26 Tetor – Octavius Winslow

26 Tetor

“Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.” Psalmi 51:17

Në një farë kuptimi historia e botës është historia e zemrave të thyera. Epitafet mbi shumë prej atyre varreve – “atyre maja malesh të një bote të re dhe të largët” – pranë të cilave kalojmë pa menduar, nëse pllakat prej mermeri që ngrihen aq krenare mbi formën e tyre të gdhendur bukur do të kishin një mbishkrim ky do të ishte – “Vdiq nga një zemër e thyer.” Armiqësitë e botës, shpresa e dobësuar, këpuca e hekurt e shtypjes, apo gjuha therrëse e shpirfjes, e shtypën shpirtin e ndjeshëm dhe ai fluturoi atje ku nuk fryjnë erërat e ashpra, “ku të ligjtë nuk kanë më telashe dhe ku të lodhurit çlodhen.” Ndërsa kalojmë përtej kufirit të kohës hyjmë në përfytyrimet e rrethinave të zymta të të humburve dhe ja atje zbulojmë se banesat e atyre që më në fund nuk u penduan janë të mbushura me të qara, vajtim dhe shpirtra të dëshpëruar.

Po, edhe atje ka zemra të thyera, edhe atje ka lotë, edhe atje ka pendim si ai që ndjeu tradhtari i Zotit të tij, para se të “shkonte në vendin e tij,” por, fatkeqësisht, ky është “trishtimi i botës, i cili sjell vdekje.” Në të gjithë këtë brengë nuk ka as edhe një element i cili i jep karakterit dhe vajtimit të tij pikëllimin e Davdidit – zemrën e thyer dhe të penduar, flijimet të cilat Perëndia nuk i përbuz. Dikush mund të qajë, një shpirt i humbur mund të dëshpërohet nga pasojat e mëkatit; por në atë trishtim dhe në atë dëshpërim nuk do të ketë një brengë të vërtetë zemre për vetë mëkatin; si diçka e cila është kundër një Perëndie të shenjtë dhe të drejtë. Por tani ne duhet të meditojmë jo thjesht shpirtin e thyer, por edhe zemrën e penduar – brenga e pendimit të vërtetë dhe thyerjes së thellë që ngrihen në shpirt për shkak të mëkatit – për shkak të mëkatshmërisë së tij të madhe dhe neverisë në sytë e Perëndisë.

Kjo gjendje karakterizon fazën e parë të kthimit në besim. Pendimi që ndizet në zemër në fillim të jetës hyjnore mund të jetë ligjor dhe i prirur ndaj skllavërisë; megjithatë ai është një trishtim frymëror dhe i perëndishëm për mëkatin dhe rezulton “në jetë.” Mëkatari që sapo është shkundur dhe zgjuar në fillim mund të mos shohë asgjë në Krishtin, ai mund të mos shohë asgjë nga gjaku i shlyerjes, apo në metodën e madhe të pajtimit të Perëndisë me të. Ai mund të mos dijë asgjë për besimin në Jezusin si udha e paqes për shpirtin e tij – megjithatë ai është një person i penduar i vërtetë dhe frymëror.

Loti i brengës së shenjtë është në sytë e tij. Ah, nuk harrojmë sa lehtë mund të qajnë disa; ka nga ata që burimi i ndjeshmërisë së të cilëve gjendet shumë afër sipërfaqes; një bisedë trazuese, një libër që e prek thellë, një histori rrëqethëse, jua njom lehtë sytë; por ende duhet ta pranojmë që feja e Jezusit është feja e ndjeshmërisë; që nuk ka pendim të perëndishëm pa ndjenjë, as pendim frymëror pa një emocion të thellë.

Po, loti i brengës së shenjtë është në sytë e tij; dhe nëse është ndonjëherë diçka burrërore që të qash, sigurisht që ky është çasti, kur për herë të parë shpirti që prej shumë kohësh i ka rezistuar çdo apelimi që i është bërë ndërgjegjes së tij morale tani qëndron i shtrirë në pluhur, zemra prej guri është e thyer, fryma krenare është përulur para kryqit të Jezusit. Oh, kjo është një pamje e shenjtë dhe e bukur të cilën engjëjt dhe vetë Zoti i engjëjve duhet ta shohin me një ëndje të patregueshme.
Lexues, a ke arritur në këtë pikë, në fazën e parë të ndryshimit të madh të kthimit në besim? A e ke hedhur këtë hap të parë në udhëtimin e shpirtit drejt qiellit? Njohja e sëmundjes pararend aplikimin e kurës; vetëdija për plagën është ajo që të sjell në kontakt me Shëruesin dhe shërimin.

Kush është ai person i cili pasi ka përjetuar të vërtetën, do të donte t’i shpëtonte këtij procesi të dhimbshëm dhe përulës? Kush do të refuzonte të pinte pelinin dhe vrerin nëse përmes këtij shtegu mund të arrinte majën e ndriçuar nga dielli ku buzëqeshjet e një Perëndie që fal mëkatin e mbushin zemrën me gëzim dhe ngazëllim? Kush nuk do të pranonte goditjen në gji kur dora që e nxjerr shigjetën dhe e shëron plagën është dora në pëllëmbën e të cilës u ngul gozhda – kur “u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona”? Kush nuk do ta duronte parehatinë e mëkatit për të ndjerë prehjen që Jezusi u jep të lodhurve? Kush nuk do të përjetonte vajtimin për shkeljen vetëm e vetëm që të përjetonte ngushëllimin që rrjedh nga zemra e dashur e Krishtit?

Sërish pyetja është – a ta ka zbuluar Fryma e Perëndisë sëmundjen e brendshme, a të ka sjellë ashtu si je te Jezusi për të zënë vendin tënd në doktrinën e mëshirës së Tij të pamerituar dhe të cilën nuk mund ta blesh dot – a ke kërkuar falje si lypës, a je lutur që të të falet borxhi si dikush që ka falimentuar, a i je përgjëruar Atij si një endacak pa shtëpi që të pranohesh në strehën e zemrës së Tij të dashur dhe prindërore?


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*