Puna juaj si shërbesë

14 Qershor 1981 | prej Xhon Pajpër

Pika kryesore e këtij mesazhi mund të shpallet si një deklaratë dhe si një lutje, Si deklaratë do të ishte: Mënyra si i përmbush kërkesat e profesionit tënd është një pjesë thelbësore e dishepullizimit të Krishterë. Ose për ta thënë në një mënyrë tjetër: Mënyra si e bën punën tënde është pjesë e rëndësishme e bindjes ndaj Jezusit. Nëse e themi si lutje, pika kryesore sot është: Atë, na jep gjithë hirin për të qenë të vetëdijshëm ndaj pranisë sate në punë, dhe për t’ju bindur gjithë urdhërimeve të tua në të gjitha marrëdhëniet tona të punës. Besoj që kjo është fjala e Perëndisë për ne sot, dhe do të dëshiroja ta shtjelloja për disa minuta duke u bazuar tek 1 Korintasve 7:17-24.

Gjithsecili le të qëndrojë në atë gjëndje në të cilën u thirr

Para se të lexojmë pjesën le të orientohemi nga konteksti pararendës. Një prej problemeve në kishën e Korintit ishte pasiguria për mënyrën si besimi në Krishtin duhet t’i ndikojë marrëdhëniet e zakonshme të jetës njerëzore. Për shembull, tek 1 Korintasve 7 shtrohet pyetja nëse besimi në Krishtin do të thotë që një bashkëshort dhe një bashkëshorte duhet të heqin dore prej marrëdhënieve seksuale. Pali jep një jo kumbuese në vargun 3. Një shembull tjetër gjendet në vargjet 12-16, pyetja, Çfarë duhet të bëjmë nëse një prej bashkëshortëve beson tek Krishti kurse tjetri jo? A duhet që besimtari të ndahet për të qëndruar i pastër? Sërish Pali thotë jo. Qëndroni në atë marrëdhënie në të cilën ishit kur Perëndia ju thirri në besim. Besimi tek Krishti si Zot dhe Shpëtimtar nuk do ta shkatërrojë kurrë besëlidhjen e martesës të cilën Perëndia e caktoi në krijim.

Pasi ka thënë këtë gjë në vargjet 12 dhe 13, apostulli lejon që nëse partneri jobesimtar e braktis atë besimtar dhe nuk do të ketë të bëjë me të, atëherë besimtari nuk është i lidhur përgjithmonë në këtë marrëdhenie. Me fjalë të tjera, besimi në Krishtin nuk e bën një person që të dëshirojë të largohet prej marrëdhënieve të caktuara prej Perëndisë, por në të kundërt i shenjtëron ato. Me durim, lutje dhe sjellje të përulur, partneri besimtar dëshiron ta fitojë jobesimtarin. Por mund të ndodhë ashtu si parashikoi Jezusi tek Mateu 10:34 e në vazhdim, që rebelimi dhe mosbesimi i partnerit jobesimtar ka për ta kthyer Krishterimin në një shpatë që ndan, në vend të një balasami që shëron. Prandaj parimi që ndjek apostulli është, qëndroni në marrëdhëniet tuaja të caktuara prej Perëndisë, mos kërkoni t’i braktisni apo shkatërroni ato. Por ai lejon përjashtimin që nëse marrëdhënia braktiset dhe shkatërrohet pa dëshirën apo kontrollin tuaj nga ana e partnerit jobesimtar, atëherë le të ndodhë. Besimtari i pafajshëm nuk është i lidhur me partnerin që e braktisi.

Këtu fillon teksti ynë 1 Korintasve 7:17. Pasi ka diskutuar parimin e qëndrimit në marrëdhënien e martesës të caktuar prej Perëndisë kur beheni i Krishterë, Pali e diskuton këtë parim në dy lidhje të tjera. Le të lexojmë 1 Korintasve 7:17-24.

Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat. A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet. Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi. Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur. A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë. Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit. Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve. Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.

Parimi që Pali tashmë e kishte dhënë mësim në lidhje me martesën në këtë pjesë përmendet qartë tri herë. Vini re vargun 17, “Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia.” Vargu 20, “Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.” Vargu 24, “Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.” Këto tri deklarata të parimit të Palit e ndajnë tekstin në dy pjesë. Mund të jetë e dobishme të mendojmë për këto si tri copa buke në një sanduiç me dy shtresa. Ndërmjet dy pjesëve të sipërme janë vargjet 18-19 ku parimi zbatohet në çështjen e rrethprerjes dhe mosrrethprerjes. Mes dy pjesëve të poshtme janë vargjet 21-23 ku parimi zbatohet ndaj skllavërisë dhe lirisë. Por para se të kuptojmë ndonjërin prej këtyre dy zbatimeve, duhet të qartësojmë një fjalë kyçe të vetë parimit.

Për çfarë lloj thirrjeje bëhet fjalë?

Fjala që shfaqet në çdo deklaratë të parimit, shfaqet nëntë herë në këtë paragraf është fjala “thirrje”. Kur Pali thotë tek vargu 17, “Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia,” dhe në vargun 24, “Secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur,” ai po i rreferohet një thirrjeje hyjnore përmes të cilës u tërhoqëm për të besuar në Krishtin. Shpesh e përdorim fjalën “thirrje” për t’ju rreferuar profesionit tonë; thirrja ime është të jem shtëpiake; thirrja ime është të jem shitës; etj. Por kjo nuk është mënyra që Pali e përdori këtë fjalë 8 nga 9 herët në këtë kapitull. Ai e përdor këtë fjalë “thirrje” vetëm një herë si profesion, dmth, në vargun 20. Fjalë për fjalë vargu thotë, “Gjithsecili le të mbetet në atë “thirrje” (jo gjendje) në të cilën ishte thirrur.” Fjala “thirrje” këtu i referohet profesionit apo gjëndjes në jetë. Në këtë profesion apo gjëndje në jetë vjen një thirrje tjetër prej Perëndisë. Kjo thirrje është tërheqja e Frymës së Shenjtë në bashkësi me Krishtin. Shumë thjesht thirrja e Perëndisë që vjen tek një perëson në profesionin e tij është fuqia e Perëndisëqë e kthen shpirtin përmes ungjillit.

E gjitha kjo qartësohet tek 1 Korintasve 1. Në kapitullin 1, vargu 9, Pali thotë, “Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë.” Prandaj të gjithë të Krishterët, dhe vetëm të Krishterët, janë të thirrur në këtë kuptim. Kjo thirrje prej Perëndisë është e ndryshme, nga njëra anë nga profesioni ynë “thirrja” dhe nga ana tjetër, nga thirrja e përgjithshme për t’u penduar që ju drejtohet të gjithë njerëzve. Kur Jezusi tha tek Mateu 22:14, “Shumë janë të thirrur por pak janë të zgjedhur,” ju referua thirrjes mbarë botërore të ungjillit të cilën e dëgjojnë shumë njerëz dhe e mohojnë për humbjen e tyre.

Por kjo nuk ishte thirrja që Pali kishte në mendje. Thirrja e Perëndisë që na vendos në miqësi besimi dhe dashurie me Jezusin është një thirrje e fuqishme dhe efektive që na tërheq tek Biri (Gjoni 6:44, 65). Kjo gjë shihet më qartë tek 1 Korintasve 1:23-24 ku Pali thotë, “Por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë.” Të “thirrurit” nuk janë të gjithë ata që e dëgjojnë predikimin, por ata që e pranojnë si urtësi. Vargun mund ta themi me fjalët tona për të treguar ndryshimin me thirrjes së përgjithshme dhe thirrjes efektive: Pali thotë, “Ne u bëjmë thirrje të gjithëve të besojnë në Krishtin e kryqëzuar, por shumë Judenj e shohin këtë thirrje si një skandal, dhe shumë Johebrenj e shohin këtë thirrje si marrëzi, por ata që janë të thirrur (dmth që janë tërhequr fuqishëm dhe efektshëm tek Krishti) zbulojnë që thirrja e ungjillit është fuqia dhe urtësia e Perëndisë.”

Prandaj, kur Pali thotë tek 1 Korintasve 7:17, 20 dhe 24 që duhet të qëndrojmë dhe jetojmë me Perëndinë në atë gjëndje në të cilën u thirrëm, ai do të thotë: Qëndroni në atë gjëndje që ishit kur u kthyet në besim, kur u tërhoqët prej Perëndisë në një mëiqësi besimi dhe dashurie me Birin e tij.

Zbatimi i parimit për Judenjtë dhe Johebrenjtë

Tani duhet të shohim si e zbatoi Pali këtë parim në kohën e vet, dhe çfarë do të thotë për ne sot. Përgjatë procesit do të dalin në pah edhe arsyet teologjike për këtë gjë. Zbatimi i parë i këtij parimi nga Pali nuk është profesioni, por rrethprerja dhe mosrrethprerja. Ai e zbaton kështu: nëse u ktheve në besim si Johebre, mos u përpiq të bëhesh Jude. Nëse u ktheve në besim si Jude, mos u përpiq të bëhesh Johebre. Kjo ishte thjesht ajo që përfaqësohej prej rrethprerjes dhe mosrrethprerjes. Kjo gjë ka rredhoja shumë të thella kulturore: nëse je zezak, mos u përpiq të bëhesh i bardhë, nëse je i bardhë mos u përpiq të bëhesh zezak. Nëse je Meksikan mos u përpiq të bëhesh Amerikan, nëse je Amerikan mos u përpiq të bëhesh Meksikan.

Pastaj Pali jep arsyen teologjike për këtë këshillë. Vargu 19 thotë fjalë për fjalë, “Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.” Kjo ishte gjëja më ofenduese që Pali mund t’i thoshte një Judeu: rrethprerja nuk është asgjë. Nëse do t’i kuptonim rrjedhojat e gjera kulturore të kësaj, do të ofendoheshim të gjithë. Por në fakt është e vërtetë. Vini re sa radikalisht i ndryshëm është arsyetimi i Palit për ruajtjen e dallimeve tuaja kulturore nga arsyetimi i ditëve tona. Ne themi, e bardha është e bukur, e zeza është e bukur, e kuqja është e bukur, e verdha është e bukur, prandaj, mos u përpiqni të ndryshoni kulturat. Pali thotë, e bardha nuk është asgjë, e zeza nuk është asgjë, e kuqja nuk është asgjë, e verdha nuk është asgjë, por zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë është gjithçka, prandaj, mos u përpiqni të ndryshoni kulturat. Qëndro aty ku je dhe bindju Perëndisë. Pali është një mendimtar që nuk i përashtatet fare modës dhe prandaj, është përjetësisht i përshtatshëm. Ai është i orientuar në mënyrë radikale karshi Perëndisë. Gjithçka, gjithçka bie poshtë përpara përparësisë së Perëndisë.

Kjo është absolutisht e domosdoshme për t’u kuptuar për të mos krijuar një legalizëm të ri. Legalizmi i vjetër thoshte, “Duhet të rrethpriteni në mënyrë që të shpëtoheni. (Veprat 15:1). Duhet të jeni të bardhë që të aprovoheni.” Legalizmi i ri thotë, “Nëse doni të shpëtoheni nuk mund të rrethpriteni. Nuk mund të jeni të bardhë nëse doni të pranoheni.” Kemi për ta shtrembëruar mësimin e Palit dhe do ta humbasim qëllimin e tij nëse fjalinë “I parrethpreri le të mos rrethpritet”(v.18) dhe ta bëjmë një ndalim absolut ndaj përshtatjeve kulturore. Pali nuk po shqipton një dënim të përgjithshëm mbi të gjithë ata që adoptojnë aspekte të kulturave të tjera dhe heqin dorë prej aspekteve të kulturës së tyre. Kjo është e qartë nga fakti që ai rrethpreu Timoteun (Veprat 16:3), dhe nga deklarata e tij që ai bëhet gjithçka për të gjithë që të mund të shpëtojë disa (1 Korintasve 9:22).

Ajo që Pali po bënte ishte që po tregonte se bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë është aq shumë më e rëndësishme se çdo dallim kulturor, saqë thjesht ndryshimi i këtyre dallimeve nuk duhet të ketë rëndësi fare për të Krishterin. Me fjalë të tjera, mos i jepni kaq shumë rëndësi faktit nëse jeni të rrethprerë ose jo, nëse jeni të bardhë, të zinj, të kuq apo Suedez. Por në vend të kësaj jepini shumë rëndësi bindjes; bëjeni gjithë synimin e jetës suaj t’i bindeni ligjit moral të Perëndisë. Atëherë dhe vetëm atëherë (ashtu si thotë Pali tek Romakëve 2:25) rrethprerja dhe dallime të tjera kulturore bëhen të bukura, në një mënyrë rrjedhëse dhe shumë dytësore si shprehje të bindjes së besimit. Me pak fjalë, zbatimi i parimit të Palit në dallimet kulturore është ky: Mos u fry dhe mos u mburr për gjëndjen tuaj tuaj të tanishme të dallimeve kulturore, ato kanë pak rëndësi për Perëndinë nëse krahasohen me faktin nëse ja keni kushtuar veten, trup, shpirt dhe mendje, ndaj bindjes së urdhërimeve, të cilat plotësojnë këtë: “Duaje të afërmin porsi vetveten” (Romakëve 13:8-10, Galatasve 5:14).

Zbatimi i parimit për skllevërit dhe lirinë

Pstaj Pali kalon tek vargjet 21-23 për ta zbatuar parimin e tij tek çështja nëse dikush është skllav apo i lirë. Problemi i përkthimit në vargun 21 është vërtet i vështirë. Shumica e versioneve moderne thonë, “A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.” Kjo mund të jetë në rregull, por e kam të vështirë ta pranoj përderisa parimi që ai po ilustron shprehet në vargun 20 si “Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur,” dhe në vargun 24 si, “secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.” Duket krejt pa vend që ndërmjet këtyre të dyjave të thuash, “nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.” Jo vetëm kjo, por ky përkthim nuk tregohet i drejtë me të gjitha fjalët në Greqish (“nëse” dhe “përkundrazi”) të cilat dalin në pah në përkthime alternative; “A u thirrët si skllav? Mos lejo që kjo të të shqetësojë, por përkundrazi, edhe nëse mund të bëhesh i lirë, shfrytëzoje (pozitën tënde të tanishme).” Kontrasti i vërtetë, më duket që duhet të shprehet kështu, “Mos lejo që skllavëria jote të të bëjë me ankth, por përkundrazi përdore.” Përdore për t’ju bindur Krishtit dhe kështu “ta zbukurosh doktrinën e Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë të madh” (Titi 2:10).

Mendoj që në analizën përfundimtare është e vërtetë që kjo nuk është një ndalesë absolute për të pranuar lirinë, po aq sa dhe vargu 18 nuk ishte një ndalesë absolute për rrethprerjen. Ideja është; kur thirreni në miqësinë e Krishtit, keni një tufë të re përparësish radikalisht të fokusuara tek Krishti, aq shumë saqë edhe po të jesh skllav nuk duhet të pikëllohesh. “A u thirre kur ishe skllav? Mos u shqetëso.” A është puna jote e rëndomtë? Mos u shqetëso. A është një punë që nuk vlerësohet aq shumë sa profesionet e tjera? Mos u shqetëso. Është e njëjta gjë që po thoshte me ndryshimet kulturore si puna e rrethprerjes: A ishte i parrethprerë? Mos u shqetëso. A ishe i rrethprerë? Mos u shqetëso.

Pali mund të kishte dhënë të njëjtën arsye teologjike për këtë pozitë ashtu si bëri edhe në vargun 19. Mund të kishte thënë, “Sepse të jesh skllav nuk është asgjë, dhe të jesh i lirë nuk është asgjë, por zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë është gjithçka.” Kjo është e vërtetë. Por Pali e thellon të kuptuarit tonë me një arsye të re teologjike. Arsyeja pse një person mund të thotë “Mos u shqetëso” edhe pse është skllav, është kjo, vargu 22, “Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.” Më pëlqen ta shoh Palin ta zbatojë teologjinë e tij kështu. Ai po thotë që ungjill ka një antidodë për dëshpërimin në punët e rëndomta dhe një antidodë për krenarinë në punët e vlerësuara. Ai e sheh skllavin që mund të ndihet pa shpresë dhe i thotë, “Në Krishtin je i lirë. U bleve me një çmim. Mos lejo askënd që të të skllavërojë shpirtin. Ngazëllohu në Zotin dhe shpreso tek ai dhe ke për të qenë më i lirë se gjithë fisnikët e shqetësuar.” Pastaj sheh njeriun e lirë dhe fisnik dhe i thotë, “Mos u bëj krenar, sepse në Krishtin je skllav. Nuk ka asnjë që të ketë autoritet mbi ty, duhet të jesh i përulur dhe i nënshtruar.”

Rrjedhoja e kësaj është që nëse një person është skllav apo i lirë, kjo nuk duhet të jetë shkaku i pikëllimit apo krenarisë së tij. Ai duhet të jetë në gjëndje të thoët, “Nuk shqetësohem.” Nuk duhet të mburret sikur të ishte doktor, avokat apo drejtor ekzekutiv, gjithashtu nuk duhet të ndjejë keqardhje për veten apo të bjerë në depresion nëse ka një punë të cilën shoqëria e vlerëson më pak. Prandaj Pali konkludon në vargun 24, “Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.” Te Perëndia! Kjo është fraza kritike. Ajo që ka rëndësi në jetën tokësore dhe atë të përjetshme është të qëndrosh afër Perëndisë dhe të kënaqesh me praninë e tij. Ajo që ka rëndësi nuk është nëse puna jonë e vlerësuar apo e ulët në sytë e njerëzve. Ajo që ka rëndësi është nëse po inkurajohemi dhe përulemi prej pranisë së Perëndisë.

Nëse i marrim së bashku të dyja zbatimet e parimit të Palit, mësimi duket se është ky: Bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë (v.19) dhe kënaqësia me praninë e tij (v.24) janë aq shumë më të rëndësishme se kultura apo puna juaj saqë nuk duhet të ndjeni detyrim të ndryshoni pozitën tuaj. Nuk duhet të motivoheni prej frikës apo dëshpërimit, dhe as nuk duhet të josheni prej pasurisë dhe krenarisë. Duhet të jeni në gjëndje t’i thoni pozitës suaj, “Nuk më intereson. Ti nuk je jeta ime. Jeta ime është t’i bindem Perëndisë dhe të kënaqem me praninë e tij.”

Katër rrjedhoja praktike

Më lejoni të konkludoj me disa rrjedhoja praktike. Së pari, Perëndia është shumë më i interesuar me mënyrën si e bëni punën që keni tani sesa është më faktin që të gjeni një punë të re. Në këtë bashkësi kemi infermiere, mësues, marangozë, artistë, skenaristë, punëtorë librarie, avokatë, recepsionistë, punëtorë socialë, mekanikë, inxhinierë, menaxherë zyre, bankierë, oficerë policie, dekorues, muzikantë, arkitektë, bojaxhinj, pastrues, administratorë shkollash, shtëpiake, misionarë, pastorë, mobielierë dhe shumë të tjerë. Ajo që ne të gjithë kemi nevojë të dëgjojmë është gjëja që qëndron më fort në zemrën e Perëndisë nuk është nëse kalojmë nga një profesion tek tjetri, por nëse në punën tonë të momentit po kënaqemi me praninë e premtuar të Perëndisë dhe t’u bindemi urdhërimeve të tij në mënyrën sesi e kryejmë punën tonë.

Së dyti, ashtu si e kemi parë, urdhërimi për të qëndruar në gjëndjen në të cilën ishim kur u kthyem në besim nuk është absolute. Nuk i dënon të gjitha ndryshimet e profesionit. Ka vend për lirimin e skllevërve në Besëlidhjen e Vjetër, jemi të njohur me tagrambledhësin që u bë predikues, dhe me peshkatarët që u bënë misionarë. Përveç kësaj, e dimë që ka disa profesione në të cilat nuk mund të qëndroni dhe t’u bindeni urdhërimeve të Perëndisë: si, prostitucioni, lloje të ndryshme argëtimi të pandershme dhe të korruptuara, si dhe profesione të tjera në të cilat mund të detyroheni që të shfrytëzoni njerëzit.

Pali nuk po thotë që një hajdut profesionist apo një prostitutë kulti në Korinth duhet të qëndrojnë në gjëndjen në të cilën u thirrën. Pyetja në Korinth ishte: Kur besojmë tek Krishti, çfarë duhet të braktisim? Dhe përgjigja e Palit është: Nuk ka pse të braktisni profesionin tuaj nëse mund të qëndroni në të me Perëndinë. Shqetësimi i tij nuk është të dënojë ndryshimin e profesionit, por të na mësojë që mund të kemi plotësim në Krishtin cilado qoftë puna jonë. Ky është mësim shumë jashtë mode në shoqërintë e tashme perëndimore, për shkak se prek thellë nervin e ambicjes së botës. Duhet të mendojmë shumë thellë për faktin nëse ajo që u komunikojmë fëmijëve tanë rreth suksesit është biblike apo thjesht Amerikane. Fjala e Perëndisë për të gjithë ne “kërkuesit e suksesit” është kjo: Merreni gjithë atë ambicje dhe shtysë që po investoni në arritjet më të larta dhe derdheni në një zell frymëror për të kultivuar një kënaqësi me prezencën e Perëndisë dhe bindje ndaj vullnetit të tij të shfaqur në Shkrim.

Së treti, për ju të rinj që nuk keni hyrë ende në një profesion, rrjedhoja e tekstit tonë është kjo: Kur i bën vetes pyetjen, “Cili është vullneti i Perëndisë për jetën time?” duhet të jepni këtë përgjigje kumbuese: “Vullneti i tij është që të ruaj një miqësi të ngushtë me të dhe të përkushtohem ndaj zbatimit të urdhërimeve të tij.” Vullneti i zbuluar i Perëndisë për ju (i vetmi vullnet për të cilin jeni përgjegjës që t’i bindeni) është shenjtërimi juaj (1 Thesalonikasve 4:3), dhe jo profesioni juaj. Kushtojuni kësaj me gjithë zemrën tuaj, dhe bëni çfarëdo punë që të dëshironi. Nuk kam dyshim që, nëse gjithë të rinjtë tanë bëjnë çdo përpjekje për të qëndruar afër Perëndisë dhe për t’ju bindur urdhërimeve të tij në Shkrim, Perëndia do t’i shpërndajë në botë tamam atje ku Ai dëshiron që të ndikojnë për të.

Së katërti, dhe së fundmi, ky tekst nënkupton që puna që keni tani, për aq kohë që jeni atje, është detyra e Perëndisë për ju. Vargu 17 thotë, “Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti.” Perëndia është sovran. Nuk është aksident fakti që jeni aty ku jeni. “Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij” (Fjalët e Urta 16:9). “Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar” (Fjalët e Urta 19:21). “Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti” (Fjalët e Urta 16:33).

Ju jeni aty ku jeni me një detyrë hyjnore, edhe nëse arritët aty me mashtrim. Puna jote është detyra jote e shërbesës, po aq sa është edhe imja. Mënyra si i plotëson kërkesat e asaj pune është po aq thelbësore në jetë sa dhe ajo që bën këtu të Dielë. Për shumë prej nesh mund të ketë kuptimin që nesër në mëngjes të kthejmë një faqe tjetër. Le të lutemi të gjithë bashkë para se të shkojmë në punë, “Perëndi, shko me mua sot dhe më mbaj të vetëdijshëm për praninë tënde. Inkurajoje zemrën time kur prirem të pikëllohem dhe më përul kur prirem të mburrem. O Perëndi, më jep hirin që t’u bindem urdhërimeve të tua, të cilat e di që përmblidhen në këtë gjë, të dua të afërmin tim porsi vetveten. Amen.”

Tema: Puna & Thirrja

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Ëebsite: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*