Komentim – Hebrenjve 9

Hebrenjve 9

nga Methju Henri

Skica e kapitullit

  • Tabernakulli Jude dhe orenditë e tij (1–5)
  • Përdorimi dhe kuptimi i tyre (6–10)
  • Përmbushja e tyre në Krishtin (11–22)
  • Domosdoshmëria, dinjiteti superior dhe fuqia e priftërisë dhe sakrificës së Tij (23-28)

Hebrenjve 9:1–5

Apostulli u tregon Hebrenjve referimin simbolik të ceremonive të tyre ndaj Krishtit. Tabernakulli ishte një tempull i lëvizshëm, që portretizonte gjendjen e lëvizshme të kishës mbi tokë, si dhe natyrën njerëzore të Zotit Jezu Krisht në të cilin banon trupërisht e gjithë plotësia e Hyjnisë. Kuptimi tipik i këtyre gjërave është treguar në sqarimet e mëparshme, dhe rregullat dhe porositë e besëlidhjes së Moisiut e tregojnë Krishtin si Dritën tonë dhe si Bukën e jetës për shpirtin tonë; ato na kujtojnë Personin e tij Hyjnor, priftërinë e tij të shenjtë, drejtësinë e tij të përsosur dhe ndërmjetësimin e tij të vazhdueshëm. I tillë ishte Zoti Jezu Krisht, gjithçka në të gjitha qysh prej fillimit. Ashtu siç interpretohen prej ungjillit këto gjëra janë prezantim i lavdishëm i urtësisë së Perëndisë dhe konfirmojnë besimin tek Ai për të cilin këto gjëra shërbyen si shembuj.

Hebrenjve 9:6–10

Apostulli vazhdon të flasë për shërbimet e Besëlidhjes së Vjetër. Duke qenë se Krishti mori përsipër të bëhej Krye Prifti ynë nuk mund të hynte në qiell derisa të kishte derdhur gjakun e tij për ne; asnjë prej nesh nuk mund të hyjë dot në praninë e hirshme të Perëndisë këtu apo në praninë e Tij të lavdishme më pas, veçse përmes gjakut të Jezusit. Mëkatet janë gabime, gabime të mëdha, si në gjykim ashtu dhe në praktikë; kush mund t’i kuptojë të gjitha gabimet e veta? Ato hedhin faj mbi ndërgjegje i cili nuk mund të lahet dot veçse përmes gjakut të Krishtit. Ne duhet të përgjërohemi për gjakun e Krishtit mbi dhe ndërsa Ai përgjërohet për ne në qiell. Pak besimtarë nën mësimin Hyjnor dalluan diçka rreth udhës për të hyrë tek Perëndia, për të pasur përbashkësi me Të dhe për t’u pranuar në qiell përmes Shpengimtarit të premtuar, kurse shumica e Izraelitëve nuk shikuan përtej këtyre formave të jashtme.

Këto ceremoni nuk mund të hiqnin dot ndotjen e mëkatit. Ato as nuk mund të shlyenin borxhet apo të hiqnin dyshimet e atij që ofronte sakrificën. Kohët e ungjillit janë dhe duhet të jenë kohë reformimi, me një dritë më të qartë për gjithë gjërat e nevojshme për t’u njohur dhe për një dashuri më të madhe të cilat bëjnë që të mos kërkojmë të keqen e askujt por të mirën e të gjithëve. Në ungjill ne kemi një liri më të madhe si në frymë ashtu dhe në të folur bashkë me detyrime më të mëdha për një jetë edhe më të shenjtë.

Hebrenjve 9:11–14

Të gjitha gjërat e mira në të shkuarën, të tashme dhe të ardhmen janë themeluar mbi ofiqin priftëror të Krishtit dhe prej tij vijnë tek ne. Krye Prifti ynë hyri në qiell një herë e përgjithmonë dhe ka siguruar shpengimin e përjetshëm. Fryma e Shenjtë tregon edhe më qartë që sakrificat e Besëlidhjes së Vjetër e çlironin njeriun vetëm nga jashtë prej papastërtisë ceremoniale duke e bërë të përshtatshëm për disa privilegje të jashtme. Çfarë i dha një ofiqi të tillë gjakut të Krishtit? Ishte fakti që Krishti e ofroi veten pa ndonjë njollë mëkatare në natyrën apo jetën e tij. Gjaku i tij e pastron edhe ndërgjegjen më fajtore prej veprave të vdekura apo vdekjeprurëse që t’i shërbejë Perëndisë; nga veprat mëkatare që e ndotin shpirtin ashtu siç bënin trupat e vdekur në rastin e Judenjve që i preknin ato; kurse hiri që vulos faljen e rilind shpirtin e ndotur.

Asgjë tjetër nuk e shkatërron më tepër besimin e ungjillit sesa në ndonjë mënyrë të dobësosh fuqinë e drejtpërdrejtë të gjakut të Krishtit. Thellësinë e misterit të sakrificës së Krishtit nuk mund ta hetojmë dot, as nuk mund ta kuptojmë dot lartësinë e saj. Nuk mundemi ta hetojmë dot madhështinë, urtësinë, dashurinë apo hirin që gjejmë në sakrificën e Krishtit. Por duke konsideruar sakrificën e Krishtit besimi gjen jetë, ushqim dhe rifreskim.

Hebrenjve 9:15–22

Ndërveprimet solemne mes Perëndisë dhe njeriut nganjëherë quhen besëlidhje, kurse këtu quhet testament, ky është testamenti i një personi që ka vdekur i cili u jep të drejta ligjore personave që u është lënë ky testament dhe që hyn në fuqi vetëm pas vdekjes së atij që e ka lënë testamentin. Kështu edhe Krishti vdiq jo vetëm që të fitonte bekimet e shpëtimit për ne, por që t’i jepte pushtet përcjelljes së tyre. Përmes mëkatit të gjithë u bënë fajtorë para Perëndisë, kishin humbur çdo gjë të mirë; por Perëndia duke dashur që të tregonte madhështinë e mëshirës së Tij shpalli një besëlidhje hiri. Asnjë gjë s’mund të ishte e pastër për një mëkatar, madje as ritualet e tij fetare; veçse kur faji i tij hiqej përmes vdekjes së një sakrifice me vlerë për këtë qëllim dhe nëse vazhdonte të mbështetej tek kjo sakrificë. Le t’ia atribuojmë të gjitha veprat e mira të njëjtit shkak gjithë sigurues dhe t’i ofrojmë sakrificat tona frymërore të spërkatura me gjakun e Krishtit dhe në këtë mënyrë të pastruara prej ndotjes së tyre.

Hebrenjve 9:23–28

Është e qartë që sakrificat e Krishtit janë pafundësisht më të mira sesa ato të ligji të cilat nuk mund të siguronin falje për mëkatin dhe as nuk mund të siguronin pushtet kundër tij. Mëkati do ishte ende mbi ne dhe do sundonte mbi ne; por Jezu Krishti përmes një sakrifice të vetme i ka shkatërruar veprat e djallit në mënyrë që besimtarët të bëhen të drejtë, të shenjtë dhe të lumtur. Ashtu si nuk mund të gjendet asnjë urtësi, dituri, virtyt, pasuri apo pushtet që mund ta shpëtojë një njeri prej vdekjes, po kështu nuk ka ndonjë gjë që mund ta çlirojë mëkatarin nga dënimi ditën e gjyqit përveç sakrificës shlyese të Krishtit; askush nuk ka për t’u shpëtuar prej ndëshkimit të përjetshëm nëse e përbuz apo e neglizhon këtë shpëtim të madh. Besimtari e di që Shpengimtari i tij jeton dhe që do ta shohë atë. Këtu qëndron besimi dhe durimi i kishës, i gjithë besimtarëve të sinqertë. Kjo është lutja e tyre e vazhdueshme si fryti dhe shprehja e besimit të tyre. Po, eja Zot Jezus.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*