Ai erdhi për të shërbyer!

17 Dhjetor

prej John Piper

Ai erdhi për të shërbyer

Kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.

Marku 10:44

Jezusi pret që dishepujt e tij të jenë radikalisht të ndryshëm nga mënyra e zakonshme e veprimit të njerëzve. Ata duhet t’i shërbejnë njëri-tjetrit dhe jobesimtarëve. Në atë shërbim ata duhet të pinë kupën e çfarëdo vuajtjeje që do t’iu kërkohet. Sigurisht që ka për të pasur kosto.

Por nëse ky do të ishte i vetmi mesazh i Krishterimit, nuk do të ishte lajm i mirë. Nuk do të kishte ungjill. Kam nevojë për shumë më tepër sesa dikë që të më thotë kush duhet të jem dhe çfarë duhet të bëj. Kam nevojë për ndihmë që të jem dhe të bëj. Kjo është arsyeja pse Jezusi thotë atë që thotë tek Marku 10:45, “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.” Sa gabim i tmerrshëm do të ishte nëse do ta dëgjonim thirrjen e Jezusit për të qenë shërbëtor i të gjithëve në vargun 44 si një thirrje për t’i shërbyer atij. Kjo nuk është një thirrje e tillë.

Është një thirrje për të mësuar sesi të shërbehemi prej tij. Kjo gjë të mos ju shpëtojë. Kjo është zemra e Krishterimit. Kjo është ajo çka e veçon besimin tonë nga të gjitha fetë e tjera të mëdha. Perëndia ynë nuk ka nevojë për shërbimin tonë, Ai as nuk përlëvdohet prej rekrutëve që dëshirojnë ta ndihmojnë Atë. Perëndia ynë është aq plotë dhe aq i vetëmjaftueshëm, aq i bollshëm në fuqi, jetë dhe gëzim saqë e përlëvdon veten duke na shërbyer ne. Ai e bën këtë gjë duke marrë mbi vete natyrën njerëzore, duke na kërkuar ne dhe pastaj duke na thënë që nuk erdhi që të merrte shërbimin tonë, por që të ishte shërbëtori ynë.

Ja një e vërtetë e përgjithshme që duhet menduar dhe besuar: sa herë që Jezusi na urdhëron që të bëjmë diçka, kjo është mënyra e tij për të na thënë sesi ai dëshiron të na shërbejë. Më lejoni ta them në një mënyrë tjetër: shtegu i bindjes është shtegu ku Krishti na takon si shërbëtori ynë për të mbartur barrët tona dhe për të na dhënë fuqinë e tij.

Kur ju bëheni i krishterë, një dishepull i Jezusit, nuk bëheni ndihmësi i tij. Ai bëhet ndihmësi juaj. Ju nuk bëheni shërbëtori i tij. Ai bëhet shërbëtori juaj. Jezusi nuk ka nevojë për ndihmën tuaj; ai ju urdhëron të bindeni dhe ju ofron ndihmën e tij.

Kjo është Krishtlindja. Ai erdhi për të shërbyer dhe jo për t’i shërbyer. Ai erdhi për të na ndihmuar të bëjmë gjithçka që ai na thërret të bëjmë.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*