Ftesa e Hirshme – John MacDuff

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.” ‭‭Mateu‬ ‭11:28‬

“Fjalë” e hirshme nga një Shpëtimtar i hirshëm, mbi të cilën shpirti mund të mbështetet me siguri dhe të ketë paqe përgjithmonë! Kjo është një prehje e tanishme – është prehja e hirit ashtu si edhe prehja e lavdisë. Këto jo vetëm që janë sinjale paqeje të varura mbi murret e qiellit – dritat e Shtëpisë që xixëllojnë në largësi për të na inkurajuar hapat tanë; por ne kemi edhe “hijen” e këtij “Shkëmbi madhështor!” në “shkretëtirën” e tanishme. Vetëm përpara Fronit ekziston një “det qelqi,” i cili nuk ka as edhe një valëzim; por edhe mbi tokë ekziston një qiell për ata që janë hedhur andej-këndej nga stuhitë – “Ne që besuam hyjmë në prehjen e tij.”

Lexues, a e ke gjetur këtë prehje të bekuar në gjakun dhe veprën e Emanuelit? Ke shumë kohë që po endesh “duke kërkuar prehje dhe duke mos e gjetur,” a nuk të tingëllojë kjo “fjalë” si melodi e ëmbël në veshët e tu – “Ejani tek Unë”? ~do paqe tjetër është falsifikim, hije, e rreme. Shqiponja e përbuz kafazin e zbukuruar si një zëvendësiim të dobët për fluturimin e saj të lirë në qiell. Aspiratat e pavdekshme të shpirtit nuk mund të kënaqen me asgjë tjetër përveç zotërimit të favorit të Perëndisë dhe dashurisë së Jezusit.

Sa e pakufizuar që është kjo ftesë! Nëse do të kishte qoftë edhe një kusht të vetëm për të hyrë në Arkë, do të kishim mbetur për gjithë përjetësinë në mëshirën e stuhisë. Por që të gjithë janë ftuar dhe garantuar dhe nuk ka asnjë që të jetë ftuar apo garantuar më tepër se të tjerët. Për të dobëtit, për të këputurit, për ata që janë ngarkuar me mëkat dhe pikëllim ekziston një derë e hapur e hirit.

Prandaj, kthehu në prehjen tënde o shpirti im! Lëre melodinë e ëmbël të kësaj “fjale të Jezusit” të të forcojë në mes të trazimit të botës. I strehuar në Të, je i sigurt për kohën dhe përjetësinë! Mund të ketë dhe do të ketë lëkundje të përkohshme, frikëra dhe dyshime – të cilat janë manifestime të një prishjeje të brendshme; por ekziston një qetësi e thellë dhe e palëkundur. “Ti do ta mbash në paqe të përsosur” (fjalë për fjalë paqe, paqe) “mendjen që pushon tek Ti.” Në botë ka shqetësim mbi shqetësim, telash mbi telash, mëkat mbi mëkat, por çdo valë që përplaset mbi shpirtin e besimtarit duket sikur i pëshpërit ëmbëlsisht, “Paqe, paqe!”

Nëse parashijimi i kësaj prehjeje është kaq gjë e çmuar, si do të jetë vallë përmbushja e saj e lavdishme? Kur të zgjohesh në agimin e pavdekësisë, kur të ketë marrë fund ëndërra e trazuar e tokës – kur besimi të kthehet në shikim dhe kur shpresa të përmbushet – kur nuk do kesh më prirje drejt mëkatit – kur nuk do të kesh më parime të fshehura ligësie – kur nuk do ketë asnjë gjë që do ta trazojë qetësinë e thellë dhe të përjetshme të shpirtit tënd – kur gjilpëra magnetike e zemrës nuk do të vazhdojë të dridhet por do të fokusohet tek i vetmi vend ku do të gjejë prehje të përhershme dhe të sigurt, në të kënaqurit me Perëndinë e Pafundmë. “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua.”


“The Words of Jesus” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*