Përkthyesi i Fshehtë

Uilliam Tindëll
1494–1536

nga Xhon Pajpër

Në fillim të viteve 1530 një tregtar Anglez i quajtur Stefan Vugan u urdhërua nga Mbreti Henri VIII që të gjente Uilliam Tindëllin dhe ta informonte që mbreti dëshironte që ai ta linte Evropën dhe të kthehej në mëmëdhe. Në një letër tëshkruar më 19 qershor 1531, Vugan shkroi për Tindëllin (1494-1536) këto fjalë të thjeshta: “Kam vënë re që ai është nga ata që në një vrimë i bien fyellit”.

Vrima në të cilën i binte fyellit Tindëlli ishte kjo: “A do ta lejojë mbreti i Anglisë përkthimin e Biblës në gjuhën e folur të popullit të tij? Nëse jo, Tindëlli nuk do të kthehet. Nëse po, Tindëlli do t’i dorëzohet mbretit dhe nuk do shkruajë më asnjë libër”.

Mbreti refuzoi. Prandaj Tindëlli nuk u kthye më kurrë në mëmëdhe. Për shkak se mbreti dhe Kisha Katolike nuk do të lejonin kurrë përkthimin dhe shtypjen e Biblës në anglisht për t’u lexuar nga njerëzit e zakonshëm, ishte Tindëlli ai që e bëri këtë edhe pse e dinte se kjo mund t’i kushtonte jetën e vet. Kështu edhe ndodhi në realitet.

Bujqit do ta njohin Biblën e tyre

Në vitin 1522, kur ai ishte në moshën 28-vjeçare,Tindëlli shërbente si mësues privat në shtëpinë e Gjon Uolshit në Gloçestershajër të Anglisë, dhe pjesën më të madhe të kohës së vet e kalonte duke studiuar Dhiatën e Re në greqisht të botuar nga Erazmi, e cila ishte botuar vetëm gjashtë vite më parë, në vitin 1516.

Teksa të vërtetat e Reformimit po bëheshin edhe më të qarta për Tindëllin përmes Dhiatës së Re në greqisht, ai ra në sy në shtëpinë katolike të Gjon Uolshit. Gjon Foks na tregon që një ditë një studiues i bezdisur katolik teksa po hante darkë me të zotin e shtëpisë në prani të Tindëllit tha: “Më mirë të mos kishim ligjin e Perëndisë sesa atë të papës”.

Tindëlli kërceu i kuq flakë dhe plot pasion tha fjalët e tij të famshme: “Unë e sfidoj papën dhe gjithë ligjet e tij… Nëse Perëndia ma kursen jetën për shumë vite, do të bëj që edhe një djalosh fshati që lëron me parmendë të dijë më tepër nga Shkrimet sesa ti”.

Kreshendoja e fyellit

Katër vite më pas, në Vorms të Gjermanisë, Tindëlli ia doli ta përkthente në anglisht Dhiatën e Re në greqisht dhe filloi ta fuste kontrabandë në Angli duke e fshehur mes dengjeve të rrobave. Në tetor 1526, Peshkopi Tanstall e kishte ndaluar qarkullimin e Biblës në Londër, por ishin shtypur të paktën tre mijë kopje. Librat po arrinin në duart e njerëzve. Përgjatë tetë viteve në vijim, u printuan edhe pesë botime të tjera të paligjshme.

Në vitin 1534, Tindëll botoi një Dhiatë të Re të rishikuar, pasi ndërkohë kishte mësuar edhe hebraishten, ndoshta në Gjermani, gjë e cila e ndihmoi të kuptonte më mirë lidhjet mes Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re. Biografi i tij David Daniel e quan këtë version të Dhiatës së Re të vitit 1534 si “kryevepra e jetës së tij” (Uilliam Tindëll, 316). Nëse Tindëlli vazhdonte t’i “binte fyellit po në një vrimë” kjo ishte kreshendoja e këngës së jetës së tij – Dhiata e Re e përfunduar dhe e rishikuar në gjuhën Angleze.

Për herë të parë në histori, Dhiata e Re në greqisht u përkthye në Anglisht. Para martirizimit të tij në vitin 1536, Tindëlli do të përkthente në një anglishte të qartë e të përditshme jo vetëm Dhiatën e Re por gjithashtu edhe Pesëlibërshin, nga Jozueu tek 2 Kronikave dhe Jonën. I gjithë ky material u bë baza e Biblës së Madhe që u botua nga Majëlls Kavërdejll në Angli në vitin 1539 si dhe baza për Biblën e Gjenevës, e cila u botua në vitin 1557 – “Bibla e kombit”, që u shit në më tepër se një milionë kopje nga viti 1560 deri 1640.

Përkthimi i Biblës dhe e vërteta e Ungjillit

Çfarë e shtyu Tindëllin që gjithë jetën e vet t’i binte fyellit po në një vrimë? Ishte bindja e tij e palëkundur që të gjithë njerëzit janë skllevër të mëkatit, të verbër, të vdekur, nën mallkim dhe të pashpresë, si dhe që Perëndia kishte vepruar në Krishtin për të siguruar shpëtim prej hirit përmes besimit. Kjo gjë ishte e fshehur në Biblën në latinisht dhe në sistemin kishtar të pendesave dhe të veprave të mira. Kjo ishte arsyeja se përse Bibla duhej përkthyer dhe në fund të fundit kjo është arsyeja pse Tindëlli u martirizua. Ai shkroi:

Është besimi, nëna e gjithë veprave të mira, që na shfajëson përpara se të bëjmë ndonjë vepër të mirë: ashtu sikurse bashkëshorti martohet me bashkëshorten para se mund të ketë fëmijë të ligjshëm me të. (Uilliam Tindëll, fq. 156-57)

Njeriu është i humbur, frymërisht i vdekur dhe i dënuar. Perëndia është Sovran, Krishti është i gjithmjaftueshëm, besimi është gjithçka. Përkthimi i Biblës dhe e vërteta e Biblës ishin të pandashme për Tindëllin, dhe ishte pikërisht e vërteta – posaçërisht e vërteta e shfajësimit vetëm me anë të besimit – ajo e cila e përflaku Britaninë me zjarrin e Reformimit dhe që solli dënimin me vdekje të përkthyesit të Biblës.

Në tetor të vitit 1536, në moshën 42-vjeçare, fyelli me një vrimë i Tindëllit u thye teksa e lidhën pas turrës së druve, u mbyt nga xhelati dhe u përcëllua nga flakët. Por për shkak të përkthimit të tij të Biblës në gjuhën e përditshme, fishkëllima u shndërrua në një kor të madh britanik të përbërë prej shërbëtoresh, këpucarësh, si dhe madje bujqish të rinj.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*