Fuqia e lutjes – John MacDuff

“Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.” ‭‭Gjoni‬ ‭14:13‬

Jezus i Bekuar, Ti je Ai që i ke hapur dyert e lutjes për njerëzit e tu. Pa Ty ata do të kishin mbetur jashtë përgjithmonë. Ishte merita jote shlyese e cila i hapi ato dyer; është vepra jote ndërmjetëse në qiell që i mban ende të hapura.

Sa i pakufizuar është premtimi – “Çfarëdo që të kërkoni!” Kjo është e gjithë garancia që kërkon mëkatari nevojtar – është gjithë sa mund të japë një Shpëtimtar i Gjithëpushtetshëm! Si Administratori i madh i mistereve të hirit, Ai duket se u thotë shërbëtorëve të Tij, “Merre faturën tënde, ja ku është firma ime poshtë saj, prandaj shkruaj çfarë të dëshirosh.” Dhe kur banka është mbushur plot Ai e miraton çdo kërkesë me fjalët “UNë DO ta bëj!”

Për më tepër Ai na inkurajon të kërkojmë “në emrin e Tij.” Në rastin e një përgjëruesi tokësor ka disa përgjërime që kanë më tepër ndikim në marrjen e një të mire nga të tjerët. Jezusi flet për këtë si çelësi për tek zemra e Perëndisë. Ashtu sikurse Davidi e donte sakatin e mjerë nga shtëpia e Saulit “për hir të Jonatanit,” po kështu edhe Ati, për shkak të marrëdhënies tonë të besëlidhjes me Jonatanin e vërtetë (fjalë për fjalë “dhurata e Perëndisë”), kënaqet të na japë madje “jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë.”

Lexues, a e njeh bekimin e të besuarit të çdo nevoje dhe shqetësimi që ke – e dorëzimit të çdo pikëllimi dhe çdo kryqi – tek veshi i Shpëtimtarit? Ai është “Këshilltari i Admirueshëm.” Me një simpati jashtëzakonisht të butë Ai mund të hyjë edhe në thellësitë më të brendshme të nevojës tënde. Ajo nevojë mund të jetë e madhe, por krahët e përjetshëm janë poshtë gjithçkaje. Mendo për Atë tani, në këtë moment – mendo për Engjëllin e madh të Besëlidhjes, i cili e ka mbushur temjanicën plot me temjan dhe në të cilën janë vendosur edhe aspiratat e tua më të dobëta, edhe psherëtimat e tua më të thella – reja aromatike po ngrihet me pranim përpara fronit të Atit. Përgjigja mund të vonojë – mund të duket sikur përgjërimet e tua po vonojnë të marrin përgjigje, duke qëndruar pezull rreth pajtuesit. Një Perëndi i hirshëm nganjëherë e sheh si të përshtatshme që ta sprovojë kështu besimin dhe durimin e njerëzve të Tij. Ai kënaqet ta dëgjojë muzikën e përgjërimeve të tyre këmbëngulëse – t’i shohë të palëkundur në vështirësi – të pashkurajuar nga neglizhimi dhe harresa në dukje. Por më në fund Ai do të vijë – më në fund burimi i tejmbushur i dashurisë dhe mëshirës do të shpërthejë – fjalët qetësuese do të dëgjohen në kohën e duhur, “U bëftë sipas fjalës tënde!”

Ushtarë të Krishtit me gjithë armatimin tuaj mos harroni “Çdo lutje.” Kjo është ajo që e mban “gjithë armatimin e Perëndisë” të ndritur dhe të shkëlqyer. Nërse je ende në natën e një bote të errët – ndërsa gjendesh ende në tokën e armikut – ndizi zjarret e tua të vigjilencës tek altari i temjanit. Duhet të jesh si Moisiu duke u përgjëruar mbi Mal, nëse dëshiron të jesh Jozueu fitimtar në betejën e përditshme të botës. Besoja kauzën tënde këtij Shpengimtari që të pret. Nuk mund ta lodhësh dot Atë me këmbënguljen tënde. Ai kënaqet të dëgjojë. Ati i tij përlëvdohet duke dhënë. Fjalët e famshme të Betanisë mbeten të pandryshueshme dhe të pamposhtura – “E di që më dëgjon gjithmonë.” Ai është ende “Princi që ka pushtet me Perëndinë dhe fiton” – ende premton dhe përgjërohet – ende jeton dhe tregon dashuri!

“Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.”


“The Words of Jesus”” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*