin njerëzit tek ajo që Perëndia i frymëzoi të shkruanin.

Aryseja pse qëllimi është thelbësor është për shkak se ka lloj-lloj mënyrash që i themi gjërat dhe që mund të shihen si gabim por në fakt nuk janë gabim nëse njerëzit nuk i kushtojnë vëmendjen qëllimit tonë. Unë mund të them, Toni, më frikësove për vdekje nga mënyra sesi hyre në dhomë. Ju nuk do të më thoshit: je një gënjeshtar që nuk e ke shokun. Je gënjeshtar apo i marrë për shkak se je ende duke marrë frymë. Nuk do ta bënit sepse do ta dinit që kjo është një mënyrë e të shprehurit për të thënë që më frikësove shumë. Nuk do grindeshit për faktin që nuk kam vdekur. Nuk do thoshit: gabim, gabim. Prandaj, duhet të jemi të vetëdijshëm për gjëra të tilla në Bibël. Çfarë donte të thoshte autori apo çfarë kishte për qëllim të thoshte?

Një shembull tjetër do ishte nga libri i Jobit. Në këtë libër gjejmë 29 kapituj teologjie të gabuar. Jobi përfshin fjali plot me gabime në librin e tij të pagabueshëm. Këshillat e Elifazit, Bildadit dhe Zofarit janë këshilla të këqija. Jobi po tregon historinë duke përfshirë edhe këshillat e këqija. Prandaj, ajo që duhet të bëni është të thoni: Në çfarë kuptimi është libri i Jobit i pagabueshëm? Libri i Jobit është i pagabueshëm jo për shkak se nuk përfshin fjali pa mend nga Elifazi por për shkak se Jobi është shkruar në mënyrë të tillë saqë e dimë që janë fjalë pa mend dhe të gabuara, kështu ai po thekson një pikë të vërtetë duke vënë në pah falsitetin e teologjisë së keqe në librin e tij. Kështu funksionon literatura. Kështu flasim. Jemi të pagabueshëm kur gjëja që po japim mësim është e vërtetë dhe jo false.

Prandaj, kur them që Bibla është e pagabueshme po them që autorët biblikë duke patur Perëndinë si udhëzuesin e tyre nuk mësojnë asgjë false dhe nuk urdhërojnë ndonjë gjë si vullnetin e Perëndisë e cila të mos jetë e pëlqyshme para Tij. Apo për ta thënë në një mënyrë tjetër, ajo që autorët kanë për qëllim që ne të kuptojmë me mendjent tonë dhe t’i bindemi në jetën tonë… ta filloj edhe një herë. Ajo që autorët kishin për qëllim që të kuptojmë dhe t’i bindemi e kuptuar si duhet në kontekstin e saj të ngushtë dhe të gjerë është e vërtetë. Nuk është çorientuese. Nuk është false. Ajo korrespondon me mënyrën sesi janë gjërat në realitet. Ajo kërkon sjellje dhe qëndrime që janë vërtet vullneti i Perëndisë.

Prandja, le ta mbyllim duke thënë që e dua shumë këtë të vërtetë, për shkak se e dua Biblën, për shkak se e dua Perëndinë. Perëndia, Fjala, e pagabueshme, për mua janë në një vazhdimësi. Nuk mund të heq ndonjë gjë prej saj dhe të ndihem se e kam trajtuar Perëndinë, Fjalën e Tij apo të vërtetën në mënyrë nderuese. Nga historia dhe nga përjetimi im është pothuaj e pamundur ta ekzagjerosh rëndësinë e të vërtetës së Biblës. Ne njerëzit nuk jemi në gjëndje të zbulojmë atë që duhet ta dimë në mënyrë absolute. Ne nuk mund ta mposhtim dot mëkatin. Nuk mund t’i shpëtojmë dot zemërimit të Perëndisë. Nuk mund të bëhemi dot krijesa të reja. Nuk mund të ecim dot në një mënyrë që i pëlqen Zotit. Peëndia duhet të na i zbulojë këto gjëra ndryshe do të humbasim. Këtë Ai e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë përmes fjalës së shkruar, Biblës. Kur një person e ka kuptuar atë që na mëson Bibla ai ka kuptuar zbulesën e Perëndisë në mënyrë të pagabueshme, të drejtpërdrejtë dhe pa gabime.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*