Dhembshuri Atërore

nga John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.” — Psalmi 103:13-14

Cilat janë ato ndjenja mbi tokë të cilat mund të krahasohen në thellësi dhe intensitet me lidhjen që ekziston mes prindit dhe fëmijës së tij? Mos vallë një anëtari të familjes së tij i është bërë një padrejtësi? Shumë burra do t’i nënshtroheshin vullnetarisht lëndimit dhe talljes së pamerituar – do të duronin në heshtje gjuhën shpifjes dhe gënjeshtrës, do të pranonin në heshtje shiqetat e ligësisë – por nuk mund të rrinë dot kaq të palëvizshëm kur ky lloj ofendimi apo kjo damkosje i kanoset fëmijës së tij.

A e sheh prindi fëmijën të vuajë? Ai vetë do ta duronte dhimbjen me një qëndrim të përmbajtur; por kur sheh që një sëmundje torturuese dhe lënguese ia ka hedhur kthetrat fëmijës së tij të vogël dhe po ia tret shkëlqimin e syve – ai prind fiton një shpirt të çeliktë; me shumë dëshirë do të rrezikojë edhe jetën e vet – nëse do të vihej në rrezik jeta e fëmijës së tij. Shumë etër kanë qëndruar buzë një varri të parakohshëm dhe mes lotëve të vajtimit kanë shqiptuar fjalët, “Do doja të kisha vdekur unë në vendin tënd!”

Dallo edhe ti o besimtar në mendimet e dashura dhe mëshiruese; në veprat e buta dhe të mëshirës së prindërve tokësore – një tablo dhe simbol të mendimeve dhe dashurisë së Perëndisë për ty! Sa më tepër identifikohet Ai me vuajtjet dhe padrejtësitë që u bëhen fëmijëve të Tij. Nëse i lëndojnë ata – lëndojnë Atë! Ai që i prek ata – prek beben e syrit të Tij. Ai thotë sikurse i tha Davidi Abiatharit, “Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt.”

Kur dhe ku fillon kjo dashuri mëshiruese e Perëndisë? “Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe pati dhembshuri.” Mendimet e dhembshura të Perëndisë ishin fiksuar mbi ne – kur ne nuk kishim qoftë edhe një mendim dhembshurie për veten tonë. Tamam në këtë moment Ai pati dhembshuri për ne – në dobësinë tonë, në brengat tona, në tundimet tona, në vështirësitë tona, në dyshimet tona. Të rrallë janë ata etër tokësore që mund të bëjnë lëshime ndaj dobësisë dhe mangësive të pasardhësve të tyre. Por nuk është kështu me Atin tonë qiellor. “Ai i di që ne jemi veçse pluhur.” Kur Jobi ishte fort i ngatërruar dhe i rrëzuar nga reflektimet e hidhura të kundërshtarëve të tij, ja se cili ishte ngushëllimi i tij, “Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë.”

Shikoni sesi të njëjtat mendime dashurie mëshiruese, sikurse dredhka që mbahet pas rrënojave, këto mendime janë fiksuar edhe rreth fëmijevë të Tij që kanë dalë nga rruga, “A është, pra, Efraimi një bir i dashur për mua, një bir i kënaqësive të mia? Në fakt, megjithëse kam folur kundër tij, e kujtoj akoma fort. Prandaj të përbrendshmet e mia mallëngjehen për të dhe me siguri do të kem mëshirë për të.” Oh çfarë sigurie e bekuar, kjo Qenie madhështore më do mua, më mëshiron – më mëshiron dhe më do edhe në mes të harresës time të mjerë dhe bredhjeve të mia mosmirënjohëse – vazhdon të më quajë “bir të kënaqësive” të Tij. Tek Ai kam një dashuri në të cilën kombinohen të gjitha, atësia, vëllazëria, dhe motëria!

Çohu dhe shko tek Ati yt! Ai po të pret dhe është i gatshëm të të pranojë në përqafimin e Tij. Në një pjesë tjetër e cila në mënyrë prekëse përshkruan mendimet e Tij (mendimet e Tij të dashura dhe atërore) në veprim, Ai pyet, “Me çfarë dëshire do të të vendosja midis bijve të mi?” Plani i shpëtimit të Ungjillit i është përgjigjur asaj pyetjeje – e ka zgjidhur problemin Hyjnor të dashurisë atërore. Jezusi ka hapur një udhë për të hyrë në shtëpinë qiellore – dhe na ka bërë trashëgimtarë të të gjitha këtyre mendimeve të çmuara të zemrës së Atit! Të ulur poshtë kryqit të Kalvarit – mund të shpërthejmë në klithma mirënjohjeje, “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë.”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*