Shitja e Jozefit dhe Biri i Perëndisë

09 Shtator 2007 | prej Xhon Pajpër

Zanafilla 37:1-36

Fjalë të mahnitshme për Abramin

Para se të ritregojmë historinë e Jozefit, mëkatit spektakolar të vëllezërve të tij dhe qëllimit të tij global në lavdinë e Jezu Krishtit, le të kthehemi tek Zanafilla 12. Perëndia e ka zgjedhur Abramin nga gjithë popujt e botës përmes hirit të lirë dhe kjo nuk i detyrohet asgjëje tek ai. Tek Zanafilla 12:2-3, Perëndia i bëri atij një premtim, “Do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.” Ky është fillimi i popullit të Izraelit përmes të cilit do të vijë në botë Jezu Krishti, Mesia, Biri i Perëndisë, për të na shpëtuar nga mëkatet tona.

Pastaj tek Zanafilla 15, Perëndia bën një besëlidhje formale me Abramin, Ai përdor një veprim simbolik të jashtëzakonshëm dhe disa fjalë të mahnitshme. Ai i thotë Abramit tek Zanafilla 15:13-16, “Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet. Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qënë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha… por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse padrejtësia e Amorejve s’ka arritur ende kulmin.”

Katërqind vjet!

Kështu pra, në fillim të marrëdhënies së besëlidhjes me popullin e tij të zgjedhur, Perëndia parashikon një qëndrim 400 vjeçar në Egjipt dhe kthimin në tokën e premtuar. “do të jenë… njerëz të shtypur për katërqind vjet.” Ai ka arsyet e tij të çuditshme përse duhet të largohen për katërqind vjet (mendoni pak!) dhe të mos e trashëgojnë tani vendin, saktësisht, vargu 15, “sepse padrejtësia e Amorejve s’ka arritur ende kulmin.” Kur Izraelitët kthehen për të zotëruar vendin nën udhëheqjen e Jozueut pas katërqind vjetësh, ata do t’i shkatërrojnë këto kombe. Si duhet ta kuptojmë këtë gjë? Ligji i Përtërirë 9:5 na jep përgjigjen e Perëndisë, “Jo, nuk është as nga drejtësia jote as nga ndershmëria e zemrës sate, që ti hyn për të pushtuar vendin e tyre, por nga ligësia e këtyre kombeve që Zoti, Perëndia yt, po i dëbon para teje, dhe për të mbajtur fjalën e dhënë etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.” Pushtimi i tokës së premtuar është gjykimi i Perëndisë ndaj plotësisë së shekujve të paudhësisë.

Populli i Perëndisë hyn përmes shumë vuajtjeve

Ndërkohë, Perëndia thotë se populli i tij do të jetë i huaj në një vend që nuk është i tyre, do të shtypen për katërqind vjet, më saktësisht në Egjipt. Ja ku është plani i Perëndisë për pupullin e tij shtegëtar, një lloj tablloje për jetën tuaj mbi këtë tokë deri në qiell. Nëse Perëndia planifikon katërqind vjet vuajtje për popullin e tij (Zanafilla 15:13) para tokës së premtuar, nuk duhet të habitemi që ai na thotë ne “me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.” (Veprat 14:22).

Profeci e përmbushur përmes një mëkati spektakolar

Pyetjet për ne sot janë: Si do të ndodhë që populli i Perëndisë të përfundojë në Egjipt? Çfarë dëshiron t’u mësojë Perëndia atyre për udhët e tij, për Birin e tij përmes këtij qëndrimi të çuditshëm në Egjipt? Përgjigja është se Perëndia e përmbush këtë profeci përmes një mëkati spektakolar. Dhe përmes këtij mëkati, ai ruan gjallë jo vetëm popullin e tij të besëlidhjes Izraelin, por gjithasht edhe fisin nga i cili do të vijë Luani i Judës i cili do të shpëtojë dhe sundojë popujt. Prandaj në historinë e Jozefit rrezikohen gjëra të mëdha.

Abrahami, Isaku dhe Jakobi

Nëse i kthehemi Abramit, le të kalojmë historinë për të arritur tek Jozefi. Abrahamit i lindi një bir Isaku. Isakut i lindi një bir Jakobi (emri tjetër i të cilit është Izrael), dhe Jakobi kishte dymbëdhjetë bij. Jozefi sheh dy ëndrra. Në të dyja njëmbëdhjetë vëllezërit e tij dhe prindërit e tij përulen para tij. Zanafilla 37:8 thotë se vëllezërit e tij e urrenin për shkak të këtyre ëndrrave. Dhe vargu 11 thotë se ata ishin zhelozë.

Shkatërrimi i Ëndërruesit

Erdhi dita kur ata mund ta shfrynin tërbimin e tyre kundër vëllait të tyre. I ati e dërgon të shohë nëse vëllezërit e tij janë mirë (Zanafilla 37:14). Ata e shohin duke ardhur dhe thonë në vargjet 19-20, “Ja ku po vjen ëndërruesi! Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç’përfundim do të kenë ëndërrat e tij.” Rubeni u përpoq ta shpëtonte Jozefin por përpjekja e tij është pjesërisht e suksesshme pasi vëllezërit e shitën Jozefin si skllav tek një karvan Ismaelitësh që po shkonin në Egjipt (v.25). Ata mbajtën rrobën e tij të veçantë, e ngjyen me gjakun e një kafshe dhe babai i tij mendon që atë e kishin ngrënë bishat e egra. Vëllezërit mendojnë se kaq e pati kjo punë.

Një dorë e padukshme në veprim

Por ata nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh. Ata janë krejtësisht të paditur ndaj dorës së padukshme të Perëndisë në veprim. Ata nuk e dinë se në vetë përpjekjen e tyre për ta shkatërruar këtë ëndërrues, ata po plotësojnë ëndërrat e Jozefit. Oh sa shpesh punon Perëndia në këtë mënyrë! Ai merr mëkatet e shkatërruesve dhe i bën ato mjetet e çlirimit të tyre.

Potifari, Burgu, Providenca

Në Egjipt, Jozefi blihet prej Potifarit, një oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve (Zanafilla 37:36). Atje Jozefi i nënshtrohet providencës së çuditshme të Perëndisë dhe i shërben Potifarit me besnikëri. Ai ngrihet në besim dhe ndikim në shtëpinë e Potifarit. Dhe kështu do të mendonit që i drejti do të begatohej. Por duket se ndodh ndryshe. Gruaja e Potifarit përpiqet ta joshë Jozefin. Ai i largohet kurorëshkeljes. Kjo grua e tërbuar tregohet e pamëshirshme dhe gënjen për Jozefin. Pavarësisht drejtësisë së tij, atë e fusin në burg.

Sërish, në burg, duke mos qenë i vetëdijshëm për atë që Perëndia po bënte në gjithë këtë mister, ai i shërben gardianit me besnikëri dhe kështu i jepet besim dhe përgjegjësi. Përmes interpretimit të dy ëndërrave të bukëpjekësit dhe kupëmbajtësit të Faraonit, më në fund Jozefin e nxjerrin nga burgu për të interpretuar ëndërrat e Faraonit. Interpretimi i tij del i vërtetë dhe urtësia e tij i duket bindëse Faraonit kështu Jozefi u bë komandant në Egjipt. Faraoni i thotë, “Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t’u bindet urdhërave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti” (Zanafilla 41:40).

Ëndërra plotësohet

Shtatë vite bollëk u pasuan nga shtatë vite zi buke në vend, ashtu si kishte thënë Jozefi se do të ndodhte. Jozefi mënjanon vdekjen nga uria në Egjipt duke grumbulluar rezerva të mëdha gruri gjatë shtatë viteve të mira. Më në fund, vëllezërit e Jozefit dëgjojnë që në Egjipt ka grurë dhe shkojnë e kërkojnë ndihmë.

Në fillim ata nuk e njohin vëllain e tyre, por më në fund ai ua zbulon veten. Ai kishte qenë shtatëmbëdhjetë vjet kur ata e shitën si skllav (37:2) dhe tani është tridhjetë e nëntë vjet kur ai u tregon vëllezërve të tij se kush është (41:46, 53, 45:6). Kishin kaluar njëzetë e dy vjet. Ata shastisen. U përpoqën ta hiqnin qafe ëndërruesin dhe duke e hequr qafe ata i plotësuan ëndrrat e tij. Më në fund vëllezërit po përkulen para Jozefit.

Pastaj ai i fton ata të jetojnë në Egjipt për t’u shpëtuar jetën dhe kështu fillon plotësimi i profecisë së lashtë që pasardhësit e Abrahamit do të qëndronin 400 vjet në Egjipt. Prandaj sërish pyesim, Si përfundoi populli i Perëndisë në Egjipt në përmbushje të planit të Perëndisë? Gjithashtu, çfarë dëshiron të na mësojë Perëndia rreth udhëve të tij dhe Birit të tij përmes këtij qëndrimi të çuditshëm në Egjip?

Dy përshkrime Biblike të kësaj përmbushjeje

Përgjigja sesi populli përfundoi në Egjipt është e qartë në një nivel: Ata përfunduan atje përmes mëkatit spektakolar të tentativës për vrasje, tregëtisë lakmitare të skllevërve dhe mashtrimit të pashpirt të një plaku zemërthyer. Por si e përshkruan Bibla këtë përmbushje të profecisë së Perëndisë? Në dy mënyra.

1) Perëndia dërgoi Jozefin për të ruajtur jetën

Së pari, tek Zanafilla 45:5, Jozefi u thotë vëllezërve të tij të cilët kanë shumë frikë prej tij, “Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.” Mënyra e parë sesi Bibla e përshkruan këtë mëkat spektakolar të vëllezërve është që kjo ishte mënyra e Perëndisë për ta dërguar Jozefin në Egjipt në mënyrë që ai të shpëtonte ata që po përpiqeshin ta vrisnin. “Perëndia më ka dërguar para jush.”

Që të mos mendojmë se ky ishte një koment anësor me pak rëndësi, të njëjtën gjë e lexojmë në Psalmin 105:16-17, vetëm se atje gjërat janë edhe më serioze. Jo vetëm që Perëndia po sundonte mbi veprimet e vëllezërve për ta çuar Jozefin në Egjipt, por Perëndia po sundonte edhe mbi zinë e bukës, “Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.” Prandaj hiqeni tej mendimin se Perëndia e pa qysh më parë se vetiu apo prej Satanit do të ndodhte një zi buke. Perëndia e solli zinë e bukës. Perëndia përgatiti çlirimin.

2) Atë që njerëzit e planifikuan për keq, Perëndia e planifikoi për mirë

Prandaj mënyra e parë sesi Bibla e përshkruan përmbushjen e profecisë së Perëndisë që populli i tij do të shkonte në Egjipt është duke thënë se Perëndia e dërgoi Jozefin atje përpara tyre. Mënyra e dytë sesi Bibla e përshkruan këtë profeci është edhe më depërtuese dhe përfshirëse. Vëllezërit dalin sërish para Jozefit, por këtë herë pas vdekjes së babait të tyre, sërish kanë frikë se ai do të hakmerret me ta. Tek Zanafilla 50:19-20, Jozefi thotë, “Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë? Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.”

Mënyra e dytë sesi Bibla e përshkruan përmbushjen e profecisë së Perëndisë nga vetë ai është: Vëllezërit kishin të ligën në mendje kur e shitën Jozefin, por Perëndia e kishte për mirë. Vini re që nuk thuhet se Perëndia e përdori ligësinë e tyre për mirë pasi ata e kishin për qëllim të lig. Thotë se tamam në veprimin e lig, kishte dy qëllime të ndryshme. Në atë veprim të mëkatshëm ata kishin për qëllim ligësi dhe në të njëjtin veprim të mëkatshëm Perëndia kishte për qëllim të mirën.

Mëkati Jetë-Shpëtues dhe Tregues

Kjo është ajo që kemi parë, gjë të cilën do ta shohim herë pas here. Ajo të cilën njeriu apo djalli e planifikon për ligësi, Perëndia e planifikon për mirë. Mirësia e madhe e përmendur tek Zanafilla 45:5 është “për të ruajtur jetën.” Dhe e mira e madhe e përmendur tek Zanafilla 50:20 është “ për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.” Në ato fjalë dhe në githë historinë sesi Perëndia e shpëton popullin e vet, ka tregues për qëllimin global të këtij mëkati – këtij mëkati jetë-shpëtues – në lavdinë e Jezu Krishtit.

Tre tregues për Lavdinë e Jezusit

Le të shohim tre gjëra në këtë histori të cilat na përgatisin të shohim lavdinë e Jezusit dhe faktin se kush ai është në të vërtetë.

1) Shpëtimi Vjen Përmes Mëkatit dhe Vuajtjes

Së pari, shohim modelin e përgjithshëm që shfaqet herë pas here në Bibël, modelin që fitorja shpëtuese e Perëndisë për popullin e tij shpesh vjen përmes mëkatit dhe vuajtjes. Vëllezërit e Jozefit mëkatuan kundër tij dhe ai vuajti për shkak të kësaj. Në të gjithë këtë, Perëndia është duke punuar për të shpëtuar popullin e Tij, përfshirë këtu ata që vetë u përpoqën ta shkatërronin shpëtimtarin. Fakti që Jezusi erdhi në këtë mënyrë nuk duhet të kishte qenë surprizë për aq shumë njerëz. Fakti që ndaj tij u mëkatua, që vuajti përgjatë udhës për të shpëtuar popullin e tij është ajo që do prisnim nga ky model që shfaqet herë pas here.

Prandaj në historinë e Jozefit dhe të mëkatit spektakolar të vëllezërve të tij, po përgatitemi për të parë lavdinë e Krishtit, durimin e tij, përulësinë, shërbimin që në të njëjtën kohë shpëtojnë vetë ata që po përpiqeshin ta hiqnin qafe.

Për mua vdiq që dhimbje i shkaktova
për mua që në vdekje e çova?
Dashuri e mahnitshme, si ka mundësi
për mua o Perëndi vdiqe ti?

2) Ai që Vuan është i Drejti

Së dyti, historia e Jozefit dhe mëkati spektakolar i vëllezërve të tij na përgatit për të parë Jezusin jo vetëm për shkak të modelit të përgjitshëm që fitorja shpëtuese e Perëndisë për popullin e tij shpesh vjen përmes vuajtjes dhe mëkatit, por më specifikisht, në këtë rast, për shkak se ai ndaj të cilit mëkatohet dhe po vuan është shumë i drejtë. Jozefi del në pah në këtë histori për vazhdimësinë dhe besnikërinë e tij të mahnitshme në çdo marrëdhënie. Edhe në mërgimin e pamerituar ai i shërben Potifarit dhe gardianit të burgut me besnikëri. Zanafilla 39:22, “Kështu drejtori i burgut i besoi Jozefit tërë të burgosurit që ndodheshin në burg; dhe ai ishte përgjegjës për të gjitha që bëheshin aty brënda.”

Cili ishte shpërblimi i Jozefit? Gruaja e Potifarit gënjeu kundër tij dhe kupëmbajtësi i Faraonit, ëndrrën e të cilit Jozefi e kishte interpretuar, pa mirënjohje e harroi atë në burg për dy vite pas ëndrrës. Prandaj ideja e gjithë kësaj nuk është thjesht që ka mëkat dhe vuajtje dhe që Perëndia është duke punuar për të shpëtuar popullin e tij. Në mënyrë më specifike, ideja është që i drejti, edhe pse u keqtrajtua kaq gjatë, më në fund u lartësua prej Perëndisë. Edhe pse të tjerët e kanë mohuar këtë gur të drejtë, Perëndia e bëri gur të qoshes (Mateu 21:42). Lartësimi i tij u bë vetë mjeti i shpëtimit për persekutuesit e tij.

Jezu Krishti është i drejti i fundit, përfundimtar dhe i përsosur (Veprat 7:52). Të tjerëve iu duk që ai duhet të kishte mëkatuar pasi jeta e tij po shkonte aq keq. Por në fund, gjithë mëkati kundër tij, gjithë vuajtjet që duroi me drejtësi të përsosur, çuan tek lartësimi i tij dhe për shkak të kësaj solli shpëtimin tonë. Nëse Jozefi është i mahnitshëm në qëndrueshmërinë e tij, Jezusi është dhjetë mijë herë më i mahnitshëm, për shkak se ai përjetoi dhjetë mijë herë më tepër vuajtje dhe e meritonte këtë dhjetë mijë herë më pak, u tregua përsosmërisht i qëndrueshëm, besnik dhe i drejtë përmes gjithë kësaj.

3) Skeptri nuk do të largohet prej Judës

Në këtë histori ka paralele të tjera mes Jozefit dhe Jezusit, por tani do të shohim gjënë më të rëndësishme rreth Jezusit në këtë histori dhe kjo nuk është një paralele me Jozefin. Është një profeci rreth ardhjes së Jezusit, e cila nuk mund të kishte ndodhur nëse këta bij mëkatarë të Jakobit do të kishin vdekur gjatë zisë së bukës. Mëkati spektakolar i vëllezërve ishte mënyra e Perëndisë për të shpëtuar fisin e Judës nga zhdukja në mënyrë që Luani i Judës, Jezu Krishti të mund të lindte, vdiste, ringjallej dhe të mbretëronte mbi gjithë popujt e botës.

Këtë gjë e shohim më qartë tek Zanafilla 49:8-10. Jakobi, babai është gati për të vdekur dhe para se kjo të ndodhë, ai shpall një bekim profetik mbi gjithë bijtë e tij. Ja se çfarë thotë ai për birin e tij Judën:

Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje. Juda është një luan i ri; ti zë fill nga preja, biri im; ai përkulet, struket si një luan, si një luaneshë; kush guxon ta zgjojë? Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt.

Këtu kemi profecinë e ardhjes së mbretit përfundimtar të Judës, Luanit të Judës, Mesias. Vini re në vargun 10 që skeptri, shkopi i sundimtarit, shenja e mbretit, do të jetë në fisin e Judës derisa të vijë një i cili nuk është mbret i zakonshëm, për shkak se jo vetëm Izraeli por të gjitha kombet do t’i binden atij. Vargu 10b, “atij do t’i binden popujt.”

Kjo u përmbush në Jezusin. Dëgjoni mënyrën sesi Gjoni e përshkruan rolin e Jezusit në qiell pas kryqëzimit dhe ringjalljes së tij, “Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij… Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: ”Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe”. (Zbulesa 5:5, 9-10).

Luani i Judës është Qengji që u ther

Gjëja më e madhërishme rreth Luanit të fisit të Judës në përmbushjen e profecisë së Jakobit është se ai pretendon të ketë bindjen e të gjithë popujve të botës jo përmes shfrytëzimit të fajit tonë dhe kështu na shtyp në nënshtrim, por duke mbajtur fajin tonë dhe duke na çliruar që ta duam atë, t’i bindemi atij dhe t’i bindemi përjetësisht me gëzim. Luani i Judës është Qengji që u ther. Ai e fiton bindjen tonë duke na falur mëkatet dhe duke e bërë bindjen e tij, përsosmërinë e tij si i drejti, bazën e pranimit tonë tek Perëndia. Në këtë pozitë sigurie dhe gëzimi të pamasë, ku e gjitha kjo i detyrohet vuajtjes, drejtësisë, vdekjes dhe ringjalljes së tij, ai fiton bindjen tonë të vullnetshme dhe të gëzuar.

Historia e Jozefit është historia e një të drejti ndaj të cilit mëkatohet dhe vuan në mënyrë që fisi i Judës të mund të ruhet dhe prej të cilit të dalë një Luan, i cili do të jetë Luan si Qengj, përmes vuajtjes dhe vdekjes së tij ai blen dhe fuqizon një bindje të gëzuar nga të gjitha kombet, madje edhe nga ata që e vranë.

A e ka ai bindjen tënde?

Seria: Mëkate Spektakolare dhe Qëllimi i Tyre Global në Lavdinë e Krishtit

Tema: Historia Shpenguese

Lexoje në Anglisht

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringgod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*