20 Mars – Octavius Winslow

20 Mars

“Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell..” Luka 24:51

Sa prekëse dhe udhezuese që ishte kjo ndodhi ndarjeje! Oh sa i denjë ishte për Të ky bekim i fundit! Sa në harmoni me çdo veprim të çmuar të jetës së Tij ishte ky veprim i fundit! Bekim deri në fund dhe ndërsa ishte ende me duart e ngritura ai bekim po dilte nga buzët e Tij, “ai u ngjit në lavdi.” Oh sa plot hir dhe dashuri që është Emanueli ynë i admirueshëm! Çfarë zemre e tejmbushur me butësi dhe bekim që është zemra e Tij! Duke e ditur këtë, duke e ditur nga vëzhgimi dhe nga përjetimi, e mbështetur prej provave të panumërta të cilat mbushin çdo faqe të Dhiatës së Re, a nuk është e habitshme që ta kërkojmë bekimin nga ndonjë burim tjetër përveç Jezusit, apo që të psherëtijmë, të çojmë pikëllimet tona apo ta mbështesim kokën në ndonjë prehër tjetër përveç prehërit të Tij? Ah, miqësia jonë me Të – me Mikun tonë më të mirë, më të dashur dhe më të çmuar – është kaq e kufizuar, ne ecim me Të shumë në mënyrë shumë të ftohtë, e ndjekim Atë nga largësia, besojmë shumë dobët tek Ai; habia më e madhe është që në mes të gjithë kësaj, durimi i Tij i pamasë, dashuria e Tij e butë dhe e pandryshueshme ndaj nesh vazhdojnë të jenë ende kaq të mëdha dhe të pamposhtura. Kush mund ta përshkruajë takimin e ndarjes dhe bekimin e fundit? Të mbledhur rreth Tij, një grup i vetmuar dhe i frikësuar, duke qenë të trishtuar prej mendimit që do të ndaheshin përgjithmonë këtu mbi tokë prej Atij që e kishin dashur – sikurse shumë prej tyre e vërtetuan që Ai ishte më i mirë se vetë jeta, tek i cili kishin shkuar për të kërkuar udhëzim, tek i cili ishin mbështetur për forcë, dhe gjetën strehë në prehërin e tij nga rreziku dhe pikëllimi, ata kishin nevojë për bekimin e Tij – ata kishin nevojë për atë që nuk mund t’ua jepte askush tjetër përveç se Jezusit. Ata ishin të shtypur, dhe vetëm Ai mund t’i mbronte. Ata ishin të pikëlluar, dhe vetëm Ai mund t’i ngushëllonte. Ata ishin të lodhur dhe konfuzë, dhe vetëm Ai mund t’i mbështeste dhe t’i këshillonte. Çfarë mund të supozojmë se mund të përmbajë ai bekim, të cilin tani Ai e shqiptoi mbi ta? Një vajosje më e pasur e Frymës për t’i bërë gati për punën e tyre – një masë më e madhe hiri për t’i mbrojtur nga tundimi, dhe për t’i ngritur në kohën e sprovës – një dritë më e madhe për të kuptuar natyrën frymërore të mbretërisë së Tij, dhe kuptimin e Shkrimeve të Shenjtë të së vërtetës; çfarë do të ishte aq pashpjegueshmërisht e çmuar për ata në atë moment – një zbulim më i thellë i dashurisë së Tij falëse, një siguri më e plotë e pranimit të tyre personal në Veten e Tij, dhe një përcjellje më e pasur e “paqes së Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie.” Kështu duke i bekuar Ai “u largua prej tyre dhe u rrëmbye në qiell,” për të ndërmjetësuar për ata atje; dhe kështu të bekuar, “ata e adhuruan Atë dhe u kthyen në Jerusalem të mbushur me gëzim,” për të përhapur aromën dhe për të manifestuar fuqinë e emrit të Tij në mbarë botën.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*