Perëndia shkroi një libër!

Perëndia shkroi një libër!

Ky realitet më lë pa mend sa herë që ndaloj dhe mendoj për të. Faqe të tëra prej Perëndisë. Mendimet e Tij, fjalët e Tij, zemra e Tij. Aty, vetëm disa centimetra larg. Mund ta marr me vete kudo që shkoj dhe ta lexoj sa herë që dëshiroj.

Çfarë shohim kur hapim Biblën? Në këtë libër shohim vetë Perëndinë. Këtu takojmë Atë, ose nuk e takojmë fare, dhe nuk kemi shpresë tjetër për miqësi. Leximi i Biblës është një prej gjërave më të rëndësishme që mund të bëjmë. Bibla është më e vlefshme se çdo gjë që zotërojmë. Është më e ëmbël se çdo gjë që kemi ngrënë ndonjëherë. Në të vërtetë është më e rëndësishme se frymëmarrja.

Por nuk shohim dhe ndiejmë gjithmonë këtë gjë kur hapim Biblën. Sytë tanë të dobët, të lodhur dhe të shpërqendruar shohin dhe gjithë sa dallojmë është një portret pa jetë varur në mur. Por nuk është një portret, është një dritare. Nuk qëndron pa jetë në një kornizë të vjetër në mur. Ajo krijon një hapje në mur për në një botë tjetër, në botën reale. Bota e përjetshme. Bota më e mirë. Përmes kësaj dritareje shkëlqen një dritë hyjnore që ndryshon gjithçka përreth nesh.

Të gjithë e dimë që shtegu për ta njohur Perëndinë nuk është i lehtë. Disiplina dhe vendosmëria janë të rëndësishëm por ato nuk na çojnë shumë larg. Disa ditë, një javë, ndoshta një muaj. Për afatin e gjatë kemi nevojë për diçka më të fortë, më tepër shtrënguese se disiplina dhe vendosmëria. Përgjatë shtegut ka shumë gracka dhe pengesa. Në thelb, arsyeja pse nuk e lexojmë Biblën është që nuk duam ta lexojmë. Nuk shohim gëzim, paqe dhe jetë kur vështrojmë atë libër me kapak lëkure në raft, shohim një mur dhe jo një dritare. Shohim portretin e mërzitshëm dhe jo bukurinë e pafundme përtej tij. Prandaj e lëmë mënjanë, nuk e hapim dhe vazhdojmë jetën. Qëndrojmë në shtrat, dhe kështu na shpëton mrekullia.

Perëndia që tha u bëftë drita në mes të errësirës dëshiron të flasë dritë në zemra dhe mendje. Perëndia shkroi një libër dhe me librin e Tij, me këto fjalë para nesh Ai i zgjon shpirtrat tanë të mërzitur për vdekje. Ai na çliron prej zgjedhës së mëkatit, nga dëshirat që na e rrëmbejnë jetën. Ai ngushëllon të brengosurit, frymëzon të dekurajuarit, udhëzon konfuzët. Ai na fuqizon që jeta jonë të ketë vlerë në çështjen e Tij mbi botë. Ai na kënaq plotësisht dhe dhe përgjithmonë me fjalë, me fjalët e Tij.

Prandaj, a do ta lexoj Biblën nesër? Ku tjetër mund të shkoj? Në ç’mënyrë tjetër do ta njoh Atë? Në ç’mënyrë tjetër do ta përgatis veten për t’u kënaqur me Të përgjithmonë. Po, do ta kaloj pjesën tjetër të jetës time duke parë përmes kësaj dritareje. Do sodis, do pres të shoh një pamje tjetër të Tij. Një mrekulli tjetër. Një shikim tjetër të Perëndisë tim.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*