Gëzimi hyjnor – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi!” – Sofonia 3:17

I mrekullueshëm ky ‘mendim i Perëndisë!’ – Perëndia që prehet në dashurinë e Tij – në dashurinë e Tij jo për engjëjt që nuk kanë mëkatuar, por për njeriun e rënë dhe të shpenguar! Ideja është ajo e gëzimit dhe kënaqësisë së dikujt që po çlodhet pas përfundimit të një vepre të lodhshme. Perëndia u çlodh kur krijoi, Ai u ngazëllua me gëzim për një botë të sapo lindur. Por ky ishte një portretizim i dobët i çlodhjes dhe ngazëllimit të Tij të kënaqshëm për një shpirt të sapo shpenguar.

Në këtë varg gjejmë një sekuencë të bukur. Ajo arrin kulmin. Së pari, Perëndia, “shpëton.” Pastaj Ai “gëzohet.” Pastaj Ai “çlodhet” (prehja medituese e gëzimit). Pastaj, sikur kjo të mos ishte mjaft, Ai gëzohet për popullin e Tij “me këngë.” Si një luftëtar tokësor – në fillim është fitorja; pastaj vjen klithma e gëzimit; pastaj soditja e qetë e fushës së fitores; pastaj himni i triumfit.

Ai “prehet në dashurinë e Tij!” Me Perëndinë, dashuria është natyrë. Nga impulsi njeriu mund të kryejë një vepër dashurie. Ndjenja dhe emocioni momentar, edhe në rastin e një zemre që natyrshëm nuk është e dashur, mund të çojë në një vepër bujarie dhe mirësie. Por duke qenë se natyra e Perëndisë dhe emri i Tij janë dashuri, me të nuk mund të ketë asnjë gjë të rastit, arbitrare apo kapriçioze. Dashuria e Tij nuk është një rrymë kokëfortë dhe e paqëndrueshme – por është si një lumë i thellë, i qetë, i tejmbushur dhe që rrjedh përherë!

Një fjalë apo një shikim, mund të armiqësojë dhe largojë mikun tuaj më të mirë mbi tokë. Por Miku i miqve është i pandryshueshëm. Oh sa e fortë duhet të jetë ajo dashuri për fajtorin dhe për të humburin, për të cilën flitet në këtë mënyrë nga buzët e dashurisë birnore Hyjnore, “prandaj,” thotë Jezusi, “Ati më do, sepse unë e jap jetën time për delet e mia.”

“Do të gëzohet për ty me këngë!” “Ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.” Plëngprishësi i penduar u prit jo vetëm me lotët dhe përqafimin e faljes prindërore; por brenda dhomave prindërore u bë festë e madhe, “Është e drejtë të gëzohemi e të festojmë.” Pamja më e ngazëlluar në atë skenë gëzimi, nuk është ajo e endacakut të drobitur, por është ajo e babait që ngazëllon, që po gëzohet për birin e tij të humbur që tani ishte gjetur!

“Do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet” – por ky është një gëzim që edhe pse përhapet mes radhëve rrethore dhe arrin deri tek perimetri i lavdisë, thellësia e tij më e madhe gjendet në qendër. Gëzimi fillon tek froni – nota e parë e këngës shqiptohet nga Vetë Perëndia! E njëjta gjë ndodh edhe në shëmbëlltyrën e deles së humbur. Shikoni sesi Krishti flet, sikur gjithë gëzimin e kishte Ai për kthimin e endacakut; “E merr mbi supe gjithë gaz,” dhe thotë, “Gëzohuni bashkë me mua!” Gëzimi i popullit të Tij është pjesë e gëzimit të Tij, “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”

“Perëndia është mes teje;” “Ai është i fuqishmi;” “Ai do të shpëtojë.” Çfarë ka nevojë më tepër një mëkatar i mjerë sesa kaq – një Perëndi të pranishëm, një Perëndi të pushtetshëm, një Perëndi Shpëtimtar? I aftë për të shpëtuar, i gatshëm për të shpëtuar – edhe më tepër – gëzohet që të shpëtojë!” “Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej Tij.” “Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua.”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*