Mendime Shtjelluese – Mateu 1

Ungjilli sipas Mateut – Kapitulli 1
nga J. C. Ryle

Mateu 1:1-17

Këto janë vargjet me të cilat fillon Dhiata e Re. Le t’i lexojmë gjithmonë me një ndjenjë serioziteti dhe solemniteti. Libri që gjendet përpara nesh nuk përmban fjalët e njerëzve, por fjalët e Perëndisë. Çdo varg në të u shkrua përmes frymëzimit të Frymës së Shenjtë.

Le ta falënderojmë Perëndinë çdo ditë që na ka dhënë Shkrimet. Edhe njeriu më i varfër që kupton Biblën e tij di më tepër rreth fesë sesa filozofët më të mençur të Greqisë apo Romës.

Le të kujtojmë përgjegjësinë tonë të thellë. Ne të gjithë do të gjykohemi ditën e fundit sipas dritës që kemi marrë. Kujt i është dhënë shumë do t’i kërkohet shumë.

Le ta lexojmë Biblën me drojë dhe zell, me një vendosmëri të sinqertë për të besuar dhe praktikuar gjithë sa gjejmë në të. Ka shumë rëndësi sesi e përdorim këtë libër. Jeta apo vdekja e përjetshme varen nga fryma me të cilën e përdorim këtë libër.

Mbi të gjitha le të lutemi me përulësi për mësimin e Frymës së Shenjtë. Vetëm Ai mund ta zbatojë të vërtetën në zemrat tona dhe të na bëjë që të kemi dobi prej asaj që lexojmë.

Dhiata e Re fillon me jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Zotit tonë Jezu Krisht. Asnjë pjesë e Biblës nuk është më e rëndësishme se kjo, dhe asnjë pjesë tjetër nuk është më e pasur dhe më e plotë se kjo. Katër tregime të veçanta të Ungjillit na tregojnë historinë e veprave dhe vdekjes së Krishtit. Katër herë lexojmë tregimin e çmuar të fjalëve dhe veprave të Tij. Sa mirënjohës që duhet të jemi për këtë gjë! Të njohësh Krishtin është vetë jeta e përjetshme. Të besosh në Krishtin do të thotë të kesh paqe me Perëndinë. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të jesh një i krishterë i vërtetë. Të jesh me Krishtin do të thotë të jesh në qiell. Nuk mund të dëgjojmë kurrë më tepër se duhet rreth Jezu Krishtit.

Ungjilli sipas Mateut fillon me një listë të gjatë emrash. Gjashtëmbëdhjetë vargje i kushtohen gjurmimit të gjeneaologjisë nga Abrahami tek Davidi dhe nga Davidi tek familja në të cilën lindi Jezusi. Askush të mos mendojë se këto vargje janë të padobishme. Në krishim asnjë gjë nuk është e padobishme. Edhe myshqet më të rëndomta, edhe insektet më të vogla, i shërbejnë një synimi të mirë. Asnjë gjë nuk është e padobishme në Bibël. Çdo fjalë e saj është e frymëzuar. Kapitujt dhe vargjet që në pamje të parë duken të padobishme janë dhënë që të gjitha për një qëllim të mirë. Shikojini sërish këto gjashtëmbëdhjetë vargje dhe në to do të dalloni mësime të dobishme dhe udhëzuese.

Nga kjo listë emrash mësoni që Perëndia e mban gjithmonë fjalën e Tij. Ai kishte premtuar që në farën e Abarahamit do të bekoheshin të gjitha kombet e dheut. Ai kishte premtuar të ngrinte një Shpëtimtar nga familja e Davidit (Zanafilla 12:3, Isaia 11:1). Këto gjashtëmbëdhjetë vargje vërtetojnë që Jezusi ishte biri i Davidit dhe biri i Abrahamit, dhe që premtimi i Perëndisë ishte realizuar. Njerëzit e pamend dhe të paperëndishëm duhet ta kujtojnë këtë mësim dhe të kenë frikë. Çfarëdo që mund të mësojnë rreth Perëndisë, Perëndia ka për ta mbajtur fjalën e Tij. Nëse ata nuk pendohen do të humbasin me siguri. Të krishterët e vërtetë duhet ta kujtojnë këtë mësim dhe të inkurajohen. Ati i tyre në qiell do të tregohet besnik ndaj të gjitha fjalëve të Tij. Ai ka thënë që do t’i shpëtojë të gjithë besimtarët në Krishtin. Nëse Ai e ka thënë do ta bëjë me siguri. “Ai nuk është njeri që të gënjejë.” “Ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.” (2 Timoteu 2:13).

Së dyti, mësoni nga kjo listë emrash mëkatshmërinë dhe prishjen e natyrës njerëzore. Vëzhgoni se sa shumë prindër të perëndishëm në këtë gjenealogji kishin bij të ligh dhe të paperëndishëm. Emrat e Roboamit, Joramit, Amonit dhe Jekonias duhet të na japin mësime përulëse. Të gjithë ata kishin etër të perëndishëm. Por që të gjthë ishin njerëz të ligj. Hiri nuk trashëgohet në familje. Nevojitet diçka më tepër se thjesht shembujt e mirë dhe këshillat e mira për të na bërë fëmijë të Perëndisë. Ata që kanë lindur sërish nuk kanë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, dhe as nga vullneti i burrit, por kanë lindur nga Perëndia, (Gjoni 1:13). Prindërit duhet të luten natë e ditë që fëmijët e tyre të mund të linden prej Frymës.

Së treti dhe së fundi mësoni nga kjo listë emrash se sa e madhe është mëshira dhe dhembshuria e Zotit tonë Jezu Krisht. Mendoni sa e ndotur dhe e papastër që është natyra jonë; dhe pastaj mendoni se çfarë përulësie u tregua nga Ai që lindi prej një gruaje, dhe u “bë i ngjashëm me njerëzit.” Disa prej emrave që lexojmë në këtë katalog na kujtojnë histori të trishtuara dhe të turpshme. Disa prej emrave janë të njerëzve që nuk janë përmendur në asnjë vend tjetër në Bibël. Por në fund të të gjithëve vjen emri i Zotit Jezu Krisht. Edhe pse Ai është Perëndia i përjetshëm, Ai e përuli veten për t’u bërë njeri, në mënyrë që të siguronte shpëtim për mëkatarët. “Edhe pse ishte i pasur Ai u bë i varfër për hirin tuaj.”

Këtë katalog emrash duhet ta lexojmë gjithmonë me ndjenja mirënjohjeje. Këtu shohim që askush që është pjesë e natyrës njerëzore nuk mund të jetë përtej simpatisë dhe dhembshurisë së Krishtit. Mëkatet tona mund të jenë po aq të zeza dhe të mëdha sa dhe të njerëzve emrat e të cilëve na i jep Mateu në këtë listë. Por ato nuk mund të na mbajnë dot jashtë qiellit nëse pendohemi dhe e besojmë ungjillin. Nëse Jezusi nuk pati turp të lindte prej një gruaje, trashëgimia e të cilës përmbante emra të tillë si këta që lexojmë sot nuk ka pse të mendojmë që Ai do të ketë turp të na quajë vëllezër dhe të na japë jetën e përjetshme.

Mateu 1:18-25

Këto vargje fillojnë duke na treguar dy të vërteta të mëdha. Ato na thonë sesi Zoti Jezu Krisht mori natyrën tonë mbi veten e Tij dhe u bë njeri. Ato na thonë që lindja e Tij ishte e mrekullueshme. Nëna e tij Maria ishte e virgjër.

Këto janë tema tepër misterioze. Këto janë thellësi të cilat nuk kemi mundësi t’i matim. Këto janë të vërteta për të cilat nuk kemi mjaft mend që t’i kuptojmë. Le të mos përpiqemi të shpjegojmë gjëra të cilat janë përtej arsyes tonë të dobët. Le të jemi të kënaqur të besojmë me drojë dhe të mos spekulojmë rreth çështjeve që nuk mund t’i kuptojmë. Na mjafton të dimë që asnjë gjë nuk është e pamundur me Atë që krijoi botën. Le të mbështetemi tek fjalët e Kredos së Apostujve: “Jezu Krishti i cili u ngjiz nga Fryma e Shenjtë dhe lindi nga Virgjëresha Mari.”

Le të vëzhgojmë sjelljen e Jozefit sikurse na përshkruhet në këto vargje. Këtu kemi një shembull të bukur të urtësisë së perëndishme dhe të konsideratës së butë ndaj tjetrit. Jozefi pa “dukjen e ligësisë” tek ajo që i ishte premtuar atij. Por ai nuk bëri asgjë me nxitim. Ai priti me durim që t’i bëhej e qartë shtegu i detyrës. Ka shumë të ngjarë që ai ta ketë çuar këtë çështje përpara Perëndisë me lutje. “Ai që i beson atij nuk do të ngutet.” (Isaia 28:16).

Durimi i Jozefit u shpërblye në mënyrë bujare. Ai mori një mesazh të drejtpërdrejtë prej Perëndisë rreth arsyes së ankthit të tij, dhe kështu u çliruar menjëherë nga të gjitha frikërat e tij. Sa e mirë është të presësh Perëndinë! Kush është ai që i ka hedhur shqetësimet e veta mbi Perëndinë përmes një lutjeje zemre dhe të jetë zhgënjyer? “Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” (Fjalët e Urta 3:6).

Le të shohim dy emrat që jepen për Zotin tonë në këto vargje. Njëri është JEZUS, tjetri është EMANUEL. Njëri përshkruan ofiqin e Tij, tjetri përshkruan natyrën e Tij. Që të dy janë shumë interesantë.

Emri JEZUS do të thotë “Shpëtimtar.” Është i njëjti emër si Jozue në Dhiatën e Vjetër. Ky emër i është dhënë Zotit tonë për shkak se “ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.” Ky është ofiqi i Tij i veçantë. Ai i shpëton nga faji i mëkatit, duke i larë në gjakun e Tij pajtues. Ai i shpëton nga sundimi i mëkatit, duke vendosur në zemrat e tyre Frymën shenjtëruese. Ai i shpëton nga prania e mëkatit kur i merr nga kjo botë për t’u prehur bashkë me Të. Ai do t’i shpëtojë nga të gjitha pasojat e mëkatit kur t’ju japë një trup të lavdishëm në ditën e fundit. Të bekuar dhe të shenjtë janë njerëzit e Krishtit! Ata nuk shpëtohen nga brenga, nga konflikte dhe nga kryqi. Por ama shpëtohen nga mëkati përgjithmonë. Ata janë pastruar nga faji përmes gjakut të Krishtit. Ata janë bërë të përshtatshëm për qiellin prej Frymës së Krishtit. Ky është shpëtimi. Ai që mbahet pas mëkatit nuk është ende i shpëtuar.

Emri Jezus është një emër shumë inkurajues për mëkatarët e ngarkuar nga barra e mëkatit. Ai i cili është Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve me të drejtë mund të kishte marrë një titull që të tingëllonte më madhështor. Por Ai nuk veproi kështu. Sundimtarët e kësaj bote shpesh e kanë quajtur veten Madhështor, Fitimtar, Guximtar, i Madhërishëm dhe kështu me radhë. Biri i Perëndisë është i kënaqur ta quajë Veten Shpëtimtar. Shpirtrat që dëshirojnë shpëtim mund t’i afrohen Atit me guxim dhe të hyjnë brenda me siguri përmes Krishtit. Është shërbesa dhe kënaqësia e Tij të tregojë mëshirë. “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.” (Gjoni 3:17).

Emri Jezus është një emër veçanërisht i ëmbël dhe i çmuar për besimtarët. Ai shpesh ju ka bërë të mira kur favori i mbretërve dhe princave nuk do t’u kishte kushtuar vëmendje. Ky emër u ka dhënë atë që paraja nuk mund ta blejë dot, ju ka dhënë paqe të brendshme. I ka qetësuar ndërgjegjet e tyre të shqetësuara dhe ju ka dhënë prehje zemrave të tyre të rënduara. Kënga e Solomonit flet për përjetimin e shumë njerëze kur thotë, “emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur.” (Kantiku i Kantikëve 1:3). Lum ai person që beson jo thjesht në idetë e mjegullta rreth mëshirës dhe mirësisë së Perëndisë, por që beson në “Jezusin.”

Emri tjetër që jepet në këto vargje zor se është më pak interesant se ai që apo kemi trajtuar. Ky është emri që i është dhënë Zotit tonë për hir të natyrës së tij, si “Perëndia i shfaqur në mish.” Ai është quajtur EMANUEL, “Perëndia me ne.”

Le të kujdesemi që të kemi pamje të qartë rreth natyrës dhe personit të Zotit tonë Jezu Krisht. Kjo është një pikë me rëndësi shumë të thellë. Duhet ta ngulitim fort në mendjen tonë që Shpëtimtari ynë është njeri i përsosur si dhe Perëndi i përsosur, dhe Perëndi i përsosur sikurse edhe njeri i përsosur. Nëse e largojmë vështrimin nga kjo e vërtetë e madhe themelore mund të biem në herezi të frikshme. Emri Emanuel përmbledh gjithë misterin. Jezusi është “Perëndia me ne.” Ai kishte një natyrë si e jona në gjithçka vetëm me përjashtim të mëkatit. Por edhe pse Jezusi ishte “me ne” në mish dhe gjak njerëzor, në të njëjtën kohë Ai ishte vërtet Perëndi.

Shpesh do të zbulojmë ndërsa lexojmë Ungjijtë që Shpëtimtari ynë ishte i lodhur, i uritur dhe i etur – mund të qante, të rënkonte, dhe të ndjente dhimbje sikurse secili prej nesh. Në gjithë këtë shohim “njeriun” Krishtin Jezus. Këtu shohim natyrën që ai mori mbi vete kur lindi prej Virgjëreshës Mari.

Por në të njëjtët Ungjij do të gjejmë gjithashtu që Shpëtimtari ynë i njihte zemrat dhe mendimet e njerëzve, Ai kishte pushtet mbi demonët, Ai mund të bënte mrekullitë më të pushtetshme thjesht me një fjalë, Atij i shërbyen engjëjt, Ai e lejoi një prej dishepujve të Tij ta quante “Perëndia im,” dhe që tha, “Para se të ishte Abrahami, Unë jam,” dhe “Unë dhe Ati im jemi një.” Në gjithë këtë shohim “Perëndinë e përjetshëm.” Shohim Atë i cili është “përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen” (Romakëve 9:5).

A dëshiron të kesh një themel të fortë për besimin dhe shpresën tënde? Atëherë mbani vazhdimisht përpara syve tuaj hyjninë e Shpëtimtarit tuaj. Ai në gjakun e të cilit jeni mësuar të besoni është Perëndia i Plotfuqishëm. I gjithë pushteti i takon Atij në qiell dhe mbi dhe. Askush nuk mund t’ju rrëmbejë dot nga dora e Tij. Nëse jeni një besimtari i vërtetë në Jezusin, zemra juaj mos shqetësoftë dhe mos u frikësoftë.

A dëshiron të kesh një ngushëllim të ëmbël në vuajtje dhe sprova? Atëherë mbani vazhdimisht përpara syve tuaj njerëzinë e Shpëtimtarit tuaj. Ai është njeriu Krishti Jezu që u preh në gjoksin e Virgjëreshës Mari, si një foshnjë e vogël dhe i njeh zemrat e njerëzve. Ai mund të preket nga ndjesia e dobësive të tua. Ai vetë ka përjetuar tundimet e Satanit. Ai duroi urinë. Ai derdhi lot. Ai ndjeu dhimbje. Besoji Atij gjithmonë me të gjitha brengat e tua. Ai nuk do të të përbuzë. Derdheni plotësisht zemrën tuaj para Atij në lutje, dhe mos mbani asgjë. Ai mund të simpatizohet me njerëzit e Tij.

Lërini këto mendime që të zhyten thellë në mendjet tuaja. Le të bekojmë Perëndinë për të vërtetat inkurajuese që përmban ky kapitull i parë i Dhiatës së Re. Ai na tregon për Atë që “e shpëton popullin e Tij nga mëkatet e tyre.” Por kjo nuk është e gjitha. Ai na tregon që ky Shpëtimtar është “Emanueli,” Perëndia Vetë, e megjithatë Perëndia me ne, Perëndia i shfaqur në mish njerëzor sikurse ne. Ky është lajm i gëzueshëm. Ky është me të vërtet lajm i mirë. Le të ushqehemi me këto të vërteta në zemrat tona me besim dhe falënderim.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*