7 Maj – Octavius Winslow

“Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë.” Romakëve 7:18

Zoti do të bëjë që populli i Tij ta njohë dobësinë dhe pamjaftueshmërinë e tij totale për të ruajtur veten e tyre, dhe do të bëjë këtë gjë jo me ide apo në teori, jo me atë që dëgjojnë ata apo nga ajo që lexojmë, por përmes përjetimit të tyre të thellë personal të së vërtetës: po, Ai në mënyrë të vazhdueshme bën që ata ta mësojnë këtë gjë. Nuk jam duke ju referuar thjesht asaj periudhe të bekuar kur së pari Fryma e Shenjtë e vërtit sëpatën e tij kundër vetëdrejtësisë së tyre – është e vërtetë që aty e mësojnë së pari – por është një e vërtetë me të cilën mund të vazhdojnë të njihen edhe më thellë; është një mësim të cilin e mësojnë çdo ditë; dhe ai që edukohet në mënyrë më të përsosur në këtë mësim dhe që e sheh me më tepër kujdes zemrën e tij, është ai që kujdeset më tepër për udhën e tij dhe që merret në mënyrën më konstante dhe më të thjeshtë me kryqin e Jezusit.

Mënyrat sesi Zoti i përshtat dhe i ballafaqon me këtë njohuri janë vërtet të larmishme. Nganjëherë është duke i sjellë ata në vështirësi dhe ngushtica të mëdha, duke e penguar shtegun e tyre me gjemba, apo duke e shtruar atë me zaje. Nganjëherë ndodh në vështirësi të thellë pas një begatie të madhe, sikurse në rastin e Jobit, i cili u shkund nga të gjitha, dhe u ul në pluhur dhe hi, në mënyrë që të arrinte në bindjen dhe rrëfimin e thellë të neverisë së thellë dhe totale.
Nganjëherë ndodh në rrethanat e begatisë absolute, kur Ai ia plotëson zemrës dëshirën, por dërgon dobësi në shpirt. Sa mirë që ia mëson kjo një njeriu të perëndishëm skamjen e tij totale! Ndonjëherë Zoti e bën duke lejuar një lajmëtar të Satanit që të na qëllojë me grushta – duke dërguar një kryq të rëndë, lëngues që na plagos. Ndonjëherë e bën duke hequr një ndihmë të dashur, tek e cila u mbështetëm me shumë dashuri dhe siguri – duke dërguar një krim që ta thajë rrënjën e pjergullës së këndshme, duke e tharë burimin që na freskonte, apo duke na çuar në thellësitë e luginës së poshtërimit dhe përuljes së vetes. Por shkolla më e mirë në të cilën e mësojmë këtë mësim të dhimbshëm e megjithatë të nevojshëm dhe të dobishëm, është në trupin e mëkatit të cilin e mbartim çdo ditë me vete.

Këtu e mësoi Pali mësimin e tij, sikurse na tregon kapitulli i shtatë i letrës së tij drejtuar Kishës në Romë, letër kjo për të cilën shenjtorët kanë arsye që ta lavdërojnë dhe adhurojnë Frymën e përjetshëm dhe të bekuar. Në këtë shkollë dhe në këtë mënyrë apostulli i madh i Johebrenjve mësoi që edhe shenjtori më i shenjtë, më i mësuar, më i dobishëm, më i privilegjuar dhe më i frymëzuar i Perëndisë në vetvete nuk ishte gjë tjetër veçse dobësi dhe mëkat total. Lexues i dashur, mos u dekurajo, nëse Zoti, Fryma është duke të mësuar të njëjtin mësim në të njëjtën mënyrë; nëse tani Ai është duke e zbuluar ligësinë e fshehur, duke e lëruar tokën djerë, duke të zbuluar më tepër nga parimi i lig i zemrës tënde, ligësinë e natyrës tënde mëkatare, dhe këtë mund të jetë duke e bërë në një kohë sprove të madhe, mes një pikëllimi të rëndë që të thyen zemrën. Ah, tani je gati të shpallësh, “Të gjitha këto gjëra janë kundër meje. A jam vallë fëmijë i Perëndisë? A mund të jem subjekt i hirit, dhe në të njëjtën kohë të prekem nga gjithë kjo ligësi e fshehur, dhe nga këto sprova të thella dhe të rënda? A është kjo mënyra sesi Ai i trajton njerëzit e Tij?

Po, lexues i dashur, nuk je rast i veçantë dhe as vetëm; përgjatë këtij shtegu kanë udhëtuar i gjithë populli i besëlidhjes së Perëndisë drejt shtëpisë së tyre më të mirë dhe më të shkëlqyer. Këtu ata u mësuan me dobësitë e tyre, me rrezikun e tyre për t’u rrëzuar vazhdimisht; këtu hoqën dorë prej mendimeve të tyre të mëparshme rreth fuqisë së vetes dhe aftësisë për ta ruajtur veten e tyre; këtu gjithashtu mësuan më tepër për Jezusin si fuqia e tyre, si ruajtësi i tyre i gjithëmjaftueshëm, mësuan më tepër për Të si “urtësia, drejtësia, shenjtërimi dhe shpengimi” i tyre. Pra, merr zemër, sepse Zoti Perëndia yt po të udhëheq përgjatë një udhe të sigurt dhe të duhur për të të çuar në qytetin e prehjes.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*