16 Qershor – Octavius Winslow

“Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh.” ‭‭Psalmi‬ ‭50:15

Në kohën e vështirësisë mësojmë të lutemi me fuqi të re. Njihemi edhe më thellë me natyrën hyjnore dhe energjinë e gjithëpushtetshme të lutjes. Mësojmë cilat janë burimet tona, si bij të vërtetë të Izraelit. Atëherë shumë nga ata që nuk janë lutur më parë nxiten të luten. “O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste.” Në atë moment dorëzohet shpirti krenar; gjuri që nuk ishte përkulur më parë, përkulet tani, dhe shpirti i tmerruar i thërret Atij që është duke e disiplinuar. Edhe i krishteri i përgjumur zgjohet që t’i lutet Perëndisë. Në atë moment ai zbulon se sa larg Perëndisë ka qenë duke jetuar.

Në atë moment zbulon vendndodhjen e tij të vërtetë – gjendjen e vërtetë të shpirtit të tij në lidhje me lutjen. Dhe duke u zgjuar kështu si profeti i përgjumur, nga një zë dhe i shtangur nga një qortim që i erdhi nga një anë që nuk e priste – “Çfarë po bën në gjumë kaq të thellë? Çohu, kërko Perëndinë tënd!” – ai u zgjuar dhe kuptoi që ishte në mes të stuhisë, në mes të kërcënimit të shkatërrimit të menjëhershëm. Çfarë gjeje ia kushton veten pas kësaj? Davidi na e jep përgjigjen, “Do t’i kushtohem lutjes.”

Oh, sa elokuent që është në atë moment zëri i besimtarit që përleshet! Profeti harakat kurrë nuk i ishte “lutur Zotit Perëndisë së tij” si në momentet kur ishte duke ecur në mes të telasheve. “Në fatkeqësinë time i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj; nga gjiri i Sheolit i thirra dhe ti e dëgjove zërin tim. Kur shpirti im po ligështohej brenda meje, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri te ti, në tempullin tënd të shenjtë.” Kështu e rizgjon Zoti frymën e lutjes brenda nesh.

Cilat fjalë mund ta përshkruajnë bekimin e lutjes në mes të vështirësis – vlerën e çmuar të privilegjit që kemi një Perëndi tek i cili mund të shkojmë, që kemi një Atë tek i cili mund të rendim në vështirësi! Zoti, Perëndia yt është duke u marrë me ty krishterë i dashur, për të të sjellë në një përjetim më të thellë dhe më personal të kësaj të vërtete. I dashur, kushtoju lutjes! Ke për ta zbuluar me të vërtetë si ajo që i zbraz të gjitha pikëllimet, dhe si pikë hyrjen e çdo gëzimi.

Prandaj, mikëpriti sprovat që të rizgjojnë në këtë mënyrë. Pranoje disiplinën me butësi të shpirtit, po me gëzimin e zemrës, pavarësisht sa përulëse që mund të ejtë, por që të hedh sërish në Perëndinë, po, disiplinën që të shkëput nga të gjitha krijesat dhe që të ballafaqon vetëm me Perëndinë. Ajo disiplinë, edhe pse është e dhimbshme, rrjedh prej dashurisë. Ajo vështirësi është dërguar në dashuri, ai kryq lejohet në dashuri, ajo kupë të është dhënë në dashuri, ajo thupër po të jepet në dashuri – në mënyrë që të të bëjnë t’i kushtohesh punës së lutjes. Pse këto vrenjtje të Atit tënd, pse këto fshehje të fytyrës së Shpëtimtarit tënd, pse këto tërheqje të Frymës, veçse për të të tërhequr në shenjtëroren e shenjtëroreve, ku do të gjesh fronin e hirit? “Do të kthehem” thotë Zoti, “në vendin tim derisa të njohin që janë fajtorë dhe do të kërkojnë me siguri fytyrën time; në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*