Qiriu Britanik

Hju Latimer & Nikolas Ridli
Martirizuar ne vitin 1555

nga Skot Habërd

Për këdo që e njeh mirë Reformimin Anglez, mbiemri Latimer tingëllon paksa i paplotë në vetvete po qe se nuk shoqërohet edhe prej llagapit Ridli.

Peshkopët Hju Latimer dhe Nikolas Ridli janë lidhur së bashku në histori për shkak se u lidhën të dy së bashku pas të njëjtës turrë me dru në 16 tetor 1555, në një fushë në veri të Oksfordit. Mirëpo, Latimeri dhe Ridli kanë më shumë pika të përbashkëta sesa martirizimin e njëkohshëm. Të dy këta peshkopë shfaqen së bashku edhe në listën e reformatorëve më me ndikim të Anglisë, këtyre burrave dhe grave, besnikëria e të cilëve ndaj Shkrimit dhe lavdisë së Krishtit e transformoi Anglinë nga një mbretëri katolike në një fanar të reformimit.

Si Latimeri ashtu dhe Ridli jetuan gjatë mbretërimit të katër monarkëve Anglezë: Henri VII, Henri VIII (ai që mori shumë gra), Eduardi VI, dhe Maria I (që ndryshe njihet si “Maria Gjakatare”). Që të dy u bënë dëshmitarë të lojës tërhiqe e mos e këput që luajti Henri VIII tek bënte sikur e pranonte reformimin, të përqafimit të ngrohtë që i bëri atij Eduardi VI, si dhe të qëndresës së dhunshme të Marisë I ndaj doktrinës së Reformuar. Por ata vetë ishin jashtëzakonisht shumë më tepër se thjesht vëzhgues të rastit.

Latimer Predikuesi

Latimeri lindi rreth vitit 1485 dhe tridhjetë vitet e para të jetës sëvet i kaloi si një katolik i zellshëm, apo siç thoshte ai vetë, si një “papist kokëfortë”. “Unë isha mbase papisti më kokëfortë i mbarë Anglisë”, shkroi ai, “aq sa kur do të merrja diplomën në teologji i gjithë fjalimi im u drejtua kundër Filip Melanktonit [krahu i djathtë i Martin Luterit].

Por shumë shpejt pas fjalimit të Latimerit kundër Reformimit, një profesor i ri i Kembrixhit i quajtur Tomas Bilni iu drejtua me një kërkesë: A do të pranonte Latimeri që privatisht t’i shpjegonte besimin e reformuar? Latimeri ra dakord dhe prej këtij çasti ai “nisi ta nuhaste Fjalën e Perëndisë dhe i harroi doktorët skolastikë dhe marrëzitë e tjera të këtij lloji.” Latimeri mblodhi shigjetat që kishte hedhur kundër Reformimit dhe nisi ta drejtonte harkun në drejtimin të kundërt. Gjatë dy dekadave në vazhdim Latimeri u dallua si një predikues i zjarrtë i reformimit, me raste gëzoi edhe favorin e Henrit VIII për këtë gjë dhe me raste të tjera i druhej përndjekjes së këtij të fundit (dhe kjo varej nga gjendja emocionale dhe shpirtërore e mbretit).

Ndoshta vitet më të frytshme të shërbesës së Latimerit ishin ato nën mbretërimin e shkurtër të Eduardit VI, nga viti 1547 deri 1553. Pavarësisht moshës së tij, Latimer mbështeti Kryepeshkopin e Kentërbërit Tomas Krenmër në reformimin e Kishës së Anglisë, dhe ai vete predikoi si dikush që nuk reshte dot së predikuari. Sipas J. C. Ryle: “Ka të ngjarë që asnjë nga reformatorët nuk i mbolli me aq bollëk dhe efikasitet farat e doktrinës protestante në shtresat e mesme dhe ato të ulëta sa Latimeri”.

Pastaj në vitin 1553, Mbretëresha Mari erdhi në pushtet dhe Latimerin e dërguan në një qeli të burgut që ishte Kulla e Londrës.

Ridli Studiuesi

Ridli, i cili ishte pothuaj njëzetë vjet më i ri se Latimeri, lindi rreth vitit 1502 pranë kufirit me Skocinë. Gjatë pesë dekadave vijuese, ai do të bëhej intelektuali më i zotë i Anglisë dhe shkoi aq larg sa i mësoi përmendësh të gjitha letrat e Dhiatës së Re, por e bëri këtë në greqishten koine.

Pasi ndoqi studimet pranë Kolegjit Pembrok të Kembrixhit gjatë viteve të adoleshencës, Ridli i vazhdoi studimet në Francë, ku me shumë gjasa ra në kontakt me mësimet e Reformimit. Ndryshe nga Latimeri, Ridli nuk la ndonjë tregim të qartë rreth shndërrimit të tij nga një prift katolik në një predikues protestant. Mirëpo, dihet botërisht se ai e firmosi dekretin e vitit 1534 kundër epërsisë së papës dhe tri vjet mëpas pranoi postin e kapelanit pranë Kryepeshkopit Krenmër, duke hedhur poshtë në vitin 1545 doktrinën Katolike të transubstacionit. Pasi u caktua peshkop i Londrës në vitin 1550, i zëvendësoi altarët prej guri të kishave të kryeqytetit anglez me tryeza të thjeshta prej druri. Sipas Ridlit dhe reformatorëve, Darka e Zotit ishte një festë frymërore, jo një sakrificë që duhej përsëritur pafundësisht.

Dhuntitë akademike të Ridlit e çuan nga një post në tjetrin, madje edhe nën mbretërimin tekanjoz të Henrit VIII. Nga Kentërbëri në Uestminster, në Soham, në Roçester dhe në Londër, Ridli studioi e predikoi, ndërsa pas ardhjes në pushtet të Eduardit VI iu përkushtua realizimit të reformave të filluara prej Krenmërit.

Mirëpo, ja tek erdhi mbretërimi i Gjakatares Mari dhe Ridli përfundoi bashkë me Latimerin në burgun që ishte Kulla e Londrës.

Qiriu i Anglisë

Më 16 Tetor 1555, pasi kishin kaluar tetëmbëdhjetë muaj në qeli, Latimeri dhe Ridli u takuan mbi një turrë drush në Oksford. Latimeri ishte i veshur me veladon dhe kësulë, kurse Ridlime xhyben e peshkopitë; që të dy folën dhe u lutën bashkë përpara se xhelati t’i lidhte me litar pas turrës së druve.

Ridli ishte i pari që e inkurajoi mikun e vet. “Bëhu trim vëlla, sepse Perëndia ose do ta shuajë fuqinë e flakës ose do të na bëjë aq të fortë që ta durojmë atë”. Teksa kapica e shkarpave mori flakë poshtë tyre, i erdhi radha Latimerit. Duke e ngritur zërin që të dëgjonte Ridli ai klithi: “Ngushëllohu imzot Ridli, dhe bëhu burrë; sepse sot me hirin e Perëndisë do të ndezim në Angli një qiri, i cili nuk besoj se do të shuhet ndonjëherë”.

Tri vjet më pas Maria I shkoi në atë botë dhe kurora i kaloi thjeshtrës së saj Elisabetë, e cila ishte një mbretëreshë protestante. Në kohën e saj qiriu i Latimerit dhe Ridlit u kthye në një pishtar që ndriçoi gjithë Anglinë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*