Mendime Shtjelluese Mateu 18

nga J C Ryle

Mateu 18:1-14

Gjëja e parë që na mësohet në këto vargje është domosdoshmëria e konvertimit, e një konvertimi të manifestuar përmes përulësisë si prej fëmije. Dishepujt erdhën tek Zoti ynë dhe e pyetën, “Kush pra është më i madhi në mbretërinë e qiejve?” Ata folën si njerëz gjysmë të ndriçuar dhe plot me pritje mishore. Ata morën një përgjigje të llogaritur mirë për t’i zgjuar nga ëndrra e tyre me sy hapur – një përgjigje që përmbante një të vërtetë e cila gjendet në vetë themelin e Krishterimit – “në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.”

Le të zhyten këto fjalë thellë në zemrat tona. Pa konvertim nuk ka shpëtim. Të gjithë ne kemi nevojë për një ndryshim tërësor të natyrës. Nga vetja nuk kemi as besim, as frikë dhe as dashuri ndaj Perëndisë. Qielli nuk ka për të qenë qiell për ne nëse nuk do të ishim të konvertuar. Kjo është e vërtetë për të gjitha rangjet, shtresat dhe klasat e njerëzimit. Të gjithë kanë lindur në mëkat dhe janë bij të zemërimit, pa asnjë përjashtim, dhe kanë nevojë të linden sërish dhe të bëhen krijesa të reja. Duhet të na jepet një zemër e re, dhe të vendoset brenda nesh një frymë e re. Gjërat e vjetra duhet të shkojnë tej, dhe të gjitha duhet të bëhen të reja. Është gjë e mirë të pagëzohesh në kishën e krishterë, dhe të përdorësh mjetet e krishtera të hirit. Por në fund të fundit pyetja është, “a jemi konvertuar?”

A dëshirojmë të dimë nëse jemi konvertuar me të vërtetë? A dëshirojmë të dimë se cili është testi përmes të cilit duhet ta sprovojmë veten? Shenja më e sigurt e konvertimit të vërtetë është përulësia. Nëse e kemi marrë me të vërtetë Frymën e Shenjtë do ta tregojmë këtë gjë përmes një fryme zemërbutë si prej fëmije. Sikurse fëmijët, do të mendojmë me përulësi për forcën dhe urtësinë tonë, dhe do të jemi tepër të varur tek Ati ynë në qiell. Sikurse fëmijët, nuk do të kërkojmë gjëra të mëdha në këtë botë; nëse kemi ushqim, veshje dhe dashurinë e Atit, do jemi të kënaqur. Ky me të vërtetë që është një test që të heton zemrën! Ky test ekspozon dobësinë e shumë të ashtuquajturve konvertime. Është e lehtë të jesh njeri i konvertuar nga një grup tek tjetri, nga një sekt tek tjetri, nga një palë opinione tek tjetra. Konvertime të tilla nuk shpëtojnë shpirtin e askujt. Ajo që duam të gjithë ne është një konvertim nga krenaria në përulësi, nga mendimet e larta rreth vetes tek mendimet e përunjura rreth vetes, nga të mbajturit me të madh tek përulja e vetes, nga mendja e Fariseut tek mendja e Tagrambledhësit. Duhet të përjetojmë një konvertim të këtij lloji nëse shpresojmë që të shpëtohemi. Këto janë konvertimet që shkaktohen prej Frymës së Shenjtë.

Gjëja tjetër që duhet të mësojmë prej këtyre vargjeve është mëkati i madh i vendosjes së gurëve të pengesës në shtegun e besimtarëve. Fjalët e Zotit Jezus rreth kësaj teme janë jashtëzakonisht solemne. “Mjerë bota për skandalet! …mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!”

Ne vendosim gurë skandali në shtegun e shpirtrave të njerëzve kurdoherë që bëjmë ndonjë gjë për t’i mbajtur ata larg Krishtit, për t’i larguar nga udha e shpëtimit, apo t’i skandalizojmë ata me fenë e vërtetë. Këtë gjë mund ta bëjmë në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes përndjekjes, talljes, kundërshtimit, apo duke i shkurajuar ata nga një shërbim i vendosur ndaj Krishtit. Por mund ta bëjmë edhe në mënyrë të tërthortë duke jetuar një jetë që nuk pajtohet me rrëfimin tonë fetar dhe duke e bërë Krishterimin të përbuzshëm dhe pa shije përmes vetë sjelljes tonë. Kurdoherë që bëjmë ndonjë nga këto është e qartë nga fjalët e Zotit tonë që jemi duke kryer një mëkat të madh.

Në doktrinën e parashtruar këtu ka diçka shumë të frikshme. Kjo duhet të na nxitë që të hetojmë thellë zemrën tonë. Nuk mjafton që të dëshirojmë të bëjmë mirë në këtë botë. A jemi plotësisht të sigurt që nuk po shkaktojmë dëm? Mund të mos jemi duke i përndjekur hapur shërbëtorët e Krishtit. Por a ka ndonjë të cilin po e lëndojmë përmes sjelles dhe shembullit tonë? Është e frikshme të mendosh për sasinë e dëmit që mund të shkaktohet prej një rrëfyesi jokonsistent të fesë. Ai u jep shkak të pabesëve. Ai i siguron njeriut të botës një justifikim për të qëndruar i pavendosur. Ai e frenon atë që po kërkon shpëtimin. Ai i shkurajon shenjtorët. Me pak fjalë, ai është një predikim i gjallë për llogari të djallit. Vetëm në ditën e fundit do të zbulohet i gjithë rrënimi i shpirtrave që është shkaktuar prej “skandaleve” në kishën e Krishtit. Një nga akuzat e Nathanit kundër Davidit ishte, “më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë.” (2 Samueli 12:14).

Gjëja tjetër që duhet të mësojmë në këto vargje është, realiteti i ndëshkimit të ardhshëm pas vdekjes. Në këtë rast Zoti ynë përdor dy shprehje të forta. Ai flet për “të hedhurit në zjarrin e përjetshëm.” Ai gjithashtu flet për “të hedhurit në ferr.” Kuptimi i këtyre fjalëve është i qartë dhe i pagabueshëm. Ekziston një vend mjerimi të patregueshëm në botën që do të vijë në të cilin do të mbyllen më në fund të gjithë ata që vdesin të papenduar dhe pa besuar. Në Shkrim është zbuluar një “indinjatë e zjarrtë,” e cila herët a vonë do t’i përpijë kundërshtarët. (Hebrenjve 10:27). E njëjta fjalë e sigurt që u premton një qiell të gjithë atyre që pendohen dhe konvertohen shpall në mënyrë të qartë që do të ketë një ferr për të gjithë të paudhët.

Le të mos na mashtrojë askush me fjalë të kota rreth kësaj teme të frikshme. Këto ditët e fundit kanë dalë njerëz që rrëfejnë se mohojnë përjetësinë e ndëshkimit të ardhshëm dhe përsëritin argumentin e lashtë të djallit, që ne “me siguri nuk kemi për të vdekur.” (Zanafilla 3:4). Le të mos na lëkundë asnjë prej arsyetimeve të tyre pavarësisht sa të pranueshme që mund të tingëllojnë. Le të qëndrojmë të palëkundur në shtigjet e vjetra. Perëndia i dashurisë dhe mëshirës është gjithashtu edhe Perëndia i drejtësisë. Ai sigurisht që do të shpaguajë. Përmbytja në kohën e Noeut dhe zjarri i Sodomës kishin për qëllim të na tregonin se çfarë do të bëjë Ai një ditë. Asnjë palë buzë nuk kanë folur kurrë aq qartë rreth ferrit sa buzët e vetë Krishtit. Mëkatarët e ngurtësuar do të zbulojnë për përhumbjen e tyre që ekziston diçka e tillë si “zemërimi i Qengjit.” (Zbulesa 6:17).

Gjëja e fundit që na mësohet në këto vargje është vlera që Perëndia u jep besimtarëve më të vegjël dhe më të përulur. “Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë.”

Këto fjalë janë dhënë për inkurajimin e të gjithë të krishterëve të vërtetë dhe jo vetëm për fëmijët e vegjël. Lidhja në të cilën gjenden ato me shëmbëlltyrën e njëqind deleve dhe njërës që humbi, duket që e vërteton këtë gjë përtej çdo dyshimi. Ato kanë për qëllim të na tregojnë që Zoti ynë Jezusi është Bari i cili kujdeset me butësi për çdo shpirt që i është besuar Atij. Më të vegjëlit, më të dobëtit, më të sëmurët e tufës së tij janë po aq të dashur për Të sa edhe më të fortët. Ata nuk do të humbasin kurrë. Askush nuk ka për t’i rrëmbyer dot nga dora e Tij. Ai do t’i udhëheqë me butësi përgjatë shkretëtirës së kësaj bote. Ai nuk ka për t’i munduar as edhe një ditë të vetme, në mënyrë që të mos vdesin. (Zanafilla 33:13). Ai ka për t’i mbartur përgjatë çdo vështirësie. Ai do t’i mbrojë kundër çdo armiku. Thënia e Tij do të plotësohet në mënyrë të drejtpërdrejtë – “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë.” (Gjoni 18:9). Me një Shpëtimtar të tillë, kush ka nevojë të frikësohet për të qenë një i krishterë me gjithë shpirt? Me një Bari të tillë kush është ai person që ka filluar ta ndjekë dhe pastaj të frikësohet se do të dëbohet prej Tij?

Mateu 18:15-20

Këto fjalë të Zotit Jezus përmbajnë një shprehje që shpesh është keq zbatuar. Urdhri për të “dëgjuar kishën,” është interpretuar në mënyrë të tillë sa ka rënë ndesh me pjesë të tjera të fjalës së Perëndisë. Kjo thënie është zbatuar gabimisht për autoritetin e gjithë kishës së dukshme në çështjet e doktrinës dhe kështu është bërë justifikim për ushtrimin e një sasie të madhe tiranie kishtare. Por abuzimi i të vërtetave të Shkrimit nuk duhet të na tundojë që të neglizhojmë përdorimin e tyre. Nuk duhet të largohemi plotësisht nga një tekst i caktuar për shkak se disa e kanë shtrembëruar dhe e kanë kthyer në helm.

Së pari, le të vëmë re sa të admirueshme janë rregullat e parashtruara nga Zoti ynë për shërimin e mosmarrëveshjeve mes vëllezërve. Nëse keni patur përjetimin trishtues që jeni lënduar nga ndonjë bashkë anëtar i kishës së Krishtit, hapi i parë që duhet hedhur është që të flisni me të “vetëm,” dhe t’ia vini në dukje gabimin e vet. Ai mund t’iu ketë lënduar krejt në mënyrë të pavetëdijshme sikurse Abileleku bëri me Abrahamin. (Zanafilla 21:26). Sjellja e tij mund të ketë një shpjegim, sikurse ajo e fiseve të Rubenit, Gadit dhe Manaseut, kur ndërtuan altarin pasi u kthyen në vendin e tyre. (Jozueu 22:24). Sido që të jetë, kjo mënyrë miqësore, besnike dhe e drejtpërdrejtë e trajtimit të çështjes është mënyra që ka më tepër gjasa që ta fitojë një vëlla, nëse ka nevojë të fitohet. “Gjuha e ëmbël thyen kockat.” (Fjalët e Urta 25:15). Nga ta dish nëse ai nuk do të thotë menjëherë, “E kisha gabim” dhe kështu të bëjë ndreqjet e duhura?

Nëse kjo mënyrë trajtimi dështon të prodhojë ndonjë efekt të mirë, duhet të merret një hap i dytë. Ne duhet të “marrim me vete një apo dy” dëshmitarë dhe t’ia vëmë në dukje gabimin vëllait tonë në praninë dhe tyre. Nga ta dimë nëse ndërgjegja e tij mund të mos preket kur t’i bëhet e qartë sjellja e tij e gabuar, t’i vijë turp dhe të pendohet? Nëse nuk ndodh, sido që të jetë do të kemi dëshminë e dëshmitarëve që bëmë gjithë sa mundëm për ta kthyer vëllain tonë në rrugë të drejtë dhe ai qëllimisht refuzoi kur ju bë thirrje të ndryshonte sjellje.

Së fundi, nëse kjo mënyrë e dytë trajtimi del pa sukses, duhet që këtë çështje t’ia referojmë gjithë bashkësisë së krishterë në të cilën jemi anëtarë – duhet që këtë gjë “t’ia themi kishës.” Nga ta dimë nëse zemra që nuk është prekur nga qortimet private, nuk do të ndryshojë nga frika e ekspozimit publik? Nëse jo, mbetet vetëm një mënyrë për ta trajtuar rastin e vëllait tonë – ne duhet ta konsiderojmë me trishtim si dikush që i ka braktisur të gjitha parimet e krishtera, dhe që nuk qeveriset nga asnjë motiv tjetër më i lartë sikurse “një pagan apo tagrambledhës.”

Kjo pjesë është një rast i bukur i ndërthurjes së urtësisë dhe konsideratës së butë të mësimit të Zotit tonë. Çfarë njohurie që tregon kjo për natyrën njerëzore! Asgjë nuk i shkakton aq shumë dëm në kauzën e fesë sa grindjet mes të krishterëve. Asnjë gur nuk duhet lënë pa lëvizur, nuk duhet të kursejmë asnjë mundim, në mënyrë që të mos lejojmë që këto çështje të trajtohen në publik. Çfarë shkujdesjeje delikate që tregon kjo për ndjeshmërinë e natyrës së varfër njerëzore! Shumë skandale do të parandaloheshin nëse do të ishim më të gatshëm të praktikonim rregullin “mes jush dhe atij.” Sa mirë do ishte për kishën dhe botën nëse kjo pjesë e mësimit të Zotit tonë do të studiohej me më tepër kujdes dhe të zbatohej në praktikë. Do të ketë dallime dhe ndasi për aq kohë sa të jetë bota. Por sa prej tyre do të zhdukeshin menjëherë nëse do të ndiqnim hapat e rekomanduara në këto vargje.

Së dyti, le të vëzhgojmë se çfarë argumenti të qartë kemi në këto vargje për ushtrimin e DISIPLINËS në një bashkësi të krishterë. Zoti ynë urdhëron që mosmarrëveshjet mes të krishterëve të cilat nuk mund të zgjidhen në mënyrë tjetër duhet t’i referohen asamblesë së krishterë të cilës i përkasin. Ai thotë “thuajani kishës.” Nga kjo është e qartë që Ai ka për qëllim që çdo bashkësi të krishterësh rrëfyes të gjykojë sjelljen morale të anëtarëve të vet, ose përmes veprimit të të gjithë trupit kolektiv, ose përmes krerëve dhe pleqve të cilëve u është deleguar ky autoritet. Është e qartë gjithashtu që Ai ka për qëllim që çdo bashkësi të ketë pushtetin për të përjashtuar anëtarët e pabindur dhe kundërshtues nga pjesëmarrja në sakramentet e saj. Ai thotë, “Në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.” Ai nuk thotë as edhe një fjalë për ndëshkimin e përkohshëm apo për kufizimet shoqërore. Disiplinat frymërore janë të vetmet dënime që Ai i lejon kishës të ushtrojë, dhe kur këto jepen si duhet, nuk duhet të trajtohen shkel e shko. “Të gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell.” Ky duket se është thelbi i mësimit të Zotit tonë rreth disiplinës kishtare.

Është e kotë të mohojmë faktin që e gjithë kjo çështje është e rrethuar nga vështirësitë. Ndikimi i botës nuk është ushtruar në asnjë pikë tjetër me aq forcë sa në veprimin e kishave. Në asnjë pikë tjetër kishat nuk kanë bërë aq shumë gabime sesa në këtë – nganjëherë në krahun e pakujdesisë së përgjumur, nganjëherë në krahun e ashpërsisë së verbër. Nuk ka dyshim që pushteti i shkishërimit është abuzuar dhe shtrembëruar në mënyrë të frikshme, dhe sikurse thotë edhe Kesnelli, “duhet të kemi më tepër frikë nga mëkatet tona sesa nga të gjitha shkishërimet në botë.” Megjithatë, me një pjesë të tillë para nesh është e pamundur të mohojmë faktin që disiplina e kishës është në përputhje me mendjen e Krishtit, dhe kur ajo ushtrohet me urtësi, ka për qëllim të nxitë shëndetin dhe mirëqenien e kishës. Nuk mund të jetë kurrë e drejtë që lloj-lloj njerëzish, pavarësisht sa të ligj apo të pa perëndishëm të lejohen t’i afrohen tryezës së Zotit. Është përgjegjësia e çdo të krishteri që të përdorë ndikimin e vet për të mos lejuar që gjërat të arrijnë në një situatë të tillë. Në këtë botë nuk mund të arrihet kurrë një përbashkësi e përsosur, por gjithsesi pastërtia duhet të jetë synimi ynë. Një standard edhe më i lartë për t’u kualifikuar për anëtarësi të plotë në kishë ka për të qenë gjithmonë një prej treguesve më të mirë për një kishë të begatë.

Së fundi, le të vëzhgojmë, se çfarë inkurajimi të hirshëm që u ofron Krishti atyre që mblidhen bashkë në emrin e Tij. Ai thotë, “Kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre.” Kjo thënie është një provë e jashtëzakonshme e hyjnisë së Zotit tonë. Vetëm Perëndia mund të jetë në shumë vende në të njëjtën kohë.

Në këto fjalë gjejmë ngushëllim për të gjithë ata që dëshirojnë të takohen bashkë për qëllime fetare. Në çdo asamble për adhurim publik, në çdo mbledhje për lutje dhe lavdërim, në çdo takim misionar, në çdo lexim të Biblës, Mbreti i mbretërve është i pranishëm – Krishti vetë merr pjesë! Shpesh mund të shkurajohemi nga numri i vogël i pjesëmarrësve në raste të tilla kur i krahasojmë me ata që mblidhen për qëllimet e botës. Nganjëherë mund të na duket e vështirë të durojmë talljet dhe përqeshjet e një bote armiqësore e cila këlthet si armiqtë e lashtë, “Çfarë po bëjnë këta Judenj matufë?” (Nehemia 4:2). Por nuk kemi arsye që të dëshpërohemi. Mund të mbështetemi me guxim tek këto fjalë të Jezusit. Në të gjitha këto takime ne kemi shoqërinë e vetë Krishtit.

Në këto fjalë ka një qortim solemn për të gjithë ata që neglizhojnë adhurimin publik për Perëndinë dhe nuk marrin pjesë kurrë në takime me qëllime fetare. Duke bërë kështu ata i kthejnë shpinën shoqërisë së Zotit të zotërve. Atyre u shpëton mundësia për t’u takuar me vetë Krishtin. Nuk ka fare vlerë të thuash që organizimet e takimeve fetare karakterizohen nga dobësia dhe mangësitë, apo që ke po aq përfitim duke qëndruar në shtëpi sa dhe duke shkuar në kishë. Fjalët e Zotit tonë duhet t’ua mbyllin gojën justifikimeve të tilla. Sigurisht që nuk janë të urtë njerëzit që flasin me përbuzje për çdo takim ku Krishti është i pranishëm.

I mendofshim mirë këto gjëra. Nëse jemi takuar bashkë me popullin e Perëndisë për qëllime frymërore në të shkuarën, le të këmbëngulim dhe të mos kemi turp. Nëse deri tani i kemi përbuzur takime të tilla le të shqyrtojmë udhët tona dhe të mësojmë urtësinë.

Mateu 18:21-35

Në këto vargje Zoti Jezus trajton një temë shumë të rëndësishme – FALJEN E LËNDIMEVE. Ne jetojmë në një botë të ligë, dhe është e kotë të presësh që mund t’i shpëtojmë keq-trajtimit, pavarësisht sa me kujdes mund të sillemi. Është shumë e rëndësishme për shpirtin tonë të dimë sesi të sillemi kur na keqtrajtojnë.

Së pari, Zoti Jezus e parashtron si rregull të përgjithshëm që duhet t’i falim gjithmonë të tjerët. Pjetri bëri pyetjen, “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?” Dhe përgjigja që mori ishte, “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.”

Rregulli i paraqitur këtu sigurisht që duhet të interpretohet me një mendje kthjelltësi. Zoti ynë nuk do të thotë që shkeljet kundër ligjit dhe rendit të mirë të shoqërisë, duhen lënë pa u trajtuar. Ai nuk do të thotë që duhet t’i lejojmë njerëzit të kryejnë vjedhje dhe sulme pa e vrarë mendjen. Gjithë sa do të thotë Ai është që ne duhet të ushtrojmë jë frymë të përgjithshme mëshire dhe faljeje ndaj vëllezërve tanë. Duhet të durojmë shumë dhe të mbajmë shumë në vend që të grindemi. Duhet që të mos i vëmë re shumë gjëra, të nënshtrohemi shumë, në vend që të përleshemi. Duhet të lëmë mënjanë çdo ligësi, grindje, hakmarrje apo shpagim. Ndjenja të tilla u shkojnë për shtat vetëm paganëve. Ata janë krejtësisht të padenja për një dishepull të Krishtit.

Çfarë bote të lumtur që do të kishim nëse këtë rregull të Zotit tonë do ta njihnim dhe t’i bindeshim më mirë! Sa shumë nga mjerimet e njerëzimit shkaktohen nga mosmarrëveshjet, grindjet, gjyqet dhe nga këmbëngulja kokëfortë rreth asaj që njerëzit e quajnë “të drejtat e tyre!” Sa shumë prej këtyre të këqijave thjesht do të evitoheshin nëse njerëzit do të ishin më të gatshëm të falnin dhe të dëshironin më fort paqen! Le të mos harrojmë kurrë që zjarri nuk mund të vazhdojë të digjet pa e ushqyer. Në të njëjtën mënyrë kërkohen dy palë për të patur një grindje. Secili prej nesh le të vendosë me hirin e Perëndisë që ne nuk do të jemi kurrë një prej këtyre dy palëve. Le të vendosim ta kthejmë të ligën me të mirë, mallkimin me bekim dhe kështu të zhdukim armiqësinë, dhe t’i kthejmë armiqtë në miq. (Romakëve 12:20). Ishte tipar shumë i veçantë i karakterit të Kryepeshkopit Krenmer që nëse e lëndoje ishte e sigurt që ai do të bëhej miku yt.

Së dyti, Zoti ynë na siguron dy motive të fuqishme për të ushtruar frymën e faljes. Ai na tregon historinë e nje burri që i detyrohej një shumë të madhe zotërisë së tij dhe nuk “kishte t’ia paguante.” Megjithatë, në momentin e llogaridhënies zotëria i tij pati dhembshuri për të, dhe “ia fali gjithë borxhin.” Ai na thotë që po ky njeri, pasi ishte falur vetë, refuzoi të falte një bashkë shërbëtorin e tij për një borxh qesharak. Ai në fakt e futi në burg, dhe nuk hoqi dorë nga kërkesa e tij. Ai na tregon sesi u dënua ky njeri i lig dhe katil, i cili pasi kishte marrë mëshirë, sigurisht që duhej t’u kishte treguar mëshirë të tjerëve. Së fundi, ai e përmbull shëmbëlltyrën me fjalët domethënëse, “Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.”

Nga kjo shëmbëlltyrë është e qartë që një motiv për t’i falur të tjerët duhet të jetë mendimi që ne të gjithë kemi vetë nevojë për faljen e Perëndisë. Ditë pas dite ne dështojmë në shumë mënyra, “duke lënë pa bërë atë që duhet të bëjmë dhe duke bërë atë që nuk duhet ta bëjmë.” Ditë pas dite na nevojitet mëshirë dhe falje. Shkeljet e fqinjëve tanë ndaj nesh janë krejt vogëlsira, nëse krahasohen me shkeljet tona kundër Perëndisë. Sigurisht që është në natyrën krijesave të gabueshme si puna jonë të tregohemi ekstremë në trajtimin e gjërave të gabuara nga vëllezërit tanë apo të ngadaltë për t’i falur ata.

Një motiv tjetër për t’i falur të tjerët duhet të jetë kujtimi i ditës së gjyqit, dhe standardi përmes të cilit do të gjykohemi të gjithë në atë ditë. Atë ditë nuk do të ketë falje për njerëzit mosfalës. Njerëz të tillë do jenë të papërshtatshëm për qiellin. Ata nuk do të jenë në gjendje të vlerësojnë banesën për të cilën “mëshira” është pretendimi i vetëm, dhe në të cilën “mëshira” është tema e këngës së përjetshme. Sigurisht që nëse kemi për qëllim të qëndrojmë në të djathtë të Tij kur Jezusi të ulet mbi fronin e lavdisë së Tij duhet të mësojmë të falim që tani që jemi mbi tokë.

Lërini këto të vërteta që të zhyten thellë në zemrat tuaja. Është një fakt i trishtueshëm që ka pak detyra të krishtera që praktikohen aq pak sa falja. Është e trishtueshme të shohim shumë hidhësi, mungesë mëshire, përbuzje, ashpërsi dhe ligësi mes njerëzve. E megjithatë, të pakta janë detyrat e theksuara aq fort në Shkrimet e Dhiatës së Re sa kjo detyrë, dhe të pakta janë neglizhimet të cilat në mënyrë shumë të qartë e lënë njeriun jashtë mbretërisë së Perëndisë.

A dëshirojmë të japim prova që jemi në paqe me Perëndinë, që jemi larë në gjakun e Krishtit, që jemi lindur prej Frymës, dhe jemi bërë fëmijë të Perëndisë përmes birësimit dhe hirit? Le ta kujtojmë këtë pjesë. Sikurse Ati ynë në qiell, le të falim edhe ne. A na ka lënduar dikush? Le ta falim sot. Sikurse thotë dhe Lejtoni, “duhet që veten ta falim pak dhe të tjerët shumë.”

A dëshirojmë të bëjmë mirë në këtë botë? A dëshirojmë të kemi ndikim tek të tjerët dhe t’i bëjmë ata të shohin bukurinë e fesë së vërtetë? Le ta kujtojmë këtë pjesë. Njerëzit që nuk interesohen për doktrinat, mund ta kuptojnë një frymë faljeje.

A dëshirojmë të rritemi vetë në hir dhe të bëhemi më të shenjtë në sjelljen, fjalët dhe veprat tona? Le ta kujtojmë këtë pjesë. Asnjë gjë nuk e trishton aq shumë Frymën e Shenjtë dhe nuk sjell errësirë frymërore mbi një shpirt sa t’i hapësh udhë një temperamenti grindës dhe mos falës. (Efesianëve 4:30-32).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*