3 Nentor – Octavius Winslow

3 Nëntor

“Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.” Gjoni 17:17

Kërkesa plot aknth e shumë njerëzve është “Si mund ta di që mëkati po virtet brenda meje?” Ne përgjigjemi – përmes dobësimit të fuqisë së tij. Kur Krishti i nënshtron paudhësitë tona, Ai nuk i zhduk ato, por e dobësonë forcën e tyre që në rrënjë. Parimi i mëkatit mbetet, por ama cungohet. Shikojeni këtë gjë në rastin e Pjetrit. Para se të rëzohej mëkati i tij që e qarkonte lehtë ishte vetëbesimi: “Edhe sikur të gjithë të të braktisin unë nuk do të të braktis.” Shikojeni Pjetrin pas ripërtëritjes së tij, teksa zë vendin e përulur te këmbët e Jezusit, madje edhe te këmbët e dishepujve dhe thotë me zemërbutësi, “Zot ti di gjithçka, Ti e di se unë të dua.”

Nuk ka më mburrje të vetes, nuk ka më besim te vetja: mëkati i tij ishte vrarë përmes Frymës, dhe ai u bë një njeri tjetër. Kështu shpesh vetë shpërthimi i mëkateve tona mund të bëhet rasti për zbulimin më të thellë të tyre dhe për nënshtrimin më të plotë të tyre. Le të mos e shpërfillim fuqinë e së vërtetës, përmes së cilës Fryma e vret mëkatin brenda nesh: “Shenjtëroji në të vërtetën tënde.” E vërteta ashtu sikurse është në Jezusin që i zbulohet më qartë mendjes dhe ngulitet më thellë në zemër e transformon shpirtin në natyrën e tij të shenjtë dhe hyjnore.

Prandaj, njohja jonë frymërore dhe me përjetim e të vërtetës – njohja me Atë që është e vërteta thelbësore – ka për të qenë masa në të cilën Fryma ka për ta vrarë mëkatin në zemër. Apo bëhet Zoti Jezus gjithnjë e më i çmuar për shpirtin tënd? A po rritesh në varfërinë e frymës, në një ndjesi edhe më të thellë të shëmtisë, dobësisë dhe padenjësisë tënde? A po thyhet më tepër krenaria, a po kryqëzohet më tepër vetja, a po kërkohet edhe më tepër lavdia e Perëndisë? A largohet më shpejt zemra nga mëkati, a është ndërgjegjja më e ndjeshme ndaj prekjes së fajit, a janë bërë rrëfimi dhe pastrimi zakone më të shpeshta? A po rritesh në dashuri ndaj gjithë shenjtorëve – ndaj atyre të cilët edhe pse nuk përqafojnë plotësisht të njëjtën kredo si ti, megjithatë e duan dhe i shërbejnë Zotit dhe Zotërisë tënd? Nëse është kështu mund të jesh i sigurt që Fryma është duke e vrarë mëkatin brenda teje.

Por, largoje vështrimin nga çdo gjë dhe ktheje te Krishti. Mos shiko brenda teje për shenjtërim: kërkoje shenjtërimin nga Krishti. Ai është po aq “shenjtërimi” ynë sa dhe “drejtësia” jonë. Provat e tua, ngushëllimi yt, shpresa jote, nuk burojnë nga frytshmëria jote, nga vetëmohimi yt, apo nga ndonjë gjë tjetër brenda teje; ato vijnë vetëm dhe tërësisht nga Zoti Jezu Krisht. “Të shikosh drejt Jezusit” me besim është sikur të hapësh perdet dhe dritaret dhe të lejosh që dielli të hyjë brenda, nën dritën dhe ngrohtësinë e të cilit çelin lulet dhe piqen frytet. Hiqe mënjanë perden që e mbulon Diellin e Drejtësisë dhe lëre Atë të shkëlqejë mbi shpirtin tënd dhe kjo do të pasohet nga vrasja e gjithë mëkatit dhe frytet e shenjtërisë do të jenë të bollshme.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*