27 Shtator – Octavius Winslow

27 Shtator

“Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.” Isaia 26:4

Nuk ka asnjë veprim tjetër të shpirtit i cili të jetë më i pranueshëm për Perëndinë sepse nuk ka asnjë tjetër që i sjell më tepër lavdi emrit të Tij të madh se sa besimi. Kurdoherë që hetojmë në Shkrimet e të vërtetës besimin në Zotin, aty gjejmë çlirim të veçantë dhe të jashtëzakonshëm. Është shkruar për bijtë e Izraelit që Zoti i dorëzoi armiqtë e tyre në duart e tyre, “ata u ndihmuan kundër tyre, sepse gjatë betejës i thirrën Perëndisë, që e dëgjoi lutjen e tyre, sepse ata kishin pasur besim tek ai.” Sërish lexojmë për mesazhin e mrekullueshëm të Perëndisë që dërgua Etiopasit Abed-Melekut përmes Jeremias, “Po, unë do të të çliroj patjetër, dhe nuk do të biesh nga shpata, por jeta jote do të jetë për ty si preja jote, sepse ke vënë besimin tënd tek unë, thotë Zoti.”

Edhe përjetimi i popullit të Perëndisë e konfirmon bekimin e besimit në Zotin. “Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?” “Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.” Premtimet e lidhura me besimin në Zotin janë po aq të pasura dhe inkurajuese. “Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.” “Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.” “Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!”

Çfarë tufë e mrekullueshme dhe e çmuar inkurajimesh Hyjnore që janë këto premtime në çdo rrethanë dhe në çdo kohë për të gjithë ata që besojnë në Zotin me gjithë zemrën e tyre! Fjala e Jezusit thotë “Vetëm beso. Kaq kërkoj nga ti, kjo është gjëja më e madhe që kërkoj nga ti. Nuk kërkoj flijime të kushtueshme, nuk kërkoj shtegtim të lodhshëm, nuk kërkoj denjësi personale, as forcë, as urtësi, as përpjekjet e tua. Vetëm ki besim në mua. Vetëm ki besim që unë pres t’i përgjigjem lutjes, që unë jam i hirshëm, që kam çdo pushtet në dorën time, që kam interesin tënd në zemër, që nuk ka asnjë të mirë që do të ta privoj, që unë, dhe vetëm unë mund të drejtoj hapat e tua të tanishëm, mund ta zgjidh rrjetën e vështirësive të tua, mund të të drejtoj në mes të dyshimeve, të të shpëtoj nga leqet që kanë thurrur rrjetën e tyre përreth këmbëve të tua dhe të të kaloj përmes zjarrit dhe ujërave në një vend të sigurt. Vetëm ki besim tek unë!”

Shumë i dashur, është kjo gjë tepër e vështirë? Mos vallë kjo kërkesë është e paarsyeshme dhe e pazbatueshme? Çfarë, thjesht t’i besosh Jezusit? Thjesht t’ia besosh nevojat e tua veshit të Tij, barrët e tua krahut të Tij, brengat e tua zemrës së Tij? A është kjo tepër e vështirë? A është kjo përtej fuqisë tënde? Atëherë thuaja Jezusit. Kujtoji Atij fjalët e Tij, “Pa mua nuk mund të bësh dot asgjë.” Kërkoji atij aftësinë për të besuar, zemrën për të besuar, guximin për të besuar, fuqinë për t’i besuar të gjitha interesat e tua fizike dhe frymërore, për kohën dhe përjetësinë në duart e Tij.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*