Pacifisti Sypatrembur

Meno Simons
1496–1561
nga Ryan Griffith

Nëse keni dëgjuar ndonjëherë për grupimin bashkëkohor të Menonitëve do të habiteni kur të merrni vesh se themeluesi i këtij grupi filloi si një prift katolik, i cili nuk e kishte lexuar kurrë Biblën.

Një Prift pa Biblën

Në vitin 1542, kur ishte në moshën 28 vjeçare Meno Simons u shugurua si prift i Kishës Katolike në Ultreht, qytet i cili asokohe i përkiste Gjermanisë. Edhe pse e njihte greqishten dhe latinishten dhe e kishte studiuar me themel doktrinën katolike, Simonsi vetë nuk i kishte lexuar kurrë Shkrimet. “Nuk i kisha prekur kurrë me dorë në jetën time”, vetë ai shkroi më vonë, “sepse kisha frikë që po t’i lexoja do të më largonin nga udha e drejtë”.

Në vitin 1526, ai nisi ta vinte në dyshim vërtetësinë e doktrinës katolike të transubstancionit (ideja që buka dhe vera transformohen në vetë mishin dhe gjakun e Jezusit gjatë Darkës së Zotit). Simonsi mendonte që ky dyshim mund të vinte nga djalli që po përpiqej ta mashtronte, prandaj me shumë ngurrim nisi të studionte Biblën. Ndonëse nuk e gjeti gjëkundi doktrinën e transubstancionit, ai zbuloi ungjillin e shpëtimit prej hirit me anë të besimit në Krishtin! Kështu ai nisi t’i ndante zbulimet e tij me të tjerët gjatë predikimeve dhe kjo bëri që ai të bëhej një figurë e rëndësishme për atë pjesë të vendit si predikues ungjillor.

Tym pa Flakë

Studimi i tij e bindi Menon për autoritetin e pakrahasueshëm të Biblës, duke e nxitur atë që t’i shqyrtonte doktrinat katolike nën dritën e Shkrimit. Ai gjithashtu e hodhi poshtë praktikën e pagëzimit të foshnjave si jobiblike dhe filloi t’i nxiste anëtarët e bashkësisë që të pagëzoheshin në përputhje me rrëfimin e tyre të besimit në Krishtin. Pavarësisht se përqafoi doktrinë ungjillore, Meno vazhdoi të shërbente si prift në Kishën Katolike dhe punoi për reformimin e saj. Megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj, lidhja e tij me mësimin biblik ishte thjesht intelektuale. Ai e vlerësonte aromën e ëmbël të famës së tij të posafituar, por i mungonte flaka e pastër e dashurisë së vërtetë për Krishtin.

Ekzekutimi i treqind anabaptistëve në Manastirin e Vjetër afër Bolsvardit në prill të vitit 1535 e çoi në një pikë krize:

Reflektova rreth jetës sime të papastër dhe mishtore, si dhe rreth doktrinës hipokrite dhe idhujtarisë që ende praktikoja çdo ditë nën petkun e perëndishmërisë, por pa e përjetuar vetë. Zemra m’u drodh në kraharor. Iu luta Perëndisë me psherëtima dhe lot që Ai të më jepte mua mëkatarit të pikëlluar dhuratën e hirit të Tij, të krijonte në mua një zemër të re, si dhe në mënyrë të hirshme përmes meritave të gjakut të kuq flakë të Krishtit të më falte për ecjen time të papastër dhe për jetën time të pavlerë.

I lodhur prej mëkateve të krenarisë, ngurrimit dhe dashurisë për rehati, Simonsi në mënyrë të prerë e mohoi “famën e botës, emrin dhe pozitën.” “Në dobësinë time”, shkroi ai, “u frikësova prej Perëndisë; kërkova të devotshmit dhe megjithëse ishin të paktë në numër, gjeta në mes tyre disa që ishin të zellshëm dhe që e ruanin me mish e me shpirt të vërtetën”.

Armik i Shtetit dhe Djalli dora vetë

Pasi u pagëzua, Simonsi sakaq iu fut punës për predikimin e Ungjillit dhe shtjellimin e Shkrimeve, si dhe nisi të ndërmerrte udhëtime të shpeshta. Simonsi zbuloi që djalli e kishte mbajtur larg Biblës dhe kthimit të vërtetë në besim dhe tani ishte i vendosur që të kthehej në një armik të përbetuar të Satanit. Predikimi i tij shumë shpejt nxiti zemërimin e drejtuesve të kishës katolike. Vetë Perandori Karli V nxori një dekret të posaçëm kundër Simonsit, ku ofronte një shpërblim të konsiderueshëm për këdo që mund ta dorëzonte në duart e autoriteteve.

Megjithatë, Simonsi i këshilloi reformatorët e tjerë anabaptistë që të hiqnin dorë nga mjetet e dhunshme për realizimin e reformës, nxiti pacifizmin dhe veçimin nga pushtetet e kësaj bote. Predikimi dhe reformat e tij ishin aq të suksesshme saqë kur kishte mbaruar punë, anabaptistët e Gjermanisë veriore dhe ata të Holandës do të njiheshin me emrin Menonitë. Në 25-vjetorin e poshtëhedhjes të Katolicizmit, shëndeti i Simonsit u përkeqësua sa hap e mbyll sytë dhe ai vdiq të nesërmen, më 31 Janar 1561, në moshën 66-vjeçare.

Jo më i larguar nga udha e drejtë

Ashtu siç veproi me Menon e ri, armiku ynë i lashtë, djalli, përpiqet të na mbajë edhe neve larg udhës së drejtë. Ai dëshiron të na mbajë larg Shkrimit, larg frikës së Perëndisë, larg rrëfimit të mëkatit, dhe larg besimit të përulur. Përkundrazi, “me psherëtima dhe lot” u përgjërofshim edhe ne që të marrim me gëzim dhuratën e hirit në Shpëtimtarin tonë të premtuar Jezu Krisht.

Edhe pse fillimisht i rezistova Fjalës Tënde të çmuar dhe vullnetit Tënd të shenjtë me të gjitha fuqitë e mia… megjithatë, hiri Yt atëror nuk më harroi mua një mëkatar të mjerë, por me dashuri më pranove,… dhe më mësove përmes Frymës së Shenjtë, derisa me vullnet të lirë i shpalla luftë botës, mishit dhe djallit… dhe me gatishmëri iu nënshtrova kryqit të rëndë të Zotit tim Jezu Krisht me qëllim që të trashëgoj mbretërinë e premtuar. (Simons, Meditim rreth Psalmit Njëzetë e Tre).


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*