Si ndodh që sovraniteti i Perëndisë të mos e shkelë vendimmarrjen tonë?

nga Pastor John Piper

Si nuk na bën robotë sovraniteti i Perëndisë në jetën e secilit prej nesh? Cili është vendi i fuqisë së vullnetit dhe vendimmarrjes së njeriut? Si sundon Perëndia mbi të gjitha këto gjëra? Pyetje shumë të mira nga një dëgjues i quajtur Maks nga Linkoln, Nebraska.

“Pastor John, faleminderit per të gjitha episodet e tua pyetje-përgjigje përgjatë viteve. Ky podkast ma ushqen shpirtin. Por unë gjithashtu jam shumë i ngathët për të kuptuar, dhe shumë pika të rëndësishme teologjike i kap me shumë vështirësi. A mund të më shpjegosh sërish sesi sovraniteti i Perëndisë mbi vendimet dhe veprimet njerëzore shfaqet përmes kontrollit të Tij mbi ndjenjat tona, në mënyrë të tillë që nuk jemi robotë që reagojmë moment pas momenti ndaj urdhrave individuale dhe shtysave të situatave, por që Ai është në kontroll të vendimeve tona ndërsa ne zgjedhim lirshëm atë që duam? Mendoj që kam nisur t’iu kuptoj ju, Eduardsin dhe traditën e Reformuar në këtë pikë, por a mund të na e bësh këtë gjë të qartë në dhjetë minuta (në mënyrë që Toni të mos të të qortojë që e kalove sërish limitin kohor!)?”

Nuk ka shumë gjasa që unë të përmbledh në dhjetë minuta atë që nuk ia kanë dalë dot ta bëjnë të qartë edhe mendjet më të ndritura për dy mijë vjet histori të kishës. Por nuk ka shumë gjëra të cilat të jenë më të rëndësishme se sovraniteti i Perëndisë në jetën tonë personale dhe mënyra sesi bëjmë zgjedhje.

Mënyra sesi mendojmë për këtë ka rrjedhoja në mënyrën sesi adhurojmë, shërbejmë dhe këmbëngulim si të krishterë, prandaj le të bëjmë përpjekjen tonë. Do të parashtroj shtatë pika për atë që unë mendoj se është një këndvështrim biblik për marrëdhënien me vullnetit njerëzor dhe sovranitetit të Perëndisë. Për secilën prej tyre mund të shkruhet një libër më vete prandaj këto janë tregues të thjeshtë me pjesë biblike për të menduar.

1. Skllavëria shkatërrimtare
Derisa dikush të lindë sërish prej pushtetit të Frymës së Perëndisë, të gjitha qeniet njerëzore që nga Adami janë frymërisht të verbër (2 Korintasve 4:4). Ata janë të errësura në mendjen e tyre dhe të ngurtësuar në zemrat e tyre (Efesianëve 4:18).

“Kjo ligësi e thellë në të gjitha zemrat njerëzore nuk e kufizon sovranitetin e plotë të Perëndisë mbi të gjitha gjërat.”Njerëzit nuk mund t’i kapin të vërtetat frymërore (1 Korintasve 2:14). Ata janë rebelë kundër Perëndisë (Romakëve 8:7), të vdekur në shkelje (Efesianëve 2:1), të skllavëruar nga mëkati (Romakëve 6:6), dhe të paaftë për t’i pëlqyer Perëndisë (Romakëve 8:8). Kjo është pika e parë. Një skllavëri vërtet shkatërrimtare.

2. Dashuria për errësirën
Të gjithë njerëzit janë përgjegjës në atë gjendje – dhe i japin llogari Perëndisë. Ata janë të rrezikuar nga gjykimi për shkak se errësira në të cilën gjenden, kjo skllavëri, i mban dhe i sundon jo kundër vullnetit të tyre apo kundër dëshirave të tyre, por saktësisht për shkak të vullnetit të tyre dhe për shkak të dëshirave të tyre. Me fjalë të tjera atë e duan mëkatin.

Jezusi thotë tek Gjoni 3:19, “Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.”

Problemi nuk është që u mungon drita, por që ata duan erësirrën. Kjo nuk është një skllavëri kundër vullnetit të njerëzve. Kjo është një skllavëri për shkak të vullnetit të tyre.

3. Sovranitet i papenguar
Kjo ligësi e madhe në çdo zemër njerëzore njuk e kufizon sovranitetin e plotë të Perëndisë mbi të gjitha gjërat, duke përfshirë këtu edhe vullnetin e rënë njerëzor.

  • “Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.” (Fjalët e Urta 21:1).
  • “Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t’i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.” (Ezra 6:22).
  • Tek Zanafilla 20:6, Perëndia i tha Abimelekut, mbretit pagan i cili nuk kishte kryer kurorëshkelje me Sarën, “të ndalova të kryesh një mëkat kundër meje.” Me fjalë të tjera, Perëndia po sundonte mbi vullnetin e një mbreti pagan.
  • “Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.” (Fjalët e Urta 16:1).
  • “ Në këtë qytet [Jerusalem], u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit, për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.” (Veprat 4:27-28).

Perëndia është thellësisht dhe plotësisht në kontroll të vullnetit të njeriut të rënë.

4. Një vullnet i ri
Përmes punës sovrane, rikrijuese, jetë-dhënëse, verëbri-larguese, ngurtësi-zëvendësuese dhe dritë-hedhëse të Frymës së Shenjtë, Perëndia e zëvendësin verbërinë me dritën e realitetit. Ai e thyen zgjedhën mashtruese të mëkatit dhe i çliron njerëzit.

  • Ky është kuptimi i të qënurit i shpëtuar; ky është kuptimi i konvertimit apo i të lindurit sërish. 2 Korintasve 4:6 thotë, “Sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.” Ky është kuptimi i konvertimit.
  • Ronakëve 6:20-22 e thotë në këtë mënyrë, “Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë. Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja. Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme.”
  • Kjo skllavëri ndaj Perëndisë – e cila tani është tek personi i rikrijuar, apo i lindur sërish – është i njëjti lloj me skllavërinë që kishim ndaj mëkatit, në këtë kuptim: Kjo nuk është një skllavëri në kundërshtim me vullnetin tonë. Ne ishim skllavëruar ndaj mëkatit për shkak se mëkati na dukej i mirë dhe i dëshirueshëm. Mëkati ynë ishte plotësisht i dhënë ndaj mëkatit. Tani, jemi të skllavëruar ndaj Perëndisë për shkak se Perëndia na duket shumë i mirë dhe shumë i dëshirueshëm. Vullneti ynë është plotësisht i dhënë ndaj Perëndisë. Kjo ndodhi në lindjen e re.

5. Liria e vërtetë
Kjo skllavëri e re ndaj Perëndisë është liri e vërtetë për tri arsye.

  • Sikurse skllavëria ndaj mëkatit, edhe skllavëria ndaj Perëndisë është plotësisht e vullnetshme. Ne nuk jemi kontrolluar apo detyruar kundër dëshirës apo kundër vullnetit tonë, por përmes disa dëshirave të reja dhe të fuqishme.
  • Këto dëshira të reja, ndryshe nga dëshirat për mëkatin, janë në përputhje me – bien dakord, apo janë në harmoni me – atë që është e vërtetë, e bukur dhe e përjetshme: domethënë me drejtësinë e Perëndisë. Ato përputhen me udhën e Perëndisë. Sipas Gjonit 8:32, ne nuk po mashtrohemi. Ne jemi çliruar prej mashtrimit.
  • Kjo skllavëri e re ndaj Perëndisë është liri e vërtetë për shkak se e ashtuquajtura “liri” e shkuar përfundoi në vdekje skllavëruese. Liria jonë e re, skllavëria jonë ndaj Perëndisë përfundon në gëzim të përjetshëm. Ju nuk jeni vërtet të lirë nëse po bëni atë që dëshironi të bëni, dhe për shkak të kësaj ndiheni të mjeruar për gjithë përjetësinë. Ju jeni të lirë nëse bëni atë që dëshironi të bëni dhe nuk ju vjen keq për një milionë vjet.

6. Sipas planit
Kjo liri e re nuk e kufizon sovranitetin e plotë të Perëndisë mbi të gjitha gjërat, përfshirë këtu edhe vullnetin e shpenguar njerëzor. Perëndia po punon në ne atë që është e pëlqyeshme në sytë e Tij. Perëndia po e bën këtë përmes Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdia (Hebrenjve 13:21). Po, jo ne, por Atij i qoftë lavdi për jetë e mot.

Kjo nuk do të thotë që ne nuk mund ta trishtojmë Frymën e Perëndisë (Efesianëve 4:30). Por do të thotë që Perëndia lejon që të trishohet si pjesë e planit të Tij të madh, i cili gjithmonë realizohet. Tek Efesianëve 1:11 thuhet që Ai i vepron të gjitha gjërat sipas këshillës së vullnetit të Tij. Në këtë liri të re, Perëndi është ende sovran mbi vullnetin tonë.

7. Ka ende mister
Mënyra sesi Perëndia e sundon vullnetin e shpenguar nuk e kompromenton përgjegjësinë tonë dhe as e anullon lirinë e cila është liri e vërtetë. Si mund të ndodhë kjo? Ky ka të ngjarë që është thelbi i pyetjes që është shtruar: Si mund të ndodhë kjo?

Nuk jam i sigurt nëse këtë do ta kuptojmë plotësisht para se të arrijmë në qiell. Ka një tregues të vogël për mënyrën sesi mund të jetë tek 2 Korintasve 3:17-18, “Sepse Zoti është Fryma [Jezusi është Fryma], dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria. Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi [kështu duket liria] në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi.” Pastaj ai shton, “Dhe kjo vjen nga Zoti, që është Shpirti” (Versioni së Bashku).

Ai fillon duke thënë, “Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.” Me fjalë të tjera, duket sikur ai po thotë këtë: kur Fryma e Perëndisë na transformon në vullnetin e Perëndisë – për të dashur vullnetin e Perëndisë, për t’u përshtatur më atë vullnet dhe kështu të reflektojmë lavdinë e Perëndisë – kjo është liria e vërtetë.

Arsyeja pse është liri e vërtetë është që ky transformim po ndodh përmes soditjes së lavdisë së Zotit, dhe jo përmes ndonjë detyrimi, por duke soditur lavdinë e Zotit. Ne bindemi përmes përjetimit të Krishtit. Ai ajo shije bindëse zgjohet përmes shikimit të Krishtit. Kjo duket se gjendet në zemër të asaj se çfarë është liria në mënyrën sesi e kupton Pali.

Kur e sheh Krishtin për atë që është në realitet, kjo gjë zgjon një shijim shumë të vërtetë dhe çlirues të Krishtit saqë ai thotë, “Atje ku është Fryma e Zotit aty është liria.”

Sigurisht që ka shumë pyetje. Për disa prej tyre, nuk jam i sigurt që do të kemi përgjigje derisa të takohemi ballë për ballë me Jezusin. Por mendoj se këto shtatë pika janë biblike dhe kritike për të shijuar lirinë tonë në Krishtin dhe për të jetuar një jetë adhurimi nën sovranitetin e lavdishëm të Perëndisë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*