Si ta përlëvdoj Perëndinë në punën time?

nga Pastor John Piper

“Përshëndetje Pastor John. Tek Kolosianëve 3:22-24 Pali i nxit lexuesit e tij të punojnë “me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit.” A do të thotë kjo që çdo punë që nuk bëhet në mënyrë të shkëlqyer është mëkat? Si e zbatojmë pikëpamjen e Perëndisë për punën në pastrimin e shtëpusë, në shkruajtjen e eseve për në shkollë, apo në punën tonë normale 8 me 4? Jam ndjerë fajtor për mënyrën sesi i trajtoj këto gjëra për disa muaj dhe nuk jam i sigurt nëse thjesht po tregohem dembel, i vetëdrejtë apo nëse nuk po i bindem Zotit?”

Gjëja e parë në lidhje me fajin apo ndjenjat e fajit është që Bibla e trajton fajin në dy mënyra, dhe që të dyja janë shumë të rëndësishme. Njëra është që gjaku i Jezusit i mbulon të gjitha mëkatet tona, përfshirë edhe mënyrën sesi e bëjmë punën tonë. Asnjëri prej nesh nuk e bën punën e tij aq mirë sa duhet. Ne gjithmonë dështojmë ta arrijmë idealen. Gjëja tjerët është që të vendosim të ecim dhe punojmë me besnikëri para Zotit në lirinë e asaj faljeje.

Nëse përpiqemi ta përdorim gjakun e Jezusit si një leje për të ecur në mëkat, ndërgjegja jonë do të çohet dhe do protestojë (lavdi Perëndisë). Dhe nëse përpiqemi të ecim në besnikëri dhe bindje pa u mbështetur tek gjaku i Jezusit për falje dhe aftësim, ose do të biem në dëshpërim, ose do të dukemi sikur kemi sukses dhe do të bëhemi krenarë.

Të dyja këto shkojnë bashkë – gjaku i Jezusit dhe vendosmëria për të ecur dhe punuar me besnikëri dhe bindje – ky është çelësi për një jetë me paqe duke qenë i falur para Perëndisë dhe vigjilent mbi zemrën dhe mendjen tonë ndërsa përmbushim detyrat e përditshme. Pra, cili është vullneti i Perëndisë për mënyrën sesi duhet ta bëjmë punën tonë të përditshme dhe në mënyrë të veçantë, çfarë do të thotë të “punojmë si për Zotin” nga Kolosianët 3:23? Le të kuptojmë tablonë e madhe.

Perëndia na zotëron
Në Bibël, Perëndia bën pretendime totale dhe absolute për jetën tonë – për gjithë jetën tonë, përfshirë edhe punën që bëjmë pavarësisht se çfarë lloj është. Gjithçka në jetën tonë duhet bërë nën vështrimin e Perëndisë, duke u mbështetur tek hiri i Tij, sipas udhëzimeve të Tij dhe për lavdinë e Tij. Dëgjoni këto vargje të mahnitshme.

“Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.” (Kolosianëve 3:17)

A nuk është kjo e mahnitshme? Çdo fjalë, çdo vepër në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë përmes tij.

“Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” (1 Korintasve 10:31)

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” (Fjalët e Urta 3:5-6)

“Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.” (Fjalët e Urta 16:3)

“Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë. Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij, sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi. Sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët.” (Romakëve 14:6-9)

Kjo është një nga pjesët e mia të preferuara për shkak se është aq e mahnitshme dhe gjithëpërfshirëse kur na bën thirrje të jetojmë një jetë të orientuar drejt Perëndisë. Është e mahnitshme. E dua shumë. Oh, sa dëshirë kam që të jetoj për Zotin, para Zotit, gjithmonë në lidhje me Zotin!

Të gjitha këto tekste kanë një mesazh bazë: ne i përkasim Perëndisë; nuk i përkasim vetes. Gjithçka që bëjmë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, duhet të bëhet në një mënyrë të orientuar drejt Perëndisë, përpara fytyrës së Tij, duke u mbështetur tek hiri i Tij, duke u drejtuar prej vullnetit të Tij, dhe duke synuar që ta bëjmë Atë të duket madhështor dhe i lavdishëm si thesari ynë që na kënaq plotësisht. Për këtë është puna. Për këtë është e gjithë jeta.

Në librin tim Mos e Shko Dëm Jetën është një kapitull i titulluar “Si ta madhërojmë Krishtin nga ora 8 në orën 4.” Ai kapitull përpiqet të trajtojë sesi mund ta bëni punën tuaj të përditshme në mënyrë që të mos e shkoni dëm qëllimin e saj.

Pesë sqarime
Tani le të themi disa fjalë rreth Kolosianëve 3:22-24. Ja ku është teksti për të cilin na pyet Dilani. Në këtë tekst gjendet edhe fraza “me dëshirë të mirë si për Zotin dhe jo si për njerëzit.” Vargjet thonë,

“Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë. Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë,” ja ku është fraza, “si për Zotin dhe jo për njerëzit” – prandaj punoni si për Zotin dhe jo si për njerëzit – “duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.” (Kolosianëve 3:22-24) Prandaj punoni si për Zotin, urdhërim ky të cilin Pali e qartëson në pesë mënyra. Mund ta dimë që në këtë tekst nuk ka shumë dyshim rreth mënyrës sesi Pali mendon për këtë gjë. Ka pesë qartësime për atë se çfarë do të thotë ai me frazën “si për Zotin.”

1. Nuk duhet bërë sa për sy e faqe që t’u pëlqejmë njerëzve. Domethënë, nuk po përpiqni thjesht që t’u bëni përshtypje të tjerëve kur bëni punën tuaj. Është Perëndia dhe jo të tjerët ai të cilin duhet të kini parasysh. Ju po punoni më së pari në një mënyrë me orientim nga Perëndia dhe nga njerëzit.

2. Pali thotë që kundërta e shërbimit sa për sy e faqe është sinqeriteti. Me fjalë të tjera, e ke me gjithë mend të mirën që synon të arrish përmes punës tënde. Puna nuk është për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Puna është ajo që është. Është për të mirën e të tjerëve.

3. Frika ndaj Zotit. Me fjalë të tjera, të kesh frikë se mos nuk i pëlqen Zotit. Të kesh një dëshirë me drojë për t’i pëlqyer Zotit në mënyrën sesi e bën punën tënde.

4. Të punosh me zemër. Fjalë për fjalë do të thotë “nga shpirti.” Kjo nuk është punë me gjysmë zemre, por që ta bësh me gjithë qenien tënde.

5. Duke pritur një shpërblim të madh nga Zoti, edhe nëse njerëzit nuk të japin asnjë gjë. Kjo nuk ka rëndësi në fund. Ajo që ka rëndësi në fund të fundit është që do të merrni një bollëk shumë të madh – një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji nga Zoti.

Të pesta këto udhëzime për mënyrën sesi e bëjmë punën tonë për Zotin na janë dhënë jo sepse Zoti ka nevojë për punën tonë. Ai nuk ka nevojë. Veprat 17:25 thotë, “[Perëndia nuk] shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë.” Perëndia nuk ka nevojë për punën tonë. Kjo nuk është ideja. Pali na i dha këto udhëzime sepse kjo do të na sjellë gëzimin më të madh kur punojmë në këtë mënyrë. Dhe në të njëjtën kohë do të tregojë që Perëndia është thesari ynë më i madh.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*