Mendime Shtjelluese – Hyrje

Mendime Shtjelluese rreth Ungjillit sipas Mateut

nga J. C. Ryle

Në shkruajtjen e këtij volumi të parë të një vepre të re Shtjelluese rreth Ungjijve ndjej që është e nevojshme të ofroj disa shpjegime rreth karakterit dhe qëllimit të kësaj vepre në mënyrë që të evitoj keqkuptimet.

“Mendimet Shtjelluese,” që tani gjenden përpara lexuesit nuk janë një komentar i mirëfilltë kritik. Nuk po them që do të shtjelloj çdo varg të Ungjijve, të përleshem me çdo vështirësi, të përpiqem të jap shpjegimin e çdo teksti të vështirë apo të shqyrtoj çdo lexim apo përkthim të debatueshëm.

“Mendimet Shtjelluese” nuk janë një shtjellim i vazhdueshëm homilitike që të përmbajë vërejtje praktike për çdo varg sikurse komentarët e shkruar nga Brentius dhe Gaulter.

Plani që kam zbatuar në formimin e “Mendimeve Shtjelluese” është ky: E kam ndarë tekstin e shenjtë në pjesë apo pasazhe, me mesatarisht dymbëdhjetë vargje secila. Pastaj kam dhënë një seri të vazhdueshme “Shtjellimesh” të shkurtra dhe të qarta për secilën nga këto pjesë. Në çdo Shtjellim në përgjithësi kam filluar duke thënë shpallur në mënyrë sa më të shkurtër që mundem temën dhe qëllimin kryesor të pjesës që po konsideroj. Pastaj kam zgjedhur dy, tre apo katër pika të spikatura nga kjo pjesë, i kam veçuar nga të tjerat, jam fokusuar në mënyrë ekskluzive tek ato dhe jam përpjekur t’i përforcoj në mënyrë të qartë dhe me zell në vëmendjen e lexuesit. Pikat e përzgjedhura nganjëherë janë doktrinore dhe nganjëherë praktike. I vetmi rregull i ndjekur në përzgjedhjen e tyre ka qenë që të fokusohem tek vetë pikat kryesore të pasazhit.

Për sa i përket stilit dhe formës ju rrëfej me sinqeritet që jam përpjekur që për sa ka qenë e mundur të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë dhe të zgjedh ata që një shenjtor i moçëm e quan fjalë “të zgjedhura dhe të ngarkuara.” Jam përpjekur ta vendos veten në pozitën e atij që u lexon të tjerëve me zë të lartë dhe duhet të kapë vëmendjen e tyre, nëse mundet. Kur kam shkruar secilin Shtjellim i kam thënë vetes, “Po i drejtohem një grupi të përzjerë dhe kam një kohë shumë të shkurtër në dispozicion.” Duke e mbajtur këtë gjë ndërmend vazhdimisht kam lënë pa thënë shumë gjëra që mund të ishin thënë, dhe jam përpjekur të fokusohem kryesisht tek gjërat e nevojshme për shpëtim. Qëllimisht i kam anashkaluar shumë tema të një rëndësie dytësore, në mënyrë që të them diçka që mund të prekë dhe të mbetet në ndërgjegjen e lexuesit. Kam ndjerë që disa pika që mbahen mend mirë dhe që janë ngulitur fort janë më mirë se një shumicë e madhe të vërtetash që janë të shpërndara dhe të çrregullta në mendje.

Me raste kam shtuar disa shënime që shpjegojnë pasazhe të vështira. Më është dukur mirë t’i shtoj këto shënime si informacion për lexuesit që mund të ndiejnë një dëshirë për të ditur se çfarë mund të thuhet për “gjërat e thella” të Shkrimit dhe mund të mos kenë një momentar të tyre.

Komentarët dhe Shtjellimet e Shkrimit janë aq të panumërta në kohën tonë, saqë ndihem se është e nevojshme të them diçka për atë grup lexuesisish të cilët i kam patur parasysh kur kam shkruar këto Mendime Shtjelluese.
Në radhë të parë, shpresoj që kjo vepër të jetë e dobishme për lutjet familjare. Veprat e përshtatura për këtë qëllim nuk e përmbushin gjithmonë nevojën.

Së dyti, nuk ka sesi të mos shpresoj që kjo vepër të jetë ndihmë për ata që vizitojnë të sëmurët dhe të varfrit. Nuk është shumë i madh numri i njerëzve që vizitojnë spitalet, dhomat e të sëmurëve dhe shtëpitë me dëshirën për t’ju sjellë njerëzve të mira frymërore. Ka arsye për të besuar që librat e duhur për lexim në raste të tilla janë shumë të nevojshëm.

Së fundi dhe jo më pak e rëndësishme, besoj që kjo vepër të mos jetë e padobishme për leximin privat të Shkrimit si shoqërues për Ungjijtë. Nuk janë të pakët ata thirrja dhe përgjegjësitë e tyre ua bëjnë të pamundur që të lexojnë komentarë apo shtjellime të mëdha të Fjalës së Perëndisë. Kam menduar që njerëz të tillë mund të ndihmohen në kujtesën e tyre që të kenë disa pika kryesore para syve të mendjes në lidhje me atë që po lexojnë.

Tani po e paraqes këtë volum me lutjen e zellshme që të dalë i dobishëm për nxitjen e fesë së pastër dhe të panjollë, të ndihmojë në zgjerimin e njohjes së Krishtit dhe të jetë një mjet modest në ndihmë të punës së lavdishme të konvertimit dhe ndërtimit të shpirtrave të pavdekshëm.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*