Pse duhet që Shpengimtari të jetë vërtet njeri?

Pyetja 22

Pse duhet që Shpengimtari të jetë vërtet njeri?

Në mënyrë që në natyrë njerëzore për llogarinë tonë ai të ketë mundësi t’i bindet në mënyrë të përsosur gjithë ligjit dhe të vuante ndëshkimin për mëkatin njerëzor; gjithashtu që të ketë mundësi të simpatizohet me dobësitë tona.

Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.

Hebrenjve 2:17

Komentim

Biri i Perëndisë u bë njeri për t’i aftësuar njerëzit që të bëhen bij të Perëndisë. Biri, Personi i dytë i Hyjnisë, u bë Vetë njeri, lindi vetë në këtë botë si njeri – një njeri real me një shtat të caktuar, me flokë me ngjyrë të caktuar, foli një gjuhë të caktuar, madje kishte një peshë të caktuar. Qenia e Përjetshme, që di gjithçka dhe që e krijo gjithë universin, nuk u bë thjesht njeri por para kësaj u bë një foshnjë. Rezultati i kësaj gjëje ishte që tani kishim një njeri që me të vërtetë ishte gjithë sa u krijua njeriu të ishte. Për shkak se gjithë vështirësia jonë është që në një farë kuptimi jeta natyrore duhet “vrarë”, Ai zgjodhi një karrierë tokësore që përfshinte vrasjen e dëshirave të Tij njerëzore në çdo pikë – varfëri, i keqkuptuar prej familjes së tij, i tradhtuar nga një prej miqve të tij të ngushtë, u tall dhe u rrah prej ushtarëve, u ekzekutua me torturë. Pasi e vranë në këtë mënyrë – në një farë kuptimi çdo ditë e kishin vrarë krijesën njerëzore në Të, për shkak se ajo ishte e bashkuar me Birin hyjnor u kthye sërish në jetë.

Njeriu në Krishtin u ngjall sërish; jo vetëm Perëndia. Kjo është e gjithë ideja. Për herë të parë pamë një njeri të vërtetë që ishte ringjallur plotësisht dhe në mënyrë madhështore. Cili pra është ndryshimi që Ai ka sjellë tek gjithë masa njerëzore? Është thjesht ky: që për ne është bërë e mundur që të bëhemi bij të Perëndisë, të kthehemi nga një qenie e krijuar në një të lindur, të kalojmë nga jeta e përkohshme biologjike në jetën e pafundme ‘frymërore’. Sigurisht, këtë gjë mund ta shprehni në mënyra nga më të ndryshmet. Mund të thoni që Krishti vdiq për mëkatet tona. Mund të thoni që Ati na ka falur për shkak se Krishti ka bërë për ne atë që ne duhej të kishim bërë. Mund të thoni që Krishti e ka mundur vdekjen. Që të gjitha këto janë të vërteta.

C. S. Ljuis (C. S. Lewis, 1898–1963). Profesor i letërsisë Angleze në Universitetin e Oksfordit dhe njëkohësisht drejtor i Katedrës së Anglishtes në Universitetin e Kembrixhit. Ljuis shkroi kritika letrare, letërsi për fëmijë, letërsi fantastiko shkencore, si dhe teologji. Veprat e tij më të njohura janë Thjesht Krishterim, Letrat e Hirziut dhe Kronikat e Narnias. Ljuis ishte anëtar i Kishës së Anglisë. Kthimi i tij në Krishterim u ndikua prej mikut dhe kolegut të tij në Oksford J. R. R. Tolkien.

Lutje

Kush mund të më çlirojë nga Duart e Perëndisë? Çfarë mase mund të ndërmarr, apo kush mund të jetë Mbrojtësi im? A nuk ka asnjë që të quhet Shpëtimtar dhe Çlirimtar i fuqishëm? Emrin e Tij do ta thërras me zë të lartë; Jezus, i bekuari Jezus. Ky, ky është Ai, Gjykatësi para të cilit dridhem, por gjithashtu Shpëtimtari tek i cili besoj. O Jezus, Jezus, në këtë emër të bekuar përgjërohem që të më trajtosh sipas rëndësisë së këtij emri. Ky është një emër plot dashuri, plot kënaqësi, plot ngushëllim, plot siguri të shenjtë për çdo mëkatar që gjen strehë në të.

Çfarë kuptimi ka emri Jezus, veçse Shpëtimtar? Për çfarë arsye e more këtë emër veçse për ta bërë plotësisht të vërtetë duke e shpëtuar popullin tënd prej mëkateve të tyre? Për hir të emrit tënd të përgjërohem të jesh me të vërtetë Jezusi im. Ti më ke krijuar, prandaj mos e shkatërro veprën e duarve të tua. Ti më ke shpenguar, mos e hidh tutje atë që ke blerë me gjakun tënd të çmuar. Të rrëfej që paudhësitë e mia janë të shumta dhe të mëdha e megjithatë as në masë dhe as në numër nuk ia kalojnë mirësisë dhe fuqisë tënde që nuk njeh kufij; prandaj të përgjërohem përmes gjithë shfaqjeve të shkuara të dashurisë dhe interesimit tënd ashtu siç është madhështia jote bëj që të jetë edhe mëshira jote ndaj meje, e pafundme. Kujto o Zot që unë jam i yti. Jam yti o Shpëtimtar i dashuri dhe i mirë, që së bashku me Atin dhe Frymën e Shenjtë adhurohesh dhe përlëvdohesh, përgjithmonë një Perëndi në përjetësi. Amen.

Augustini i Hipos (354-430). Augustini ishte peshkopi i Hipos, një koloni Romake në Afrikën e Veriut. Ai ishte filozof, teolog dhe konsiderohet shenjtor dhe Doktor i Kishës si nga Kisha Katolike ashtu dhe nga Bashkësia Anglikane. Ai shkroi një libër për kthimin e tij në besim të cilin e titulloi ‘Rrëfimet’. Kjo është vepra e tij më e njohur, por në të njëjtë kohë Augustini është një prej autorëve Latinë më të frytshëm për sa i përket veprave që i kanë mbijetuar kohës me qindra tituj të veçantë (vepra apologjetike, tekste për doktrinën e krishterë, dhe komentarë) dhe më shumë se 350 predikime të ruajtura deri më sot.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*