Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e parë, të dytë dhe të tretë?

Pyetja 9

Çfarë na kërkon Perëndia në urdhërimin e parë, të dytë dhe të tretë?

Së pari, që ta njohim dhe të besojmë në Perëndinë si i vetmi Perëndi i gjallë dhe i vërtetë. Së dyti, që të mënjanojmë çdo idhujtari dhe të mos e adhurojmë Perëndinë në mënyra të papërshtatshme. Së treti, që ta trajtojmë emrin e Perëndisë me frikë dhe druajtje, duke nderuar Fjalën dhe veprat e Tij.

Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij. Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë.

Ligji i Përtërirë 6:13–14

Komentim

Perëndia i udhëzon njerëzit të shohin që Perëndia i zbuluar në Shkrimin e Shenjtë dhe i manifestuar në personin e Zotit Jezus, është Perëndia që krijoi qiellin dhe tokën. Njeriu formon për veten e tij një perëndi sipas dëshirës së vet; ai bën për veten e tij një hyjni si t’i pëlqejë atij, nëse ky nuk është prej druri dhe guri, mund të jetë sipas asaj që ai e quan ndërgjegjen e tij apo mendimit të tij të arsimuar; ai krijon një hyjni që nuk do tregohet tepër e ashpër me shkeljet e tij apo që ushtron drejtësi të prerë me të pa penduarin. Njeriu e mohon Perëndinë ashtu siç është në të vërtetë, dhe formon perëndi të tjera, ashtu si mendon ai që duhet të jetë Hyjnia… Por kur Fryma e Shenjtë na ndriçon mendjen na bën të shohim që Jahuej (JAHWEY) është Perëndi, dhe përveç tij nuk ka tjetër. Ai e mëson popullin e tij të dinë që Perëndia i qiellit dhe tokës është Perëndia i Biblës, një Perëndi atributet e të cilit janë plotësisht të ekuilibruara. Mëshira shoqërohet me drejtësinë, dashuria shoqërohet me shenjtërinë, hiri shpaloset në të vërtetë, dhe fuqia lidhet me butësinë. Ai nuk është një Perëndi që e mbyll një sy para mëkatit, dhe nuk mund të thuhet fare që kënaqet me të… por është një Perëndi që nuk mund ta shohë dot paudhësinë, dhe nuk ka për ta lënë të pandëshkuar fajtorin. Kjo është beteja e madhe e kohës tonë mes filozofit dhe të Krishterit. Filozofi thotë, “Po, mund të kesh një perëndi, por ai duhet të ketë këtë karakter që po të them unë,” por i Krishteri përgjigjet, “Puna jonë nuk është të shpikim një perëndi, por t’i bindemi të vetmit Zot që është zbuluar në Shkrimet e të vërtetës.”

Çarls Hadon Spërxhën (1834–1892). Predikues Baptist Anglez. Spërxhën u bë pastori i Kishës Nju Park Strit (që më vonë u njoh si Tabernakulli Metropolitan) kur ishte 20 vjeç. Ai u predikonte rregullisht më shumë se 10,000 vetëve pa pasur sistemet moderne të zërit. Spërxhën ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe veprat e tij të shtypura janë tepër voluminoze. Gjatë jetës së tij ai predikoi 3,600 predikime dhe botoi 49 volume komentarësh, thëniesh, himnesh dhe leximesh devocionale.

Shkëputur nga predikimi “Njohja e Perëndisë me zemër”

Lutje

Ti më urdhëron “të mos kem perëndi tjetër përveç Teje.” Kjo do të thotë që duhet të të kem Ty si Zot dhe Perëndi, të pres për çdo gjë të mirë nga duart e tua dhe si rrjedhim duhet të të besoj Ty plotësisht, të të falënderoj, të të dua, të të druhem, të të bindem dhe t’i përgjërohem emrit tënd të shenjtë për të gjitha nevojat e mia; që të mos ia jap besimin, dashurinë, frikën, bindjen, mirënjohjen, përgjërimin dhe lutjet e mia asnjë tjetri… por vetëm Ty. Që të gjitha këto t’i bëj o Zot Perëndia im, me një zemër të gëzuar pasi kam një arsye të madhe kur mendoj se ç’gjë e mahnitshme është ajo që ke bërë Ti, ke dhënë Birin tënd për mua dhe je bërë Perëndia im!

At i dashur ç’mund të them vallë? Ashtu si në të shkuarën e kam shkelur ligjin tënd duke besuar në krijesat e tua, duke u mbështetur në to, kam dashur, kam pasur frikë dhe u jam bindur shumë gjërave të tjera përveç Teje dhe nuk të jam bindur Ty. Përmes mirësisë dhe mëshirës sate të madhe o At i dashur, më fal mua dhe idhujtarinë që kam kryer në të shkuarën si dhe atë që kam bërë dhe vazhdoj të bëj… bëj që të mos kem asnjë Perëndi tjetër në zemër veç Teje, të mos i shërbej askujt tjetër veç Teje dhe për Ty… O Zot t’i më urdhëron të mos e përdor kot emrin tënd, duke mallkuar, duke bërë lutje pa kuptim, duke u tallur, duke abuzuar apo neglizhuar leximin dhe dëgjimin e fjalës tënde të shenjtë… gjithashtu të mos e mohoj të vërtetën dhe fjalën tënde, të mos e fsheh kur më jepet rasti për të të dhënë lavdi Ty duke konfirmuar të vërtetën.

Prandaj e kuptoj që Ti dëshiron që ta përdor gjuhën time që me përulësi të të rrëfej Ty, fjalën dhe të vërtetën tënde… të lutem me zemër, t’i bëj thirrje emrit tënd; të lexoj dhe dëgjoj fjalën tënde, ta shpall atë me druajtje, zell dhe kujdes; në falënderime dhe lavdërime për Ty për shkak të mëshirës sate të madhe… Zot i mirë dhe i hirshëm… unë jam një shkelës i mjerë i urdhërimit tënd të mirë të bekuar dhe të shenjtë, ashtu si kam qenë edhe në të shkuarën. Perëndi i dashur, fali mëkatet e mia të shkuara dhe të tashme për të cilat ky ligj më akuzon dhe më jep mundësi o At i hirshëm që të mbushem me Frymën tënde të Shenjtë për ta njohur dhe dashur emrin, fjalën dhe të vërtetën tënde të shenjtë në Jezu Krishtin… t’i lutem emrit tënd për të gjitha nevojat e mia, të të falënderoj Ty, të të përlëvdoj, lartësoj dhe shenjtëroj emrin tënd të shenjtë si një enë e mëshirës tënde, tani e përjetë.

Gjon Bradford (1510–1555). Reformator Protestant Anglez në Universitetin e Kembrixhit. Ai u caktua kapelani mbretëror i Mbretit Eduard VI. Kur Katolikja Maria Tudor mori fronin ai u arrestua bashkë me Latimerin, Ridlin dhe Kryepeshkopin Cranmer. Bradfordi kishte një reputacion të madh si predikues dhe një turmë e madhe erdhi për të parë ekzekutimin e tij. Ai mbahet mend më tepër për thënien e tij, “Ja ku po shkon dhe Gjon Bradford prej hirit të Perëndisë.” Veprat e tij, disa prej të cilave u shkruan në burg përfshijnë letra, nxitje, eulogji, meditime, predikime dhe ese.

Shkëputur nga “Meditime të perëndishme: Meditim për Dhjetë Urdhërimet”

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*