Martesa të nderohet nga të gjithë!

Si të mendojmë në mënyrë biblike rreth të ashtuquajturave martesa mes personave me të njëjtën gjini!

16 Qershor 2012 | prej Xhon Pajpër | Shkrimi: Hebrenjve 13:1–6 | Tema: Homoseksualiteti

Hebrenjve 13:1–6

Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup. Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit. Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ”Nuk do të të lë, nuk do të të braktis”. Kështu mund të themi, me plot besim: ”Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”. Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre. Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.

Mesazhi i sotëm është ndërtuar rreth tetë pikave që kanë për qëllim të na japin një vizion biblik për martesën në lidhje me homoseksualitetin dhe me martesat mes personave të të njëjtës gjinie. E kemi lexuar Hebrenjve 13:1-6 jo sepse do të jap një shtjellim të kësaj pjese por për të theksuar një frazë nga vargu 4, “Martesa të nderohet nga të gjithë.” Kjo është gjëja që shpresoj se do të theksoj për lavdinë e Perëndisë si dhe për udhëzimin dhe të mirën tuaj.

1. Martesa u krijua dhe u përkufizua prej Perëndisë në Shkrimet e Shenjta si bashkimi seksual dhe i besëlidhjes mes një burri dhe një gruaje në një aleancë vetëm ndaj njëri-tjetrit për gjithë jetën e tyre si burrë dhe grua, duke pasur si qëllim shfaqjen e marrëdhënies së besëlidhjes së Krishtit me kishën e tij, të cilën Ai e bleu me gjakun e vet.

Kjo gjë dallohet më qartë në katër pjesë të Shkrimit në të cilat këto të vërteta janë ndërthurrur së bashku.

1. Zanafilla 1:27–28

“Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën…”

2. Zanafilla 2:23–24

“Dhe njeriu tha: ‘Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri’. Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.”

Me fjalë të tjera, Perëndia krijoi mashkullin dhe femrën në mënyrë që të ekzistonte një bashkim në një mish të vetëm dhe një bashkim besëlidhjeje për qëllimin e shumimit të racës njerëzore, dhe për të shfaqur besëlidhjen e Perëndisë me popullin e tij dhe më në fund besëlidhjen e Krishtit me kishën e tij.

3. Mateu19:4–6

Eshtë domethënëse që Jezusi kapi këtë lidhje mes krijimit, martesës dhe një besëlidhjeje për gjithë jetën kur i ndërthurri së bashku këto dy tekste nga Zanafilla:

Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: ”A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër? [Zanafilla 1:27] Dhe tha [duke cituar Zanafilla 2:24]: “Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm”. Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë”.

Në sfondin tonë kulturor fjalët, “prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë,” kanë një rëndësi jashtëzakonisht më të madhe nga sa mund të ketë menduar dikush.

4. Efesianëve 5:24–32

Një tekst tjetër rreth kuptimit të martesës bën dallimin mes mashkullit dhe femrës – burrit dhe gruas – që ka një rëndësi besëlidhjeje si portretizim i Krishtit dhe kishës:

Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të… ”Prandaj [citim nga Zanafilla 2:24] njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm”. Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.

Me fjalë të tjera, qysh prej fillimit ka pasur një mister dhe një kuptim të thellë rreth martesës. Tani apostulli Pal është duke e zbuluar këtë mister. Misteri është ky: Perëndia e krijoi njeriun mashkull dhe femër me natyrat e tyre të dallueshme mashkullore dhe femërore si dhe me rolet e tyre të dallueshme në mënyrë që në martesë si bashkëshort dhe bashkëshorte ata të mund të shfaqnin Krishtin dhe kishën.

Gjë e cila do të thotë që rolet bazë të bashkëshortes dhe bashkëshortit nuk janë të këmbyeshme. Bashkëshorti shfaq dashurinë sakrifikuese të kryesisë së Krishtit dhe bashkëshortja shfaq rolin e nënshtruar të trupit të Krishtit. Misteri i martesës është që Perëndia kishte në mendje këtë shfaqje të dyfishtë (të bashkëshortes dhe bashkëshortit) kur ai e krijoi njeriun mashkull dhe femër. Prandaj, realiteti më i thellë në univers qëndron poshtë martesës si bashkimi me besëlidhje mes një burri dhe një gruaje.

2. Nuk ka ndonjë gjë të ashtuquajtur martesë me të njëjtën gjini, dhe do ishte me mend të mos e quanim me këtë emër.

Ideja këtu nuk është vetëm që të ashtuquajturat martesa të të njëjtës gjine nuk duhet të ekzistojnë por që nuk ekzistojnë dhe nuk mund të ekzistojnë. Ata që besojnë se Perëndia na ka folur të vërtetën në Bibël nuk duhet të bien dakord që partneritetet e përkushtuara për gjithë jetën dhe marrëdhëniet seksuale të dy burrave apo dy grave të quhen martesë. Kjo nuk është martesë. Perëndia e krijoi dhe e përkufizoi martesën. Ajo që Ai e ka bashkuar në krijim, me atë përkufizim, nuk mund të ndahet dhe ende të quhet martesë në sytë e Perëndisë.

3. Dëshirat dhe orientimi karshi të njëjtës gjinie janë pjesë e seksualitetit tonë të thyer dhe të prishur për shkak se Perëndia ia nënshtroi rendin e krijimit kotësisë për shkak të mëkatit të njeriut.

Tek Zanafilla 3 lexojmë për momentin katastrofik kur burri dhe gruaja e parë u rebeluan kundër Perëndisë. Efekti tek ata dhe në botë përshkruhet tek kapitujt 3 dhe 4 dhe pastaj ilustrohet në historinë e Dhiatës së Vjetër të zhytur në mëkat dhe vdekje që në të vërtetë është historia e botës.

Apostulli Pal e përmbledh këtë gjë në letrën e tij të Romakëve 8:20-21,

“sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.”

E dimë që nga vargu 23 ajo pjesë e krijimit që iu nënshtrua vdekjes dhe kotësisë ishte trupi ynë – Pali e thekson, po, trupat e të shpenguarit. “Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.” (Romakëve 8:23).

Argumenti im është që dëshirat apo prirjet karshi të njëjtës gjinie gjenden në atë kategori rënkimi – duke pritur shpengimin e trupave tanë. Kjo do të thotë që ato janë në të njëjtën kategori të gjerë me lloj lloj çrregullimesh në trup, mendje dhe emocione. Nëse do të përpiqeshim të bënim një listë për dobësitë emocionale, mendore dhe fizike të familjes njerëzore do të ishte një listë pa fund. Që të gjithë ne jemi të thyer dhe të prishur në mënyrë ta ndryshme. Që të gjithë jemi të prirur të dëshirojmë gjëra në shkallë të ndryshme të cilat nuk duhet t’i dëshirojmë. Që të gjithë ne jemi të çrregulluar në emocionet, mendjen dhe trupin tonë.

Kjo është një thirrje për një dallim të kujdesshëm në mënyrë që të mos i lëndojmë njerëzit apo veten tonë në mënyrë të panevojshme. Të gjitha çrregullimet tona – gjithë thyerja jonë – i ka rrënjët tek mëkati origjinal dhe tek natyra jonë mëkatare. Do ishte gjë e drejtë të thoshim që dëshirat për të njëjtën gjini janë të mëkatshme në kuptimin që janë çrregulluar prej mëkatit dhe ekzistojnë në kundërshtim me vullnetin e zbuluar të Perëndisë. Por fakti që janë shkaktuar dhe i kanë rrënjët në mëkati nuk e bën një dëshirë të mëkatshme të barabartë me aktin e të mëkatuarit. Mëkatimi është ajo çfarë ndodh kur rebelimi kundër Perëndisë e shpreh veten përmes çrregullimeve tona.

4. Prandaj, marrëdhëniet seksuale me të njëjtën gjini dhe jo thjesht dëshirat për të njëjtën gjini janë fokusi i asaj që Pali dënon kur flet për përjashtim nga mbretëria e Perëndisë.

Deklarata më e qartë për këtë gjë gjendet tek 1 Korintasve 6:9-10.

A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.

Fjala “të zhburrëruarit, as homoseksualët” është përkthim i dy fjalëve greke të cilat i referohen partnerëve pasivë dhe aktivë në një marrëdhënie homoseksuale. Referojuni Robert A. J. Gagnon, The Bible and Homosexual Practice: Texts and Hermeneutics [Nashville: Abingdon Press, 2001], 306–331). Fokusi këtu nuk është tek dëshira karshi të njëjtës gjinie, por tek praktika seksuale me të njëjtën gjini. Vini re që praktika homoseksuale nuk veçohet mënjanë por është përfshirë me mënyra të tjerë mëkatimi: idhujtaria, kurorëshkelja, vjedhja, lakmia, të dehurit, përqeshëja, etj.

Ideja nuk është që një akt i vetëm eksperimentimi homoseksual apo heteroseksual ju dënon, por kthimi tek ky stil jete në mënyrë të përhershme dhe pa pendim është ajo çka do sjellë dënim. Ata që praktikojnë – që ia kushtojnë veten një stili të tillë jete, dhe që nuk pendohen – ata nuk do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë.” Ata do të humbasin.

5. Prandaj, do të ishte në kundërshtim me dashurinë dhe me ungjillin e Jezu Krishtit që të aprovojmë praktikat homoseksuale, qoftë përmes heshtjes, përmes miratimit të të ashtuquajturave martesa me të njëjtën gjini apo duke afirmuar shugurimin në role udhëheqjeje të krishterë të atyre që janë praktikues të homoseksualitetit.

Në këtë pikë nuk duhet të kemi frikë. Bota do të thotë të kundërtën e të vërtetës në këtë pikë. Ata do të thonë që paralajmërimi i njerëzve që praktikojnë homoseksualitetin rreth gjykimit përfundimtar është një qëndrim me urrejtje karshi tyre. Nuk është urrejtje. Urrejtja nuk dëshiron që njerëzit të shpëtohen. Urrejtja nuk dëshiron që këta njerëz të jenë pjesë e familjes. Urrejtja dëshiron të shkatërrojë. Dhe mëkati në fakt sjell shkatërrim. Nëse praktikat homoseksuale (lakmia, idhujtaria, të përqeshurit dhe dehja) të çojnë tek përjashtimi nga mbretëria e Perëndisë – ashtu si na thotë fjala e Perëndisë – atëherë dashuria paralajmëron. Dashuria përgjërohet. Dashuria vjen përkrah njerëzve të tillë dhe bën gjithë sa ka mundësi për ta ndihmuar një person të jetojë përgjithmonë.

6. Lajmi i mirë i Jezusit është që Perëndia shpëton mëkatarët heteroseksualë dhe ata homoseksualë që besojnë tek Jezusi, duke i konsideruar të drejtë për shkak të Krishtit, dhe duke i ndihmuar ata përmes Frymës së Tij që të jetojnë një jetë që i pëlqen Atij në thyerjen e tyre të prishur.

Pasi Pali i paralajmëroi Korintasit të mos ktheheshin pas tek jeta e praktikave mëkatare ai thotë tek 1 Korintasve 6:11, “Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.”

Kjo është zemra e Krishterimit Biblik. “Të tillë ishit disa nga ju.” Në kishën e Korintit kishte të krishterë që ishin imoralë dhe kurorëshkelës, hajdutë dhe pijanecë dhe “të zhburrëruar dhe homoseksualë”. Ata nuk u përzunë tutje. Ata u përqafuan në familje.

Mënyra sesi u përfshinë ishte që ata u “shfajësuan në emër të Zotit Jezus.” Kjo do të thotë që besuan në Jezusin, u larguan nga praktikat e tyre, rrëfyen kërkimin mëkatar pas dëshirave të tyre dhe Perëndia i shfajësoi – ai u llogariti atyre drejtësinë e Krishtit dhe i llogariti si të pranueshëm në sytë e Tij, i birësoi në familjen e tij e cila është edhe familja jonë.

Ata u lanë. Kjo do të thotë që Perëndia e hoqi tej gjithë fajin dhe turpin e tyre. “Ai (Krishti) vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi” (1 Pjetri 2:24). Prandaj kur ata i besuan Krishtit, gjithë sa Krishti bëri u llogarit për ta, mëkatet e tyre u pastruan.

Pastaj ata u “shenjtëruan” – Perëndia i veçoi për Veten e Tij dhe u dha Frymën e Tij. Ai po punonte në ta me një fuqi për shenjtëri që do t’i rrëmbente dëshirat e tyre të çrregulluara në diçka më të madhe, më të bukur dhe më të dëshirueshme në mënyrë që ata të ecnin në një mënyrë që i pëlqente Perëndisë, edhe në mes të thyerjes së tyre.

Zemra e Krishterimit është që Perëndia i shpëton mëkatarët përmes vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit. Lajmi më i mirë në të gjithë botën është që Jezu Krishti vdiq dhe u ringjall sërish në mënyrë që edhe grabitqari më i çuditshëm seksual – qoftë homoseksual apo heteroseksual – mund të çlirohet nga shtegu i tij i shkatërrimit, mund të lahet, të shfajësohet, të shenjtërohet dhe t’i jepet një vend në praninë gjithë kënaqësi të Perëndisë dhe kjo përmes besimit në Jezu Krishtin. Kjo është zemra e mesazhit tonë.

7. Të vendosurit se cilat veprime do të bëhen të ligjshme apo të paligjshme përmes ligjit civil është një aktivitet moral që synon të mirën e publikut dhe informohet prej botëkuptimit të çdo kontribuesi.

Qytetarëve të Shtetit të Minesotës këtë Nëntor do t’u kërkohet të votojnë po ose jo për këtë çështje, “A duhet që Kushtetuta e Minesotës të ndryshohet për të treguar që vetëm bashkimi i një burri dhe një gruaje të jetë i vlefshëm apo të dallohet si martesë?” Votat abstenim do të konsiderohen kundër. Nëse miratohet seksioni 13 do të shtohet në Nenin 18 të Kushtetutës Shtetërore që thotë: “Vetëm bashkimi i një burri dhe një gruaje ka për të qenë i vlefshëm ose do të konsiderohet si martesë në Shtetin e Minesotës.”

Si duhet të vendosin qytatërët e Krishterë se cilën prej pikëpamjeve të tyre ta bëjnë ligj? Cilat bindje morale duhet që të Krishterët t’i bëjnë kërkesa të ligjit? Të Krishterët besojnë që diçka imorale të lakmosh apo të vjedhësh. Por ne kërkojmë të nxjerrim ligje kundër vjedhjes dhe jo kundër lakmisë. Një prej parimeve që duket se funksionon në këtë rast është: lidhja mes lakmisë dhe dëmtimit të së mirës publike nuk është mjaft i qartë. Nuk ka dyshim që ekziston një lidhje e tillë. Perëndia e dallon këtë gjë dhe ne besojmë që e mira publike do të nxitet jashtëzakonisht shumë nëse mposhtim lakminë. Por njerëzit e kufizuar nuk mund të shohin mjaft qartë arsyen pse ta qeverisin lakminë me ligje dhe ndëshkime. Kjo është arsyja pse duhet që qindra veprime imorale duhet t’i lëmë që Jezusi t’i gjykojë në momentin kur të vijë.

Kemi ligje për ruajtjen dhe nxitjen e të mirës publike. Kjo do të thotë që të gjitha ligjet bazohen mbi një konceptim se çfarë është e mirë për ne. Gjë e cila do të thotë që të gjitha ligjet që krijohen dhe votimi janë aktivitete morale. Kjo bazohet në zgjedhje për atë çfarë është e mirë për publikun. Ato zgjedhje gjithmonë informohen prej një botëkuptimi. Në atë botëkuptim, ka pikëpamje të vetëdijshme apo të pavetëdijshme për realitetin përfundimtar të cilat përcaktojnë se çfarë mendon një person për të mirën publike.

Si rrjedhim të gjitha ligjet janë ligje që kanë të bëjnë me moralin. Pikëpamja e dikujt për të mirën – për atë që është e moralshme – fiton mendjen e shumicës dhe vendos. Pyetja është kjo: Cilat veprime e lëndojnë të mirën e përbashkët apo e nxitin atë aq shumë saqë njëra duhet ndaluar me ligj dhe tjetra duhet të kërkohet me ligj?

Ja disa mendime që do t’ju ndihmojë me këtë pyetje.

  1. Një ndryshim kushtetues duhet të trajtojë një çështje që mund të ketë rrjedhoja shumë të rëndësishme. Për t’ju dhënë një shembull se çfarë është konsideruar si përfshirje e denjë në kushtetutën e shtetit tonë kemi Seksionin 12 të Nenit 13 i cili u miratua nga votuesit në citin 1998. Aty thuhet, “Gjuetia dhe peshkimi, marrja e gjahut apo peshkut janë pjesë e trashëgimisë tonë me vlerë të cilat duhet të ruhen për popullin, duhen menaxhuar dhe rregulluar me ligj për të mirën publike.” Në të vendosurit nëse kuptimi i martesës është mjaft i rëndësishëm për ta vendosur në kushtetutë një prej masave që duhet marrë është që ta peshojmë këtë çështje kundrejt gjuetisë dhe peshkimit.
  2. Pranimi i të ashtuquajturave martesa të të njëjtës gjinie do të ishte një deklaratë e qartë shoqërore që amësia, atësia apo të dyja janë të neglizhueshme përsa i përket të mirës publike të rritjes së fëmijëve. Dy burra që birësojnë fëmijë nuk mund të sigurojnë amësi. Dhe dy gra që birësojnë fëmijë nuk mund të sigurojnë atësi. Por Perëndia e caktoi qysh prej fillimit që fëmijët të rriten me një baba një nënë dhe një baba prandaj tha, “Ndero atit tënd dhe nënën tënde” (Eksodi 20:12). Shpesh tragjeditë në jetë e bëjnë këtë gjë të pamundur. Por ndërmarrja e veprimeve për ta bërë atë tragjedi diçka normale mund të jetë mjaft me vlerë për ta ndaluar me ligj. Ky është një faktor që duhet konsideruar.
  3. Martesa është institucioni më themelor mes njerëzve. Origjina e saj është në mendjen e Perëndisë dhe fillesat e saj janë në fillim të krijimit të njerëzimit. Lidhjet e saj me gjithë pjesët e tjera të shoqërisë janë të panumërta. Të pretendosh që martesa mund të ekzistojë mes njerëzve të së njëjtës gjinie ka për të shkaktuar efekte shkatërruese dhe çrregullim në çdo drejtim, në mënyrë të veçantë tek fëmijët të cilët do të prodhojnë një shoqëri që tani nuk mund ta imagjinojmë dot.
  4. Me aq sa dimë, deri tani nuk ka pasur një shoqëri në historinë e botës që ta ketë përkufizuar martesën mes dy njerëzve të së njëjtës gjini, Kjo është një risi që të lë pa mend pa asnjë precedent që ta na udhëzojë me përjashtim të njohurisë që padrejtësia i shkatërron kombet dhe kremtimi i padrejtësisë e shpejtoj rënien e tyre. (Deuteronomy 9:5; Proverbs 13:34; Romans 1:24–32)

8. Mos e shtyni organizimin e kishës apo pastorët e saj në aktivizëm politik. Lutuni që kisha dhe shërbëtorët e saj të ushqejnë tufën e Perëndisë me fjalën e Perëndisë duke pasur si qendër ungjillin e Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur. Mos prisni që barinjtë tuaj t’ju mbledhin pas kantidatëve politikë apo iniciativave legjislative, por përkundrazi t’ju drejtojnë herë pas here tek Perëndia, tek Fjala e Tij dhe tek kryqi.

Ju lutem, përpiquni të kuptoni këtë gjë: Kur paralajmëroj rreth politizimit të kishës, nuk po e bëj që ta zbeh fuqinë e saj por përkundrazi për ta shtuar. Ndikimi i kishës për lavdinë e Krishtit dhe të mirën e botës nuk shtohet kur ajo ndryshon prioritetet e saj nga adhurimi i Perëndisë, nga fitimi i shpirtrave dhe nga ushqyerja e besimit dhe rritja e brezit të ri të dishepujve.

Nëse predikohet gjithë këshilla e Perëndisë me fuqi javë pas jave, të Krishterët që janë qytetarë të qiellit dhe qytetarë të këtij rendi demokratik do të fuqizohen për mënyrën sesi duhet të flasin dhe veprojnë për të mirën e përbashkët. Kështu dëshiroj t’ju shërbej ju. Këtë dëshiron edhe Xhejsën Mejër.

Martin Olaski e shprehu mirë këtë gjë në numrin e kësaj jave të revistës WORL:

Pastorët e mençur nxitin [të Krishterët] të formojnë shoqëri jashtë kishës dhe ta lënë kishën në detyrën e saj qëndrore prej së cilës rrjedhin shumë bekime. Ky model funksionoi jashtëzakonisht mirë në shekullin e 18-të dhe të 19-të. Pastorët e Anglisë së Re në kohët koloniale predikuan dhe mësuan atë që thoshte Bibla rreth lirisë dhe Bijve të Lirisë – kjo nuk ishte një grupim i një kishe të caktuar – kjo më në fund i hapi udhën një takimi në portin e Bostonit. Pastorët përgjatë Amerikës gjatë atyre shekujve predikuan për luftimin biblik të varfërisë, dhe qytet pas qyteti të Krishterët formuan organizata si Shoqëria e Përmirësimit të Kushteve të të Varfërve (në Nju Jork). (WORLD, 16 Qershor 2012, 108)

Ka shumë më tepër për të thënë dhe planifikoj të shkruaj më shumë në Blogun e Desiring God këtë javë, në mënyrë të veçantë rreth marrëdhënieve personale me njerëz që kanë tërheqje me persona të së njëjtës gjinie. Në ato marrëdhënie ka më tepër shpresë nga sa mendoni. Dëshiroj të ndihmoj sa të kem mundësi.

Tani për tani, ju që i besoni Jezusit kujtoni, “u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.” (1 Korintasve 6:11). Mahnituni me faktin që jeni shpëtuar. Ofrojani këtë gjë të gjithëve.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*