Krishtlindja e ndau historinë në mes

13 Dhjetor

prej John Piper

Krishtlindja e ndau historinë në mes

Gjithashtu të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur qysh nga Samueli e këtej, i kanë shpallur këto ditë.

Veprat 3:24

Ka diçka jashtëzakonisht të rëndësishme që duhet kapur në mënyrë që të kuptojmë mësimin biblik rreth profecisë dhe përmbushjes.

Ne shpesh mendojmë për profecinë si diçka që ka të bëjë me të ardhmen apo me atë që tashmë ka nisur të ndodhë në botë. Fare lehtë harrojmë që ajo e cila është e shkuar për ne ishte e ardhme për profetët. Ajo që kemi nevojë të kujtojmë është që me ardhjen e Jezu Krishtit në botë filluan ditët e përmbushjes që ishin shpallur prej gjithë profetëve. Qysh nga Krishtlindja e parë ne kemi qenë duke jetuar në këto ditë. “Ditët e fundit” të parathëna nga profetët nuk janë shekulli i njëzetë e një. Ditët e fundit nisën në vitin 1 pas Krishtit.

Kjo është dëshmia uniforme e Dhiatës së Re. Pali tha tek 1 Korintasve 10:11 që ngjarjet e Dhiatës së Vjetër u ndodhën “atyre si shembuj, por u shkruan për udhëzimin tonë, për ne tek të cilët ka arritur fundi i epokës.” Për Palin, fundi i epokës nuk ishte pas dy mijë vjetësh në shekullin e njëzetë e një.

Jo. Fillimi i fundit tashmë ishte i pranishëm në shekullin e parë. Mesia i shumëpritur kishte ardhur. Prandaj shkrimtari i Hebrenjve 1:1-2 thotë, “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit.” Kur Perëndia e dërgoi Birin e tij në botë filluan ditët e fundit.

Është privilegj i madh të jetojmë në ditët e fundit për shkak se Joeli profetizoi, “në ditët e fundit… Perëndia do të derdhë Frymën e tij mbi çdo mish” (Joeli 2:28). Të gjithë profetët mezi e prisnin ditën kur do të vinte Mesia, Biri i Davidit, Mbreti i Izraelit për shkak se kjo do të ishte një ditë bekimi të madh për popullin e Perëndisë. Tani ai ka ardhur, mbretëria e tij është përuruar dhe ne jetojmë në epokën e përmbushjes.

Ajo që presim në të ardhmen në ardhjen e dytë të Krishtit nuk është diçka krejtësisht e re por përkundrazi përjetimi i bekimeve të cilat i gëzojmë që tani, për shkak se premtimet kanë filluar të përmbushen në jetën tonë.

Krishtlindja e ndau historinë në dy epoka: në epokën e premtimit dhe epokën e përmbushjes. Prandaj kur Pjetri thotë tek Veprat 3:24, “Gjithashtu të gjithë profetët… i kanë shpallur këto ditë,” kuptojmë që ai do të thotë “këto ditë të fundit” (Hebrenjve 1:2), në të cilat Perëndia na ka folur përmes Birit të tij, ditët nga Krishtlindja e parë e deri në kohën e përmbushjes së plotë e cila është duke ardhur.

Në këtë epokë jetojmë ne. Masa e plotësimit të tanishëm është e jashtëzakonshme – mishërimi, kryqëzimi, shlyerja, pajtimi, ringjallja, ngjitja, mbretërimi qiellor, ndërmjetësimi, derdhja e Frymës së Shenjtë, misionet globale, mbledhja e kombeve, kisha, Shkrimet e Dhiatës së Re, lutja në emrin e Jezusit, gëzimi i patregueshëm dhe siguria e blerë. Por ka edhe një aspekt ende të ardhshëm i cili është i mrekullueshëm dhe për të cilin jemi duke pritur: ardhja e dytë, ringjallja e të vdekurve, trupat e rinj dhe të lavdishëm, fundi i mëkatit, përlëvdimi, gjykimi i gjithë mosbesimit, shpërblimet, hyrja në gëzimin e Zotërisë tonë, toka e re dhe qielli i ri, Jezusi i pranishëm mes popullit të tij ballë për ballë, nuk do të ketë më mjerim, do përjetojmë kënaqësitë e përjetshme.

Krishtlindja e ndau historinë në mes. Parashijimet e së ardhmes janë të bollshme. Shuajeni etjen me atë që ai realizoi për ne. Mbushuni me shpresë për gjithë sa është duke ardhur.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*