11 Janar – Octavius Winslow

11 Janar

“Sepse ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, por një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.” Hebrenjve 4:15.

Shikoni Atë ndërsa mbart brengat dhe sëmundjet tona; shumë më tepër se kaq, shiheni teksa mbart mëkatet dhe paudhësitë tona. Mos mendoni se shtegu juaj është i izoluar. Perëndia i mishëruar e ka shkelur atë shteg para jush dhe Ai mund t’ju japë sytë e qartë të besimit për të dalluar gjurmët e Tij në çdo hap. Jezusi mund të thotë dhe në fakt ju thotë, “E njoh pikëllimin tënd, e di se çfarë kryqi po mbart, sepse unë e kam mbartur vetë. Nuk po mban mbi shpinë një barrë të cilën unë nuk e kam mbajtur, nuk po përjeton asnjë pikëllim të cilin unë të mos e kem ndjerë, dhe asnjë dhimbje të cilën unë të mos e kem duruar, nuk po ecën në një shteg të cilin unë të mos e kem shkelur, nuk po derdh asnjë lot i cili të mos ketë njomur edhe sytë e mi, nuk ka asnjë re mbi shpirtin tënd e cila të mos ketë qenë edhe mbi shpirtin tim. Mos është dobësia e trupit? Një herë unë eca për 65 kilometra për t’ia çuar ujin e gjallë një mëkatareje të mjerë në Samari. Mos është pikëllimi i humbjes? Unë qava pranë varrit të mikut tim, edhe pse e dija që isha gati ta ktheja sërish në jetë atë person të dashur. Mos është dobësia dhe brishtësia e miqësive njerëzore? Unë isha atje dhe dëgjova me veshët e mi që u mohova nga të njëjtat buzë që dikur më kishin folur me aq dashuri; buzë të cilat tani po më mohonin me betim, dikur shqiptuan se do më donin deri në vdekje. Mos është vështirësia e rrethanave, apo ndjesia poshtëruese e varësisë? Unë nuk isha i huaj për varfërinë, dhe shpesh u mbështeta dhe u ushqeva nga bamirësia e të tjerëve. Mos vallë je i pastrehë dhe pa miq? Kështu isha edhe unë. ‘Dhelprat kanë strofkat e tyre dhe zogjtë kanë foletë e tyre,’ por unë, edhe pse isha Zoti i të gjithave, nuk kisha ku të mbështesja kokën; dhe shpesh ditë pas dite nuk dëgjoja ndonjë fjalë qetësuese miqësie me veshët e mi. Mos është barra e mëkatit? Edhe atë e mbarta në gjithë peshën e saj të jashtëzakonshme dhe të akumuluar kur u vara i mallkuar mbi atë dru.”


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*