Hiri – Nota dominuese e Krishtlindjes!

25 Dhjetor

prej John Piper

Hiri – Nota dominuese e Krishtlindjes!

Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.

Gjoni 6:51

Në ungjillin sipas Gjonit nuk ka një histori tradicionale Krishtlindjeje për lindjen e Jezusit. E mbani mend sesi fillon ungjilli sipas Gjonit: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1). Në vend që ta vendoste historinë e Krishtlindjes në fillim me shpjegimin e vet, Gjoni e ndërthur historinë e Krishtlindjes me qëllimin e Krishtlindjes përgjatë Ungjillit të tij.

Për shembull, pasi ka thënë që Fjala “ishte Perëndi,” Gjoni thotë, “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë…. Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir” (Gjoni 1:14, 16).

Prandaj Fjala e përjetshme e Perëndisë mori mbi vete mish njerëzor, dhe në këtë mënyrë Biri hyjnor i Perëndisë – ai që nuk kishte kurrë një fillim, nuk kishte një moment kur erdhi në ekzistencë, ai që ishte Perëndia por që gjithashtu ishte me Perëndinë – ky Bir u bë njeri. Duke e bërë këtë gjë ai e bëri lavdinë e Perëndisë të dukshme në një mënyrë krejt të re. Kjo lavdi hyjnore e manifestuar në mënyrë unike në Birin e Perëndisë ishte plot hir dhe të vërtetë. Prej kësaj plotësie ne marrim hir mbi hir.

Ky është kuptimi i Krishtlindjes në Ungjillin sipas Gjonit. Perëndia Bir, ai që është Perëndi dhe që është me Perëndinë, erdhi të na zbulojë Perëndinë në një mënyrë që ai nuk ishte zbuluar më parë. Në këtë zbulesë, nota dominuese që tingëllon është hiri: nga plotësia e kësaj zbulese të lavdisë hyjnore, ne marrim hir mbi hir.

Apo siç thuhet edhe tek Gjoni 3:16-17, “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin [këtu kemi Krishtlindjen dhe të Premten e Mirë në një të vetme] që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën [Krishtlindja nuk ka të bëjë me dënimin] por që bota të shpëtohet prej tij [Krishtlindja ka të bëjë me shpëtimin].”

Në fund të jetës së tij, Jezusi ishte para Pilatit dhe ai i tha, “Ti, pra, qenke mbret?”. Jezusi u përgjigj: ”Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë [ky është qëllimi i Krishtlindjes]; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim” (Gjoni 18:37).

Cili ishte efekti i të vërtetës që Jezusi e dëshmoi me fjalët dhe me gjithë personin e tij? Ai na tha tek Gjoni 8:31-32, “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.” Prandaj kuptimi i Krishtlindjes është ky: Biri i Perëndisë erdhi në botë për të dhënë dëshmi për të vërtetën në një mënyrë që nuk ishte dëshmuar kurrë më parë.

Ai është udha, e vërteta dhe jeta (Gjoni 14:6). Synimi i dhënies së vetes si e vërteta në botë është liria. Ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë. Të lirë nga faji dhe fuqia e mëkatit. Të lirë nga vdekja, verbëria dhe gjykimi.

Si ndodh ky çlirim? Mbani mend Gjoni 6 që kur Jezusi zbriti nga qielli erdhi për të vdekur. Ai erdhi për të vdekur. Ai erdhi të jetonte një jetë të përsosur, një jetë pa mëkat dhe pastaj të vdiste për mëkatarët. Gjoni 6:51 thotë, “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.”

Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne në mënyrë që të mund të jepte mishin e tij për jetën e botës. Ne mëkatarët mund të marrim hir mbi hir prej plotësisë së tij për shkak se ai erdhi të vdiste për ne. Krishtlindja ishte fillimi i përgatitjes për të Premten e Mirë.

Prandaj përgjatë Ungjillit sipas Gjonit kuptimi i Krishtlindjes bëhet i qartë. Fjala u bë mish. Ai e zbuloi lavdinë e Perëndisë si kurrë më parë. Ai vdiq sipas planit të tij. Për shkak të vdekjes së tij në vendin tonë ai është bukë për ne. Ai është burimi i faljes, drejtësisë dhe jetës. Ky është kuptimi më i madh i Krishtlindjes në Ungjillin sipas Gjonit. Ky madje është kuptimi i Krishtlindjes në botë edhe sot.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*