Korrigjim me masë – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Do të të ndëshkoj me drejtësi” – Jeremia 30:11

Këtu kemi një mendim të hirshëm dhe lehtësues të Perëndisë në një stinë sprove, “Unë do të të ndëshkoj (korrigjoj),” thotë Ai. Ai nuk e fsheh faktin që do të dërgojë mundim – që do të bëjë që populli i Tij të kalojë përmes korrigjimit. Ai i njeh tepër mirë – Ai i do shumë fort – sa të lejojë të përjetojnë vetëm shkëlqimin e diellit, dhe një det pa valë dhe të patrazuar. Guri i ashpër ka nevojë për t’u lëmuar – telat e veglës muzikore duhen shtrënguar që të lëshojnë një tingull të ëmbël – notat e harmonisë; por e gjithë kjo bëhet “me masë.”

Mes hedhjeve tona andej-këndej në detin e sprovës, sa ngushëlluese që është siguria, “Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time.” Ai e përshtat zgjedhën – sipas qafës; Ai i përshtat korrigjimet e Tij – sipas karakterit, nevojës dhe forcës së popullit të Tij. Të gjitha gjërat maten, të gjitha peshohen në peshoren e drejtësisë së pagabueshme.

Mbi asnjë ballë nuk ka qoftë edhe një rrudhë të panevojshme – nuk ka as edhe një pikë të panevojshme apo të tepër dhimbje në kupën e vuajtjes. Ai i cili pikturon çdo lule dhe që i jep formë çdo pike shiu në botën natyrore – është i njëjti që i jep formë çdo loti në syrin e turbulluar, dhe që i jep çdo hije dhe çdo prekje delikate vajtimit.

Një atë njerëzor mund të gabojë – ai mund të ketë një vrenjtje të panevojshme – mund të ndëshkojë me një ashpërsi të pamasë dhe të panevojshme, “Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, i Shenjti i Izraelit: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.”

O i sprovuar kërko që ky të jetë rezultati i trajtimit të tanishëm të Perëndisë – që “Ai të të mësojë për të mirën tënde.” Tepër shpesh, gjatë stinëve të trishtimit, synimi ynë madhor është që të marim ngushëllim. Kjo është një pikëpamje e kufizuar dhe egoiste. Perëndia ka në mendje një synim më të lartë – një mësim më fisnik, “Ai na disiplinon për të mirën tonë.” Sprova është një stinë për të pritur bekime të mëdha për veten, dhe gjithashtu për ta lavdëruar edhe më tepër Perëndinë. Reja aromatike e temjanit ngrihej nga aromat e bluara! Trëndafili që ka rënë dhe është fishkur lëshon aromën më të ëmbël – flutura i ri larg dhe bleta e eviton – vetë rrezet e diellit nuk mund ta stolisin dot me bukuri; megjithatë po ai trëndafil e mbush ajrin veror me një parfum më të fortë sesa kur ishte i kapur tek dega mëmë në lulëzim të plotë.

Atje ku dikur rrjedha e llavës solli shkatërrim dhe shkreti në faqen e malit, tani duken hardhitë e mbushura me bistakë vjollcë. Po kështu, atje ku dikur kaloi rrjedha e trishtimit e cila shkaktoi brengë, tani gjenden bistakët e rrushve qiellorë – fruti i drejtësisë – për lëvdim e lavdi të Perëndisë.

Me raste mund të mos jem në gjendje ta dalloj “masën” e korrigjimit të Tij. Mund të ndodhë që syri i arsyes mund të mos shohë asgjë përveç një ushtrimi kapriçioz të pushtetit hyjnor. Në të tashmen asnjë korrigjim nuk duket se është i gëzueshëm, por i trishtueshëm; megjithatë, më pas ai jep frytin e paqshëm të drejtësisë. E pranofsha me gëzim çdo mundim të tillë duke thënë, “Kështu u bëftë o At, sepse kështu të pëlqeu Ty!” “Jo vullneti im – por vullneti Yt le të bëhet!” “Ati yt qiellor tashmë i di të gjitha nevojat e tua!”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*