Mesazhi i Fuqishëm dhe i Mëshirshëm i Romakëve 1-8

22 Shtator 2002 | prej Xhon Pajpër

Pali e shkroi letrën drejtuar kishës në Romë për të mobilizuar mbështetjen e tyre në misionin e tij për në Spanjë. Tek Veprat 15:24 ai shkruan, “Kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t’ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado pak, me ju.” Ai nuk ka qenë kurrë në Romë dhe nuk i ka takuar kurrë shumicën e këtyre të krishterëve. Prandaj ai e shpalos ungjillin që predikonte në këto 16 kapituj.

Oh sikur të gjithë misionarët tanë ta njihnin letrën e Romakëve dhe të predikonin prej saj. Oh sikur ata prej nesh që dërgojmë misionarë ta njihnim letrën e Romakëve dhe ta jetonim atë në mënyrë që të dërgonim misionarë ashtu si Pali dëshironte të dërgohej dhe mbështetej nga Roma për në Spanjë. Mesazhi i madhërishëm dhe i mëshirshëm i kësaj letre do t’i bënte Amerikanët e pasur të përqafonin një stil jete si në kohë lufte dhe t’i derdhnin burimet e tyre në çështjen e ungjillit. Mesazhi i madhërishëm dhe i mëshirshëm i kësaj letre, nga goja e misionarëve që vuajnë, ka për t’i thyer pushtetet e errësirës dhe do të mbjellë Kishën e Krishtit në vendet më të vështira.

Aspekti shumë kulturor dhe global i kësaj letre

Nuk është e habitshme që ndërsa nisni ta lexoni këtë letër, dalloni një aspekt shumë kulturor dhe global. Tek Romakëve 1:5 Pali na thotë se synimi i apostullimit të tij është: “ me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij.” Kjo është arsyeja pse ai predikon. Prandaj po shkon në Spanjë. Prandaj e shkruan këtë letër: për të shkaktuar besim në Jezu Krishtin si dhe bindjen që rrjedh prej tij – “midis të gjithë kombeve!” Romakëve ka të bëjë me kombet – grupet e njerëzve që ende nuk besojnë në Krishtin. Ata që nuk janë drejtësuar ende, ende nuk janë shenjtëruar dhe si rrjedhim nuk do të lavdërohen nëse nuk arrihen me ungjillin.

Pastaj në vargun 14 ai na tregon sërish obligimin e tij apostolik: “Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.” Në mënyrë që të mos mendojmë se ai i ka lënë mënjanë Judenjtë ai thotë në vargun 16, “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun.” Judenjtë, Grekët, barbarët, të diturit dhe të paditurit! Me fjalë të tjera, ky mesazh i madhërishëm dhe i mëshirshëm i letrës së Romakëve i kapërcen dallimet kombëtare, kulturore dhe arsimore.

Kjo është jashtëzakonisht kritike për t’u kuptuar në kohën tonë pluraliste – një kohë shumë e ngjashme me shekullin e parë kur kisha e Krishtit u përhap aq shpejt. Krishtërimi nuk është një fe fisnore, por i bën thirrje për besim dhe besnikëri çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi. Jezusi nuk është një mes shumë perëndive. Ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve dhe nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell përmes të të cilit duhen të shpëtohen të gjithë. Ky mesazh i madhërishëm dhe i mëshirshëm i Romakëve nuk është thjesht një mënyrë shpëtimi mes shumë të tjerave. Kjo është udha e shpëtimit, për shkak se Jezu Krishti është i vetmi Bir i Perëndisë dhe i vetmi Shpëtimtar.

Ky pretendim gjithmonë është kundërshtuar. Dhe po dyshohet në mënyrë të veçantë në Amerikën e sotme, edhe mes atyre që rrëfejnë se janë të Krishterë dhe sigurisht, mes Muslimanëve dhe Judenjve. Në numrin e së premtes Star Tribune, kishte një artikull që mohonte domosdoshmërinë e besimit në Krishtin. Një këshill i përbashkët peshkopësh Katolikë dhe rabinësh Amerikanë publikuan një dokument të quajtur “Reflektime mbi Besëlidhjen dhe Misionin.” Pika kryesore, thoshte autori, ishte kjo, “Përpjekjet për të kthyer në besim Judenjtë ‘nuk janë më të pranueshme nga ana teologjike’… për shkak se populli Jude tashmë ‘qëndron në besëlidhje me Perëndinë” (E premte, 20 Shtator, 2002, p.A23). Me fjalë të tjera, ka një udhë shpëtimi për Judenjtë që e mohojnë Krishtin dhe një udhë tjetër shpëtimi për të krishterët që pranojnë Krishtin.

Kjo është një deklaratë e rreme dhe zemërthyese prej peshkopësh të Krishterë nën dritën e asaj që Jezusi tha, “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.” (Gjoni 3:36). Prandaj, përsa u përket johebrenjve që e pranojnë atë dhe Judenjtë që e mohojnë Jezusi tha, “Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve, por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve.” (Mateu 8:11-12).

Prandaj është jashtëzakonisht kritike të dallojmë pretendimet universale të mesazhit të fuqishëm dhe të mëshirshëm të Romakëve. Këtu nuk po merremi me opinione apo filozofi njerëzore, as me programe vetëpërmirësimi, as me besime fisnore, apo diçka e izoluar dhe e kufizuar. Jemi duke u marrë me lajmin e vërtetë që i vetmi Perëndi ka vepruar në mënyrë unike në histori për të shpëtuar njerëzit duke dërguar Birin e tij të vetëm që të vdesë për mëkatarët dhe të ringjallet. Të mohosh këtë lajm do të thotë të humbasësh.

Teza e Letrës: Romakëve 1:16-17

Prandaj Pali e shpall tezën e tij tek Romakëve 1:16-17 dhe pastaj shpjegon dhe e zbaton atë në pjesën tjetër të letrës. “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit.” Së pari, Pali thotë që mesazhi i tij – ungjilli i tij – është i fuqishëm dhe i mëshirshëm për të shpëtuar: ai është fuqia e Perëndisë për shpëtim. Dhe ky shpëtim është përmes besimit. Fuqia e ungjillit për të shpëtuar depërton në shpirtin tonë me besim në Jezu Krishtin.

Pastaj në vargun 17 ai shpjegon pse ungjilli e ka këtë fuqi: “ Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të.” Ungjilli ka fuqi për të shpëtuar ata që besojnë Krishtin për shkak se ai zbulon drejtësinë e Perëndisë. Çfarë do të thotë kjo?

Romakëve 1:18-3:20. Pse të gjithë ne kemi nevojë të shpëtohemi

Para se të shpjegojë se çfarë do të thotë, Pali kalon përgjatë Romakëve 1:18-3:19 për të na treguar pse të gjithë ne kemi nevojë të shpëtohemi. Përmbledhjen e tij e gjeni tek Romakëve 3:9, “E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat.” Dhe vargu 19, “që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t’i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë.” Prandaj ne të gjithë jemi mëkatarë. Që të gjithë gjendemi nën zemërimin e Perëndisë (1:18). Nuk kemi ndonjë drejtësi që mund të na lartësojë para tij, dhe tek 3:20 bëhet shumë e qartë që nuk mundemi kurrë ta shpëtojmë apo drejtësojmë veten: “ sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit.” Ne jemi mëkatarë. Gjendemi nën zemërimin e drejtë dhe të shenjtë të Perëndisë. Dhe nuk mundemi ta shpëtojmë apo drejtësojmë veten përmes veprave.

Romakëve 3:21-31. Zbulimi i Drejtësisë së Perëndisë përmes besimin në Jezusin dhe Rrjedhojat e saj

Tani Pali i kthehet tezës së tij kryesore nga Romakëve 1:16-17 dhe shpjegon se çfarë do të thotë fakti që ungjilli është fuqia e Perëndisë për të shpëtuar besimtarët për shkak se ai zbulon drejtësinë e Perëndisë me anë të besimit. Ai thotë në vargjet 21-22, “Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim.”

Çfarë është pra zbulimi i drejtësisë së Perëndisë që i jep ungjillit fuqinë e tij dhe shpëton besimtarët? Kjo është manifestimi i “drejtësisë së Perëndisë që vjen përmes besimit në Jezusin.” Është drejtësia e Perëndisë e zbuluar si dhuratë ndaj nesh përmes besimit. Këtë e quajmë drejtësim. Prandaj Pali thotë në vargun 24 që mëkatarët që i besojnë Krishtit, “janë drejtësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.” Zbulesa e drejtësisë së Perëndisë që e bën ungjillin fuqinë e Perëndisë për shpëtim është demonstrimi dhe dhurata e drejtësisë së Perëndisë për mëkatarët që i besojnë Krishtit.

Romakëve 3:25 shpjegon sesi Perëndia mund të drejtësojë mëkatarët pa qenë i padrejtë: “Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë.” Me fjalë të tjera, Perëndia caktoi që Biri i tij të vdiste në vendin tonë në mënyrë që zemërimi dhe mallkimi i Atit të mund të binin mbi të dhe jo mbi ata që besojnë. Në këtë mënyrë ai tregon urrjejtjen e tij ndaj mëkatit dhe trajtimin e tij të drejtë. Prandaj tani, ashtu si thotë edhe vargu 26, ai mund të jetë “ i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.”

Prandaj vdekja e Krishtit është themeli i drejtësimit tonë. Nëse besojmë në Jezusin, Perëndia na llogarit të drejtë për hir të Jezusit. Ne shihemi dhe trajtohemi si të drejtë. Ky është drejtësimi. Dhe në vargun 28 ai e bën të qartë që ky qëndrim i drejtë para Perëndisë nuk është përmes veprave por me anë të besimit, “ njeriu është i drejtësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.”

Edhe këtu të mos ju shpëtojnë rrjedhojat globale, misionare dhe shumë kulturore të këtij mesazhi. Vetë Pali e vë në dukje në vargjet 29-30, “A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve. Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.” Drejtësimi me anë të besimit në Krishtin është mesazhi global i fuqishëm dhe i mëshirshëm që kemi për të gjitha kombet, grupet e njerëzve dhe personat që do të takojmë ndonjëherë. Ka një Shpëtimtar, një kryq, një ringjallje dhe një mënyrë për të qenë të drejtë para të vetmit Perëndi, që drejtësia e tij të na llogaritet ne përmes besimit në Krishtin, jo nga veprat.

Romakëve 4: Drejtësimi i Abrahamit me anë të besimit dhe jo nga veprat

Në kapitullin 4 Pali mbron drejtësimin me anë të besimit dhe jo nga veprat duke përdorur Abrahamin si shembull, “Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.” (v.3). Një nga vargjet me të çmuara në këtë letër mbështetet tek shembulli i Abrahamit (v.5), “ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.” Nuk drejtësojnë veprat por besimi. Dhe nuk drejtësohen të perëndishmit por të paudhët. Ky është vërtet lajm i mirë, ky është mesazhi i fuqishëm dhe i mëshirshëm i Romakëve.

Romakëve 5: Shpresë dhe siguri përballë vuajtjes dhe vdekjes

Në kapitullin 5 Pali bën një përmbledhje në vargun 1, “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.” Pastaj ai prezanton realitetin e vuajtjes dhe vdekjes për të drejtësuarit, kështu shikon drejt theksit të madh tek vuajtja në kapitullin 8. Vargu 3 na thotë pse mund të ngazëllojmë në shtrëngime – kjo na çon tek këmbëngulja, karakteri dhe shpresa.

Pastaj në sfondin e këtyre shtrëngimeve ai argumenton tamam në të njëjtën mënyrë që bën në kapitullin 8, nga të mëdhatë tek të voglat – nëse Perëndia mund të bëjë një gjë të vështirë, ai mund të bëjë një gjë të lehtë. Mbani mend që Romakëve 8:32 thotë, “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet[gjëja e vështirë], por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat [gjëja e lehtë] bashkë me të?” Kjo është tamam mënyra sesi Pali argumenton këtu tek Romakëve 5:9, “Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij[gjëja e vështirë], do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij[gjëja e lehtë].” I njëjti lloj argumenti gjendet edhe në vargun 10, “Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij[gjëja e vështirë], akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij[gjëja e lehtë].”

Ideja kryesore është shpresa dhe siguria jonë përballë vuajtjes dhe vdekjes, tamam ashtu si tek Romakëve 8. Krishtërimi normal është shtrëngim. “me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.” (Veprat 14:22). Mos harroni kurrë që mesazhi i fuqishëm dhe i mëshirshëm i Romakëve përcillet në kontekstin e vuajtjeve të pritshme.

Vekja është një realitet masiv në të gjitha kulturat. Nëse keni një ungjill të mirë duhet të keni një shpjegim për vdekjen dhe shpresë përballë saj. Këtë gjë Pali nis ta trajtojë tek Romakëve 5:12-21, dhe këtë e bën duke krahasuar Adamin, mosbindja e të cilit solli mëkat dhe vdekje, me Krishtin, bindja e të cilit solli drejtësi dhe jetë. Vargu 19 e tregon kontrastin në mënyrën më të qartë, “Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu [Adamit] të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi [Krishtit] të shumtët do të bëhen të drejtë.” Mëkati dhe dënimi i Adamit na u llogaritën ne për shkak se jemi të bashkuar me të përmes lindjes, prandaj bindja dhe lartësimi i Krishtit na u llogaritën ne për shkak se jemi bashkuar me të përmes besimit.

Pastaj Pali përmbledh triumfin e hirit përmes Krishtit në vargun 21, “… me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.”

Romakëve 6: Bashkimi me Krishtin është vdekje ndaj mëkatit dhe çlirim prej skllavërisë

Kjo çoi tek një problem që duhej zgjidhur. Nëse ne vërtet drejtësohemi vetëm përmes besimit dhe atje ku mëkati është më i madh hiri është edhe më i madh, atëherë përse të mos mëkatojmë që hiri të mund të shtohet? Pali i përgjigjet kësaj në kapitullin 6 me mësimin që besimi na bashkon me Krishtin në një mënyrë reale kështu që ne në fakt përjetojmë bashkë me të një vdekje ndaj mëkatit dhe çlirim prej skllavërisë së tij (6:6, 17-18). Që të gjithë njerëzit e drejtësuar po shenjtërohen.

Romakëve 7: Të vdekur për ligjin në mënyrë që t’i përkasim një tjetri

Pastaj në kapitullin 7 Pali argumenton se nuk është orientimi ndaj mbajtjes së ligjit që na shenjtëron – apo na bën më tepër si Jezusi. Jo, “Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t’i japim fryte Perëndisë… por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç’ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.” (7:4, 6).

Jeta e Krishterë jetohet në dhuratën falas dhe në ndjekjen e zellshme të një marrëdhënieje me Jezu Krishtin. “Që të bashkoheni me një tjetër!” (7:4). Ai është fuqia, mëshira, modeli dhe porosia e jetës së Krishterë.

Romakëve 8: Asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit

Kështu arritëm në këto javë të fundit tek Romakëve 8 – teta madhështore. Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit (vargu 35)? A e dalloni lidhjen me Romakëve 7:4? Të vdekur për ligjin që të mund të bashkohemi me një tjetër, me atë që u ringjall prej së vdekuri, Jezu Krishti. Ky është çelësi i jetës dhe vdekjes. Kush do të na ndajë pra nga dashuria e Krishtit. Përgjigja: Asgjë. Kush do të na ndajë nga dashuria e Perëndisë në Krishtin? Përgjigja: Asgjë. “Sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi. Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët.” (Romakëve 14:8-9). Jeto nën zotërimin e tij, vdis nën zotërimin e tij. Dhe gjithmonë këndoji dashurisë së pamposhtur të Perëndisë në Krishtin.

Seria: Romakëve: Letra më madhështore e shkruar ndonjëherë

Tema: Ungjilli

 Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*