Gjashtë mënyra të zakonshme sesi predikuesit e çnderojnë Fjalën e Perëndisë

nga Pastor John Piper

Reformimi Protestant ishte ripërtëritje e predikimit, e megjithatë tani pas pesëqind vjetësh ka mënyra sesi predikuesit protestantë pa dashur dështojnë ta nderojnë Biblën në predikim. Dhe kjo na sjell tek pyetja e sotme nga një udhëheqës kishe anonim, “Pastor John, unë jam pjesë e stafit në një kishë, dhe gjatë muajve të fundit kam vënë re një prirje në predikimin e pastorit. Më lër të them së pari që asnjë gjë që ka thënë nuk do të konsiderohej kurrë e gabuar. Ai përdor pika nga temat e mëdha të Shkrimit në predikimet e tij. E thënë qartë, ai predikon të vërtetën, por ato pika rrallë herë dalin nga teksti i predikimit që ai lexon në fillim të mesazhit të tij. A është ky problem? Çfarë rrezikohet? A është ky një fenomen i zakonshëm apo një anomali?”

Si përmbledhje, përgjigja ndaj këtyre tri pyetjeve është (1) po, është problem, (2) tragjikisht kjo gjë ndodh tepër shpesh, dhe (3) ajo që rrezikohet janë të paktën gjashtë gjëra.

Teksti flet
Së pari, predikimi që nuk u tregon njerëzve kuptimin e tekstit dhe cilat janë rrjedhojat për jetën tonë dështon në nderimin e natyrës së tekstit si zbulesa e lavdishme e Perëndisë për atë që kemi nevojë të dimë dhe për mënyrën sesi kjo lidhet me jetën tonë.

Ky është dështimi për ta nderuar tekstin, dhe pastori po dështon në nderimin e njerëzve në bashkësi të cilëve duhet t’u tregohet përmes predikimit sesi ata vetë mund trë shohin të vërtetën e lavdishme nga teksti e cila është e vlefshme për jetën e tyre.

Pali tha tek Efesianëve 3:4, “Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit.” Predikimi që shpall frytin e leximit – që sheh misterin e Krishtit në tekst dhe i ndihmon të tjerët ta shohin – është predikimi real. Predikimi është shpallja e frytit të leximit që e sheh misterin e Krishtit në tekst dhe i ndihmon njerëzit e tjerë ta shohin ashtu si e shohim edhe ne.

Pastorët që nuk predikojnë në këtë mënyrë po ju shpëton përjetimi rrëqethës i të qenit instrument në duart e Perëndisë për t’i ndihmuar njerëzit që në fakt të shohin vetë lavditë e mistereve të Krishtit dhe vlerën e tyre për jetën.

Një shenjë e pashëndetshme
Së dyti, predikuesit që nuk ngazëllohen për shtjellimin e asaj që kanë parë në tekstet biblike po japin dëshmi për (1) përtacinë e tyre për shkak se nuk kanë kaluar kohë që ta shohin këtë gjë, (2) për plogështinë e tyre për shkak se nuk janë në gjendje ta shohin, ose (3) për paaftësitë e tyre emocionale për shkak se e shohin dhe nuk mund të ndiejnë ndonjë gjë të veçantë rreth kësaj. Prandaj, pse të flasin për këtë gjë?

Ata do të do të shpikin gjëra për të cilat kanë ndjenja të veçanta. Kjo nuk është diçka për të cilën duhet të jemi krenarë. Kjo nuk është shenjë krijimtarie.

Këto janë dobësi që duhen korrigjuar dhe mposhtur. Duhet të lutemi me zell për pastorët tanë në mënyrë që përtacia, plogështia apo paaftësitë emocionale të mposhten. Me fjalë të tjera, kjo jo vetëm që është e pashëndetshme për kishën por është dhe një shenjë jashtëzakonisht e pashëndetshme për pastorin.

Kush ka autoritet?
Së treti, të predikosh duke përcjellë pika që qëndrojnë pezull mbi tekstin dhe nuk janë dukshëm të rrënjosura në tekst e zbeh autoritetin e pjesës dhe të mesazhit. Të rrënjosura qartë apo të rrënjosura dukshëm është fraza kyçe. I vetmi autoritet që ka pastori vjen prej përcjelljes besnike të fjalës së Perëndisë prej tij. Nuk vjen nga ai vetë.

Kjo është e rëndësishme. Kësaj kushtojini vëmendje. Sa më të vështirë ta kenë njerëzit për t’i dalluar pikat e predikimit të pastorit në tekst, aq më pakë garanci kanë për t’i besuar asaj që ai po u thotë. Teksti është ai që ka autoritetin final, autoritetin vendimtar. Nëse ata nuk mund ta shohin në tekst atë që pastori po thotë, nuk kanë asnjë garanci pse duhet t’i besojnë atij.

Situata mund të jetë edhe më keq. Pastori në fakt mund të dëshirojë ta zhvendosë autoritetin nga teksti tek vetja dhe kështu të zgjerojë pushtetin e tij personal. Atëherë askush nuk mund të bëjë pyetje për shkak se ai e ka zhvendosur autoritetin nga fjala, të cilën mund ta hapin të gjithë, tek vetja e tij, gjë të cilën askush nuk mund ta vërë në dyshim.

Sa shumë e dua udhëheqjen e rrënjosur në dhomën e këshillit dhe në podium kur pastori thotë, “Nuk jam unë autoriteti vendimtar dhe përfundimtar. Kushdo që mund ta shohë fjalën më qartë se unë mund të më korrigjojë.”

Valë doktrine
Së katërti, pastori që predikon duke theksuar pika që nuk duken qartë në tekst po i përgatit njerëzit e tij për dezertime biblike dhe doktrinore në ditët në vazhdim.

Nëse njerëzit mësohen t’i bëjnë gjykimet e tyre biblike dhe doktrinore për atë që është e vërtetë, e drejtë dhe e bukur mbi deklaratat e një njeriu në vend që të bazohen tek ajo që shohin në Shkrim, të njëjtët njerëz – sikurse thotë Efesianëve 4:14 – do të largohen tutje nga çdo erë doktrine që fryn në kulturën tonë.

Shenjtorë të shpëlarë
Së pesti, për ta thënë ndryshe por pothuaj njëlloj si tek pika e katërt, pastori që predikon pa e tërhequr vëmendjen tek hollësitë e fjalëve të tekstit si garanci për pikat e predikimit të tij do t’i trajnojë njerëzit të tregohen të shkujdesur dhe të pavëmendshëm ndaj veçantive të pretendimeve morale dhe frymërore të Shkrimit në jetën tonë.

Kjo prodhon njerëz (e kam parë vetë) të cilët janë të shkujdesur në gjykimet e tyre morale. Ata janë mësuar me paqartësi dhe përgjithësime. Përgjithësimet dhe paqartësia rreth çështjeve të vështira morale prodhon shenjtorë të shpëlarë të cilët nuk kanë shtyllë kurrizore dhe bindje të qarta për të qëndruar të palëkundur rreth mësimeve specifike të Shkrimit në lidhje me çështjet e debatueshme.

Gëzimi i Jezusit
Së fundi dhe së gjashti, ky lloj predikimi që i përcjell pikat e veta pa ndonjë garanci të qartë nga fjalët specifike të tekstit i privon njerëzit nga një lloj gëzimi që Jezusi synon që ata ta kenë kur thotë tek Gjoni 15:11, “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”

Teksti nuk do të thotë që gëzimi hyjnor dhe i pakrahasueshëm në zemrën e Jezu Krishtit do të bëhet gëzimi ynë për shkak të komenteve interesante të pastorit rreth gjërave të rëndësishme në botë të cilat nuk janë shprehje të dukshme të qëllimit të Jezusit kur ai foli. Fjalët e Jezusit me kuptimin e tij do të na përcjellin gëzimin e tij.

Po, shumë gjëra vihen në rrezik kur pastori e ndërton mesazhin e tij rregullisht me pika që nuk janë qartësisht nga fjalët reale dhe nga synimet e tekstit biblik.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*