Të jetuarit është Krishti – Çfarë do të thotë kjo?

nga pastor John Piper

Një dëgjuese nga qyteti i Londrës na shkruan dhe pyet, “Përshëndetje Pastor John! Mua më quajnë Laura dhe jam nga Londra. Kam dëshirë të di se çfarë kuptimi kanë fjalët e Palit, “Për mua të jetuarit është Krishti,” tek Filipianëve 1:21. E kam të vështirë të gjej një përkufizim të shëndoshë për këtë gjë pa dhënë shembuj sesi duket ajo lloj jete. Faleminderit!”

Nuk ka shumë gjëra për të cilat më pëlqen të mendoj më tepër sesa konteksti i Filipianëve 1. Arsyen e kësaj do ta kuptoni përpara se të mbarojmë. Unë jam një hedonist i krishterë me mish e me shpirt. Nuk ka asgjë më të mirë se këto vargje dhe paralelet e tyre në kapitullin 3.

Të jetosh dhe të vdesësh
Mendoj që si përgjigje ndaj pyetjes së Laurës ka dy mënyra për ta përkufizuar thënien “për mua të jetuarit është Krishti”; së pari, mund ta bëjmë këtë gjë nga konteksti i menjëhershëm i Filipianëve 1:20-26; së dyti, mund ta bëjmë nga Filipianëve 3. Do ta shikoni pse të dyja këto janë kaq të përshtatshme.

“’Të jetuarit është Krishti’ dhe ‘vdekja është fitim’ janë dy mënyra sesi Pali e mardhëron Krishtin me trupin e tij.” #JohnPiper

Le të kalojmë përgjatë vargjeve dhe Laura do ta dallojë menjëherë sesi funksionon kjo gjë. Pali thotë, “sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet” (Filipianëve 1:20). Ky është pasioni qendror në jetën e tij, që Krishti të nderohet apo madhërohet – domethënë të tregohet që është i madhërishëm.

Ai vazhdon dhe thotë “Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen” – dhe këtu dalin dy frazat. “Sepse për mua të jetuarit është Krishti” – për këtë na pyet Laura. Dhe tjetra është, “dhe të vdekurit fitim” (Filipianëve 1:20-21).

Prandaj, “të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit është fitim” janë dy mënyra sesi Pali e madhëron Krishtin në trupin e Tij. Prandaj, ajo që duam të dimë është sesi madhërohet Krishti në jetën e Palit, sepse ky është synimi i tij në këtë tekst.

Punë e frytshme
Të jetuarit është Krishti. Të jetuarit është madhërimi i Krishtit. Të jetuarit është të tregosh që Krishti është i madhërishëm, prandaj shikoni sesi e bën Pali këtë gjë. Ai thotë, “Nëse do të jetoj në mish kjo do të thotë pynë e frytshme për mua.” (Filipianëve 1:22). Prandaj, gjëja e parë që ai thotë për të jetuarit nuk është Krishti, por puna e frytshme.

Çfarë do të thotë kjo? Çfarë është puna e frytshme që e madhëron Krishtin në mënyrë të tillë sa mund të thoni kërkimi i këtij fryti do të thotë kërkim i lavdisë së Krishtit? Ai vazhdon të sqarojë, “por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju. Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj” (Filipianëve 1:24-25).

Prandaj, puna e tij besnike për të cilën po vazhdon të jetojë është një punë për të shtuar gëzimin dhe besimin e Filipianëve. Nëse ata kanë një gëzim më të madh nga përqafimi i Jezusit – domethënë, përmes besimit në Jezusin, atëherë Jezusi bëhet të duket madhështor.

Nëse kjo ndodh, jeta e Palit po e arrin qëllimin e saj i cili është shpalosur në vërgun 20. Prandaj, gëzimi juaj i besimit në Jezusin është fryti i punës time. Ky fryt e bën Krishtin të duket madhështor dhe ky është kuptimi i frazës “për mua të jetuarit është Krishti.”

Të jetosh për gëzim
Pali vazhdon më tej, “që mburrja tuaj për mua të teprojë në Jezu Krishtin, për praninë time sërish midis jush” (Filipianëve 1:26).

“Vdekja e Palit e madhëroi Krishtin për shkak se tregoi që Krishti ishte më i vlefshëm se çdo gjë të cilën ai e humbi kur vdiq.” #JohnPiper

Prandaj, përmes ardhjes së tij tek ata, domethënë, ardhjes për të shtuar gëzimin e tyre në besim dhe ardhjen për të dhënë fryt në punën e tij – përmes ardhjes së tij dhe shërbesës ndaj tyre për t’jua shtuar gëzimin e besimit, ata po tepërojnë në mburrjen dhe lavdërimin e tyre në Krishtin Jezus.

Prandaj, rezultati i jetës së Palit është që njerëzit e tjerë po e madhërojnë Jezusin duke qenë të gëzuar në Jezusin dhe duke u mburrur në Jezusin. Ky është për Palin kuptimi i thënies “të jetuarit është Krishti”. Të jetuarit është Krishti do të thotë të jetosh, të jesh mjeti, përmes të cilit njerëzit e tjerë e bëjnë Krishtin të duket madhështor duke zbuluar që Krishti është thesari i tyre suprem dhe kënaqësia e tyre më e madhe. Ky është kuptimi i mburrjes në Krishtin dhe i të qënurit i lumtur në Krishtin. Kjo është përgjigja e parë.

Të jetosh për fitim
Tani shihni sesi kjo konfirmohet në mënyrë të mahnitshme nëse kaloni tek Filipianëve 3:78. Lidhja është e qartë në mendjen e Palit për shkak se fjala fitim në kapitullin 1 lidhet me vdekjen. Tani shihni përdorimin e fjalës fitim tek Filipianëve 3:7-8, ku gjejmë të njëjtën mënyrë të menduari: duke qenë Krishti thesari suprem Ai duket vërtet i madhërishëm, dhe ky është qëllimi i jetës së Palit.

Ja se çfarë thotë ai, “Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin” (Filipianëve 3:7-8).

Tani le të kthehemi sërish në kapitullin 1, të vdekurit do të thoshte që Pali do të ishte me Krishtin, prandaj të vdekurit ishte fitim. Kjo do të thotë që vdekja e tij e madhëroi Krishtin për shkak se tregoi që Krishti ishte më i vlefshëm se çdo gjë tjetër të cilën e humbi kur vdiq.

Tani këtu në kapitullin 3, ai është duke shtjelluar thënien “të jetuarit është Krishti” në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin argument. Vetëm se në vend që të humbasë gjithçka përmes vdekjes, ai thotë, “Po e konsideroj gjithçka si humbje edhe tani që jam duke jetuar” për të treguar që vlera e Krishtit është më e mirë se gjërat që kam bë jetë edhe ndërsa jam duke jetuar. Prandaj, sërish, “të jetuarit është Krishti” do të thotë të jetosh në mënyrë të tillë që ta bësh Krishtin të duket madhështor si thesari juaj suprem.

Hedonizmi i krishterë
Nuk mund ta lë me kaq pa u kthyer sërish në fillim, kur isha tepër i ngazëlluar rreth hedonizmit të krishterë. Nuk mundem ta lë me kaq pa e bërë të qartë që këto kontekste tek Filipianëve 1 dhe 3 janë dy prej themeleve më të rëndësishme për atë që unë e quaj hedonizmi i krishterë.

“Krishti madhërohet më tepër kur ne kënaqemi më tepër në të sesa në gjërat që humbasim kur vdesim apo të cilat i kemi në jetë.” #JohnPiper

Gjithë jetën time e kam përkushtuar për ta kuptuar dhe predikuar këtë gjë, të cilën zakonisht e përmbledh duke thënë, “Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në Të.”

Por ja se cila është mënyra sesi do ta thosha këtë gjë duke lidhur së bashku “të vdekurit është fitim” dhe “të jetuarit është Krishti”: Krishti madhërohet më tepër kur ne kënaqemi më tepër në të sesa në gjërat që humbasim kur vdesim apo të cilat i kemi në jetë.

Në të dyja rastet, synimi i jetës së Palit arrihet kur Krishti madhërohet në trupin e tij, si përmes jetës ashtu dhe përmes vdekjes. Çelësi për madhërimin e Krishtit në jetë dhe në vdekje është që ta konsiderosh atë më të çmuar, më të vlefshëm, më të kënaqshëm, më të gëzueshëm, më të denjë për mburrje se çdo gjë që humbasim në vdekje – “të vdekurit është fitim” – dhe se çdo gjë që kemi në jetë – “të jetuarit është Krishti.”


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*