Komentim – Jakobi 2

Skica e kapitullit

  • Gjithë rrëfimet e besimit janë të kota nëse nuk prodhojnë dashuri dhe drejtësi ndaj të tjerëve. (1-13)
  • Domosdoshmëria e veprave të mira për të vërtetuar sinqeritetin e besimit i cili pa vepra nuk ka asnjë avantazh nga besimi i demonëve. (14–26)

Jakobi 2:1–13

Ata që rrëfejnë besim në Krishtin si Zoti i lavdisë nuk duhet t’i respektojnë personat bazuar thjesht nga pamja apo rrethanat e jashtme në një mënyrë që nuk përputhet me rrëfimin e tyre si dishepuj të Jezusit të përulur. Apostulli Jakob nuk është duke nxitur vrazhdësi apo rrëmujë: duhet të tregojmë respekt në shoqëri; por këtë nuk duhet ta bëjmë kurrë në mënyrë që të ndikojmë mënyrën sesi të krishterët  i ushtrojnë rolet në kishën e Krishtit, kur ushtohet gjykimi i kishës, apo në çdo gjë tjetër që ka të bëjë me besimin. Shqyrtimi i vetes është shumë i dobishëm në çdo pjesë të jetës së shenjtë. Le ta bëjmë këtë gjë më shpesh dhe në çdo gjë të shqyrtojmë shpirtin tonë. Përderisa vendet e adhurimit nuk mund të ndërtohen apo mirëmbahen pa shpenzime, mund të ketë vend që ata që kontribuojnë në këtë gjë të trajtohen në mënyrë të përshtatshme; por nëse të gjithë do të kishin një mendje më frymërore, të varfrit do trajtoheshin me më tepër vëmendje nga sa ndodh zakonisht në bashkësitë e adhurimit. Një gjendje e përunjur është më e favorshme për paqe të brendshme dhe për rritje në shenjtëri. Perëndia do t’iu jepte gjithë besimtarëve pasuritë dhe nderet e kësaj bote, nëse këto do t’iu sillnin dobi, por Ai i ka zgjedhur që të jenë të pasur në besim dhe i ka bërë trashëgimtarë të mbretërisë të cilën premtoi t’ua japë atyre që e duan Atë. Konsideroni sa shpesh pasuritë i çojnë njerëzit drejt ligësisë dhe sa shumë shahet Perëndia apo feja prej njerëzve me pasuri, pushtet dhe madhështi në botë; kjo ka për ta bërë këtë mëkat të duket shumë marrëzi dhe i mëkatshëm. Shkrimi na jep një ligj, ta duam fqinjin tonë si veten. Ky është një ligj mbretëror, ai vjen nga Mbreti i mbretërve; dhe nëse të krishterët veprojnë në mënyrë të padrejtë, ata binden prej ligjit si shkelës. Të mendosh që veprat tona të mira do bëjnë shlyerjen për veprat tona të liga, në mënyrë të qartë tregon që po kërkojmë një shpengim tjetër. Sipas besëlidhjes së veprave shkelja e një urdhërimi të vetëm e sjell njeriun nën ndëshkim, nga i cili nuk mund ta shpëtojë dot asnjë lloj bindjeje, në të shkuarën, të tashmen apo të ardhmen. Kjo gjë na tregon lumturinë e atyre që janë në Krishtin. Ne mund t’i shërbejmë Atij pa ndonjë frikë skllavëruese. Kufizimet e Perëndisë nuk janë zgjedhë, por e tillë është prishja jonë. Rrënimi që do të bjerë më në fund mbi mëkatarët e papenduar ka për të qenë gjykimi pa mëshirë. Por Perëndia e konsideron lavdinë dhe gëzimi e Tij të falë dhe bekojë ata që me të drejtë mund të dënoheshin në gjykatën e Tij; dhe hiri i Tij i mëson ata që marrin pjesë në mëshirën e Tij që ta imitojnë këtë gjë në sjelljen e tyre.

Jakobi 2:14–26

Ata që kanë thjesht një besim mendor në ungjillin e kanë gabim në mbarë besimin ungjillor, ashtu si bëjnë shumë njerëz në këtë kohë. Nuk ka dyshim që vetëm besimi i vërtetë, përmes të cilit njerëzit bëhen pjesëmarrës në drejtësinë, shlyerjen dhe hirin e Krishtit i shpëton shpirtrat e tyre; por ky besim prodhon fryte të shenjta, dhe tregohet si real prej efektit të tij në veprat e tyre; kurse thjesht pranimi i një forme doktrine, apo thjesht besimi historik i çfarëdolloj faktesh, ndryshon krejtësisht nga besimi shpëtues. Një rrëfim i thjeshtë mund të fitojë opinionin e mirë të njerëzve të devotshëm, dhe në disa raste mund të sigurojë gjëra të mira tokësore, por çfarë përfitimi ka për të sjellë nëse dikush fiton gjithë botën dhe pastaj humbet shpirtin e tij? A mund ta shpëtojë ky lloj besimi? Të gjitha gjërat duhet të konsiderohen të dobishme apo të padobishme për ne në masën që ato nxitin apo pengojnë shpëtimin e shpirtrave tanë. Kjo pjesë e Shkrimit na tregon qartë që një opinion apo rënie dakord me ungjillin, pa vepra nuk është besim. Nuk ka mënyrë sesi të tregojmë që vërtet besojmë në Krishtin, përveçse duke qenë të zellshëm në vepra të mira, të shtyrë nga motivet e ungjillit dhe për qëllimet e ungjillit. Njerëzit mund t’u mburren të tjerëve, dhe të mbahen me të madh për atë që në fakt nuk e kanë. Besimi nuk duhet të ketë vetëm afirmim por edhe vendosmëri; jo vetëm afirmim i të vërtetës së fjalës, por edhe vendosmëri për të pranuar Krishtin. Besimi i vërtetë nuk është veprim thjesht i kuptimit, por vepër e gjithë zemrës. Fakti që besimi shfajësues nuk mund të jetë pa vepra tregohet përmes dy shembujve, Abrahamit dhe Rahabit. Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu llogarit për drejtësi. Besimi i tij prodhoi vepra të tilla që e çuan drejt favoreve të veçanta.

Në vargun 24 shohim sesi njeriu shfajësohet prej veprave, dhe jo thjesht prej një opinioni apo rrëfimi, apo prej besimit pa bindje, por duke pasur një besim të tillë që prodhon vepra të mira. Mohimi i arsyes, ndjenjave dhe interesave të veta është një veprim me vend për ta sprovuar një besimtar. Vëzhgoni me kujdes, fuqinë e mrekullueshme të besimit kur i ndryshon mëkatarët. Sjellja e Rahabit tregoi që besimi i saj ishte i gjallë, apo që kishte fuqi; tregoi që ajo besoi me gjithë zemër, jo thjesht si një akt afirmimi përmes kuptimit. Prandaj edhe ne le të mësojmë që veprat e mira pa besim janë të vdekura; ato kanë nevojë për rrënjë dhe parime. Përmes besimit gjithçka që bëjmë është vërtet e mirë; për shkak se bëhet në bindje ndaj Perëndisë dhe synon pranimin e Tij: por nëse nuk ka fryt rrënja është e tharë. Besimi është rrënja, veprat e mira janë frytet; prandaj duhet të sigurohemi që t’i kemi të dyja. Ky është hiri i Perëndisë në të cilin qëndrojmë dhe pas të cilit duhet të mbahemi. Nuk ka rrugë të mesme. Gjithsecili duhet të jetë ose mik i Perëndisë ose armik i Tij. Të jetosh për Perëndinë është rrjedhoja e besimit që shfajëson dhe shpëton; ky besim na obligon të mos bëjmë asgjë kundër Tij por çdo gjë për Të dhe ndaj Tij.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*